Më 21 nëntor të rinjtë pjesëmarrës të Tirana Digital Rights Festival mbajtën sesionin e tyre të Youth Led Digital Rights Talk të titulluar “Privatësia në erën digjitale”. Tirana Digital Rights Festival është projekt i cili realizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë.
Youth Led Digital Rights Talks janë një seri bashkëbisedimesh rinore të drejtuara nga pjesëmarrësit e projektit Tirana Digital Rights Festival, të cilët prej një muaji ndjekin seancat e mentorimit në drejtimet:
- GDPR dhe mbrojtja e të dhënave personale
- Siguria Digjitale
- Kuadri ligjor shqiptar mbi të drejtat digjitale
Përmes diskutimeve të strukturuara me të rinjtë, seritë e Youth Led Digital Rights Talks synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit mbi të drejtat digjitale si dhe përfshirjen e të rinjve si promotorë aktiv të tyre.
Në këtë sesion, të rinjtë tanë prezantuan për audiencën nocionet kryesore të General Data Protection Reguation, me theks tek të drejtat e privatësisë të garantuara në këtë kuadër ligjor, si dhe ndanë me pjesëmarrësit disa fakte, informacione dhe këshilla praktike për rritjen e privatësisë së tyre në përdorimin e motorrëve të kërkimit, adresave elektronike si dhe menaxhuesve të fjalëkalimeve. Përgjatë prezantimit, të rinjtë paten mundësi të qartësojnë njohuritë e tyre mbi cookies dhe menaxhimin e tyre, si dhe u njohën me një matricë të thjeshtuar për vlerësimin e parametrave të privatësisë që ofrojnë platforma të ndryshme në internet.
Në përfundim të prezantimit, të rinjtë pjesëmarrës u përfshinë në një diskutim të hapur mbi rëndësinë e respektimit të privatësisë së përdoruesve të internetit. Mes pjesëmarrësve kishte konsensus për nevojën e rritjes së ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e privatësisë së të dhënave të përdoruesve si dhe të promovimit të lundrimit privat në internet.
Ky sesion i Youth Led Digital Rights Festival do të pasohet nga dy të tjerë në data 1 dhe 9 dhjetor, ku të rinjtë e mentoruar në kuadrin ligjor shqiptar mbi të drejtat digjitale dhe në drejtimin e sigurisë digjitale do të informojnë dhe përfshijnë në diskutim të rinjtë pjesëmarrës në temat:
- Sfidat dhe perspektivat e përafrimit të legjislacionit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale me atë të bashkimit evropian, 1 dhjetor. Linku për t’u regjistruar për eventin aksesohet këtu.
- Integriteti në erën digjitale.