Dr.Elda Zotaj, mentore dhe pedagoge, UAMD

Kosova ja doli të realizonte një proces zgjedhor shëmbullor. Kompromiset politike të establishmentit të vjetër në dëm të vullnetit të qytetarëve u refuzuan në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Maturia e treguar nga administrata zgjedhore në leximin korrekt të votës qytetare rikthyen besimin për një faqe të re në historin e shtetformimit të Kosovës. Zgjedhjet janë një mjet i fuqishëm ndryshimi dhe respektimi i vullnetit të qytetarëve është një parim i shenjtë për një shtet demokratik. Në mes entuziazmit dhe gëzimit për maturinë e klasës politike në Kosovë gjendet dhe shpresa për zhvillimin e demokracisë dhe vlerave Evropiane si rruga e të ardhmes së saj. Çdo gjë shkoi siç duhej në këto zgjedhje. Pjesëmarrja e lartë e votuesve, mbarëvajtja e procesit, rezultatet e shpejta dhe pranimi i tyre pa kontenstime nga partitë humbëse etj. Në shumë aspekte këto zgjedhje ishin një mësim i mirë për Shqipërinë. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe kurajo për tu ballafaquar me zgjedhësit dëshmuan për forcën dhe vitalitetin e këtij shteti të ri për të refuzuar një pushtet artifical. Shqipëria nga ana tjetër ka shkuar në ekstrem duke i kthyer zgjedhjet në një farsë të shëmtuar.

Zgjedhje pas zgjedhjesh na është ngulitur mesazhi që ky vend nuk bëhet… dhe pse… sepse nuk bën dot një palë zgjedhje normale e jo më që të vazhdojë më tej. Në 30 vite të pluralizmit në Shqipëri, në emër të pushtetit, nga të gjitha forcat politike gjëja që është dëmtuar më shumë ka qënë deformimi i vullnetit të zgjedhësve. Përmes këtij deformimi ka ndodhur dhe shfrytëzimi pa skrupuj i pushtetit dhe strukturave të shtetit. Militantë nga të gjitha ngjyrat kanë njohur vetëm vullnetin e partisë dhe jo forcën e ligjit, duke i bërë dhe ato pak reforma për administratën shtetërorë si akte pa vlerë. Vit pas viti njerëzit kanë përligjur në heshtje apo me zë çdo padrejtësi. Disa nga varfëria, disa të kapur nga interesat personale apo të tjerë nga bindja e verbër karshi partisë duke humbur çdo objektivitet në zgjedhjen e tyre. Kosova na tregoi për vlerat e larta të qytetarisë, për mungesën e kompromisit me korrupsionin, me padrejtësinë apo me vënien në rrezik të së ardhmes së vendit dhe shpresën e të rinjve.

Na dëshmoi që qëndresa në parime është korniza ku fillon ndërtimi i të ardhmes në një vend, na dëshmoi që nuk bëhen pazare me votën e qytetarëve dhe nuk bëhen kompromise kundër ecjes përpara drejt demokracisë. Në Shqipëri, të rinjtë, më shumë se çdo pjesë e shoqërisë, duan që vendi të eci përpara. Ata duan një shtet që të funksionojë, duan që meritokracia të funksionojë, korrupsioni të luftohet dhe drejtësia të mos ndëshkojë vetëm të dobëtit. Jemi të lodhur nga propaganda pa fund, nga premtimet boshe dhe mbi të gjitha nga mungesa e seriozitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve, ndaj ligjit dhe të ardhmes së përbashkët. Në Shqipëri ka vite që mbahet një parlament pa opozitë apo me një “opozitë gjysmake” vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet një forcë politike.

Realizuam zgjedhjet lokale vetëm me një parti dhe ku morën pjesë 21.6 % e numrit të zgjedhësve dhe prapë pushteti vijoi me tej pa çka se standardet e demokracisë janë nëpërkëmbur. Nuk pati asnjë reflektim dhe skandalet me abuzimin e pushtetit vazhdojnë si pa të keq. Dhe ja ku jemi, Kosova festoi vitin e 13 të pavarësisë dhe ja doli të sjelli në pushtet një forcë të re politike, ku shpresa e shumë qytetarëve që e votuan është që demokracia dhe shteti i të drejtës të zhvillohet. Që Kosova të bëhet një vend i mirë për njerëzit që jetojnë dhe mirëqënien duan ta gëzojnë në vendin e tyre dhe jo përtej kufijve. Jam e bindur që si unë dhe shumë shqiptarë do të dëshironin që zgjedhjet e 25 prillit të ishin të tilla.

Të zhvilloheshin të rregullta dhe pa manipulime, ku qytetarët të ndienin normalitetin në një proces rutinor zgjedhor, dhe ku vota e tyre do respektohej dhe numërohej siç duhej. Mësimi që erdhi nga zgjedhjet e fundit në Kosovë të shërbejë për të zgjuar sadopak ndërgjegjen e politikanëve shqiptarë, të zgjojë tek të rinjtë shpresën për qëndresë dhe luftë ndaj veseve të pushtetit. Ti frymëzojë ata që ta duan vendin e tyre dhe në çdo hap të punës dhe përpjekjeve të tyre të udhëhiqen nga parimet dhe vlerat më të larta njerëzore. Është një mësim i madh që lidhet jo me peshën e viteve të një shteti por me forcën që shteti ka për të ndërtuar vetveten dhe Kosova na e dha këtë mësim.