Kristaq Ciko
Panem et circenses, e thënë në latinisht ndoshta nuk na thotë asgjë, ama nëse e përkthejmë në shqip atëherë na del një shprehje e njohur të cilën e kemi hasur shpesh në retorikën e politikanëve shqiptarë, por edhe në panele të ndryshme televizive sa herë bëhet fjalë për emisione të shumëndjekura nga publiku, apo çfarëdo aktiviteti që tërheq vëmendje masive. Bukë dhe cirk është simotra në shqip e kësaj devize të lashtë, e cila më shumë se thjesht një shprehje e thënë nga poeti romak Decimus Junius Juvenalis, në të vërtetë është një parim pragmatik e makiavelist udhëheqjeje, synimi i të cilit është tërheqja e vëmendjes së qytetarëve nga problemet e gjithllojshme me të cilat u duhet të përballen, duke u servirur emisione, spektakle e gjithfarësoj marifetesh televizive, të cilat i bëjnë të harrojnë shqetësimet e përditshme. Kjo parantezë teorike shërben jo aq për të aluduar se qeveria ndikon në ekzistencën e spektakleve të tilla, sepse një pohim i tillë më duket larg realitetit, por për të kuptuar se njerëzit, qysh prej kohësh që s’mbahen mend e kanë ndjerë nevojën për të pasur mirëqenie që në këtë rast përfaqësohet simbolikisht nga buka dhe argëtim, i cili personifikohet me cirkun. Mirëpo, njeriu ka nevojë për çka u tha më lart, por edhe për shumë më shumë. Vërtetë kemi nevojë për “bukë e për cirk”, ama na duhen edhe një pafundësi gjërash për të qenë së pari njerëz e së dyti qytetarë të denjë të vendit tonë. “Buka dhe cirku” na reduktojnë në vegjetues, në konsumatorë televizivë dhe na bëjnë lehtësisht të manipulueshëm. Në këtë kuptim, një popull që mjaftohet me bukë e me cirk meriton të nëpërkëmbet nga politika e nga pjellat e saj.
Kjo “formulë qetësuese” është e vjetër sa vetë bota, pavarësisht se sot u atribuohet specifikisht romakëve të cilët e zbatonin si mënyrë për ta mbajtur popullin e kënaqur dhe larg pakënaqësive që mund të çonin në revolta. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është kurrsesi përçmimi apo stigmatizimi i të gjithë atyre që janë përfshirë nga “fenomeni Big Brother”, sepse mes ndjekësve secili mund të gjejë familjarë e miq të afërm, në mos po edhe veten. Personalisht kam ndjekur aq pak sa më nevojitej për mos ta ndjekur. Njëkohësisht jam i vetdijshëm se këto rreshta të shkruara nga një 24 vjeçar, shëmbëllejnë në sytë e të gjithëve si herezi e snobizëm, por nuk kam si qëllim të transmetoj te lexuesit as njërën e as tjetrën. Motivi që më nxiti ta shkruaj këtë këndvështrim timin rreth një teme si kjo është krejt tjetër dhe shpresoj se cilido që do t’i shkojë deri në fund këtyre rreshtave do dakordësohet me mua, në thelbin e asaj që dua të them.
Në vijë logjike të asaj çka thashë më sipër, duhet së pari të pranoj katërcipërisht se për nga ndjekshmëria dhe impakti që ka pasur te njerëzit BB, në optikën time është me të vërtetë një fenomen televiziv. Mirëpo, nuk është as i pari, sepse ka pasur shumë seriale që në përditshmëri nga njerëzit njihen si ‘telenovela’, të cilat i kanë gozhduar shqiptarët para televizorit dhe i kanë bërë t’i komentojnë për një kohë të gjatë, e për këtë arsye nuk ka për të qenë as i fundit. Ndoshta suksesi i formatit të sipërcituar fshihet pas përfshirjes në të të personazheve të ashtuquajtur VIP, etiketim i cili padiskutim lë vend për debat, mbi atë se a janë vërtetë ata personat “e ngujuar” aty brenda Persona Shumë të Rëndësishëm, siç në të vërtetë përkthehet termi VIP në shqip, apo disa produkte televizive të cilët na shërbehen si modele suksesi ?!
Personalisht mendoj se nuk janë as njëra dhe as tjetera, sepse është e paqartë kush mund të konsiderohet i rëndësishëm në këtë vendin tonë të çudirave, e aq më shumë ata që konsiderohen Shumë të Rrëndësishëm. Gjithsesi, të rëndësishëm apo jo, ata janë të famshëm dhe duke qenë të tillë, janë përzgjedur të marrin pjesë në një emision, i cili në thelb është një eksperiment social, që nxjerr në pah natyrën “kafshërore” të njeriut, në kuptimin metaforik të fjalës, sepse i nxit ata të lidhin aleanca me njëri-tjetrin nëse duan të mbijetojnë sa më gjatë aty brenda, në të kundërt, ‘të veçuarit’ janë ndër të parët që largohen. Në këtë kuptim çdokush mund të gjejë diçka nga e cila mund të mësosh në këtë format, që sulmohet së shumti, por ajo çka lë për të dëshiruar është promovimi i modeleve të gabuara për shoqërinë dhe sidomos për të rinjtë të cilët janë edhe ndjekësit më të madh të BB.
Një rini, e cila po e braktis atdheun në mënyrë sa tragjike, aq edhe të motivuar nga ashpërsia e realitetit, merr si shembull suksesi disa persona që konsiderohen VIP, por që nuk njohin historinë e vendit të tyre, atij vendi që i ka bërë Shumë të Rëndësishëm dhe u ka dhënë privilegjin të dalin në televizione kombëtare për ta shfaqur kombëtarisht injorancën e tyre. Jo vetëm kaq, por ajo çka në këndvështrimin tim është edhe më e dëmshme për të rinjtë e sidomos për ata syresh që vendosin të mos ndjekin “trendin e ikjes” është fakti se këto emisione na shërbejnë si model suksesin e pamerituar, suksesin që vjen shpesh herë pa bërë asgjë për ta merituar. Nga gjithë çfarë thashë më lart, në mendimin tim modest ky është ndoshta dëmi më i madh që po i bëhet sot shoqërisë, ose ndoshta shoqëria po ja bën vetes, sepse askush nuk i detyron njerëzit ta ndjekin.
Si epilog, le të shërbejë shprehja e Viktor Hygoit që thotë: “Franca është djepi i qytetërimit, sepse është djep i revolucionit”. Me këtë nuk dua të them se ne kemi nevojë për revolucion si ai i francezve kundër Luigjit XVI, por për një revolucion mental, çka do të na bënte syhapur e mendjeçelët, për ta kuptuar se siç protestuam për Luizin e BB, duhet të protestojmë edhe për thikën që na ngulet në kockë, por që nuk e ndjejmë sepse jemi hipnotizuar.