Më 26 tetor, SCiDEV mbajti takimin hapës të Edicionit të katërt të Laboratorit të Debatit
Universitar Nga Fjala tek Veprimi.

I realizuar në mënyrë hibride, takimi bëri bashkë koordinatorët e Fakulteteve/Universiteteve
pjesëmarrëse si dhe mentorët e Programit të ngritjes së kapaciteteve dhe të Fushatës Nga Fjala
Tek Veprimi, për të diskutuar planifikimin e mëtejshëm të debatit.

SCiDEV shprehu mirënjohjen për angazhimin ndër vite të koordinatorëve dhe mentorëve në
edicionet e kaluara, si dhe kënaqësinë e vijimit të bashkëpunimit në edicionin e katërt të debatit.
Më tej, pjesëmarrësit u prezantuan me arritjet e edicioneve të kaluara, risitë e edicionit të ri, si
dhe planin e aktiviteteve që do të ndiqet në vijim. Prezantimin e Edicionit të Katërt të Debatit
Universitar mund ta aksesoni këtu. Me përfundimin e prezantimit, pjesëmarrësit në takim dhanë
rekomandimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të planit të aktiviteteve, paketës kërkimore dhe
programit të zhvillimit të kapaciteteve, si dhe ndanë praktika pozitive për përfshirjen e
studentëve në debat.

Në këtë edicion të ri, mentorët do të fuqizojnë bashkëpunimin me strukturat studentore në rank
Universiteti dhe Fakulteti me qëllim rritjen e vizibilitetit të projektit dhe informimit të studentëve
mbi programin e debatit universitar, aplikimet për të cilin do të qëndrojnë të hapura deri më 15
nëntor. Studentët e interesuar mund të aplikojnë këtu. Ndërkaq, duke marrë shtysë nga
eksperienca e edicioneve të mëparshme dhe me sugjerimin e mentorëve, do të reduktohen temat
pjesë e paketës kërkimore të debatit.