Marlin Muça

Shumë thonë se arritja më e madhe e Djallit është të bërit njerëzit të besojnë se ai nuk ekziston. Kjo paradigmë për të shpjeguar të gjitha fatkeqësitë, gjakderdhjet dhe dramat më të mëdha që njeriu i ka sjellë njeriut, rishfaqet në realitetin shqiptar në formën e dilemës tragjike të të votuarit ose jo. Kjo dilemë bëhet akoma dhe më e fortë kur vijnë zgjedhjet, atëherë kur rotacioni me vazhdimësinë e një pushteti autokrat, garojnë kokë më kokë me njëri tjetrin.

Në Shqipëri, zhgënjimi ndaj realitetit të këtij tranzicioni po përdoret nga propaganda si një shkak për të justifikuar mosvotimin, a thua se jetojmë në fillimin e shekullit të 20 kur grevat e mëdha ndryshonin fatet politike të një vendi. E vërteta është se për një vend anëtar të NATO dhe pretendent për të aderuar në Bashkimin Europian, çdo ndryshim politik vjen nëpërmjet zgjedhjeve.

Gjatë viteve të fundit, vendi ynë ka kaluar në një vorbull trazirash politike dhe sociale, të cilat pa ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar mund të rrëshqisnin dhe në një konflikt civil. Por do të ishte pikërisht ky faktor ndërkombëtar dhe një sërë konjukturash të tjera të padukshme, ato që do të bënin të mundur dialogun mes palëve në konflikt dhe zbutjen e pasojave për stabilitetin social në Shqipëri.

E thënë troc, status quo-ja politike europiane, rendi i demokracive liberale që prevaloi pas luftës së dytë botërore dhe luftës së ftohtë, nuk pranon ndryshime të atilla politike që lindin nga dhuna dhe konflikti civil. Partnerët ndërkombëtarë do ta pranonin stabilitetin shiptar edhe nëse kjo vjen me çmimin e një autokracie që garantonm e me forcën e dhunës, paqen dhe stabilitetin.

Në këto kushte, mjeti i vetëm i ndryshimit është vota. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse ne nuk votojmë për të bërë të mundur rotacionin e pushtetit, e për pasojë ndryshimin e disa politikave në qeverisje. Bojkoti nuk do ta ndërgjegjësojë pushtetin për të korrigjuar sjelljen e vet pas 8 viteve konsumi të jashtëzakonshëm politike. Mosvotimi masiv nuk do të sjellë një klasë të re politike në të ardhmen e afërt.

Nëse ne nuk votojmë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse vëmë në rrezik pluralizmin politik dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Një pushtet i paaftë për ndryshuar kurs pas 2-3 vitesh protestash të fuqishme partiake dhe qytetare, nuk do t’i bjerë në sy nëse votuan 20 apo 50 përqind e zgjedhjeve. Sistemi ku kemi zgjedhur të jetojmë ka parashikuar votën si mjetin e vetëm të ndryshimit. Aktualisht, vota është e drejta e vetme e pacënuar akoma plotësisht nga një shkelje masive të lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë viteve të fundit.

Nëse reagimin qytetar, ne zgjedhim ta shpërdorojmë duke bojkotuar në mënyrë idiote shansin e fundit  për ndryshim, këto do të jenë zgjedhjet e fundit ku ne do të votojmë.

Asnjë çekosllovak nuk e dinte ne 1945 se qeveria e dalë nga lufta e dytë botërore do të ishte qeveria e fundit e dalë nga vota e lirë. Shumë pak rusë e kuptuar se fundi viteve 90 do të ishte fundi i një demokracie të palindur mirë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Qarqe të caktuara politiko-mediatike po tentojnë ta shesin zhgënjimin e shqiptarëve me qeverinë si një nihilizëm që bie mbi të gjithë klasën politike. Me këtë ata synojnë të mos i lënë shqiptarët të votojnë duke i premtuar se një klasë e re politike do të vijë nëse ne presim. Duke pritur të piqen kushtet, do të na kalben dëshirat. Do të rrëgjohet edhe pak kjo demokraci e brishtë që kemi dhe Shqipëria do të bjerë në një spirale të rrezikshme që për pak vite do të na kthejë vetëm në një nocion gjeografik. Asnjeherë më parë në këto 30 vite që kemi lënë pas, pjesëmarrja në zgjedhje nuk ka qenë kaq e rëndësishme.