Më 26 maj, SCiDEV zhvilloi finalen e Edicionit IV të Debatit Universitar. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të Laboratorit të Debatit Universitar – Nga Fjala Tek Veprimi, pjesë e Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, i realizuar me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.

Skuadrat finaliste nga Universiteti Ismail Qemali Vlorë dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë zhvilluan debatin e fundit të këtij edicioni përballë audiencës së përbërë nga studentë debatues dhe alumni të Debatues ndër vite.

                   

Nga shorti i hedhur me temat e paketës kërkimore, tema e debatit mes skuadrave ishte “Binjakëzimi i universiteteve shqiptare do të ulë tendencën e largimit të të rinjve nga vendi” ku  skuadra nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë mbajti qasjen pro, ndërsa Universiteti Ismail Qemali Vlorë qasjen kundër.  Kurse në debatin mes liderve, liderët e skuadrave debatuan temën “Shqipëria duhet të investojë në marrëdhëniet me diasporën dhe jo në politika për reduktimin e emigracionit në vend.” Krahas përballjes debatuese, përgjatë eventit u zhvillua një panel me përfaqësues të rrjetit ALUMNI, të cilët ndanë përvojat e tyre gjatë këtij edicioni dhe nxitën të rinjtë në audiencë të përfshihen në kompeticione të ngjashme debati.

Debati mes skuadrave

Në debatin mes skuadrave skuadra e Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë mbrojti qasjen pro duke argumentuar se binjakëzimi i universiteteve shqiptare me ato evropiane do të ulë incentivën e të rinjve për t’u larguar për një shkollim më të mirë, dukeqenë se universitetet shqiptare do të rrisnin cilësinë e tyre dhe diplomat do të ishin po aq konkurruese sa ato evropiane. Skuadra e mbështeti argumentin ndër të tjera edhe duke iu referuar Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026. Skuadra opozitare e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë kundërargumentoi se binjakëzimi i universiteteve nuk nënkupton në mënyrë direkte se cilësia e arsimit do të rritet dhe se motivi kryesor i largimit të të rinjve nga vendi më shumë se dëshira për një arsim më të mirë, është niveli më i lartë i pagave që ofrohen në vendet evropiane. Kundërargumentave të skuadrës opozitare, skuadra afermative iu përgjigj duke evidentuar se niveli i pagave të shqiptarëve të punësuar jashtëvendit është shumë më i ulët se paga mesatare në vendet ku ata emigrojnë.

Debati mes liderve

Në debatin mes liderve Indrit Lita, lider i skuadrës debatuese të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Abel Brahusha, lider i skuadrës debatuese të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë debatuan temën “Shqipëria duhet të investojë në marrëdhëniet me diasporën dhe jo në politika për reduktimin e emigracionit në vend.”. Lideri afermativ, Abel Brahusha mbrojti qasjen pro investimit të politikave për nxitjen e bashkëpunimit me diasporën duke e bazuar argumentin në numrin e lartë të diasporës shqiptare si dhe rëndësinë e remitancave për kontekstin shqiptar. Lideri opozitar, Indrit Lita e kundërshtoi tezën e debatit duke theksuar rëndësinë që politikat për frenimin e emigrimit masiv të vendit në kushtet kur Shqipëria rrezikohet nga shpopullimi. Ai shtoi se “nëse  nuk do të kemi politika të parandalimit të emigrimit masiv, rrezikojmë që e gjithë popullsia shqiptare rrezikon të kthehet në diasporë.”

Paneli diskutimi: Laboratori Universitar ndër vite

Ndërsa juria e debatit u tërhoq për marrjen e vendimit, audienca u përfshi në një diskutim e panelin e alumnive të debatit universitar ndër vite, të cilët ndanë përvojat e tyre si debatues dhe si anëtarë të angazhuar të rrjetit alumni. Alumni Enri Koçi ndau me audiencën disa nga momentet më pikante të eksperiencës së tij si debatues në edicionin e kaluar të debatit dhe duke ndarë përvojën si asistent i mentores në rang Universiteti për skuadrën e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në këtë edicion debatues.  Ndërkaq, Eneja Allmuça, anëtare e skuadrës së Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në këtë edicion të debatit, frymëzoi audiencën duke ndarë me ta se si pjesëmarrja në kompeticionin e debatit e ndihmoi të mposhte frikën e të folurit në publik. Paneli u mbyll me fjalën e Lili Doda, alumni e debatit universitar prej 2 vitesh, e cila ndau mesazhin e rëndësisë së angazhimit të të rinjve për fuqizimin e kapaciteteve të tyre si profesionistët e ardhshëm të vendit.

Dhënia e vendimit, komentet e jurisë  dhe ndarja e çmimeve

Në përfundim të panelit me alumni të debatit universitar, juria ndau përshtypjet e saj me skuadrat finaliste. Juria përgëzoi qytetarinë dhe etikën e demonstruar përgjatë gjithë kohëzgjatjes së debatit dhe falenderoi skuadrat për emocionet pozitive dhe argumentat e prezantuara. Në komentet e tyre juria vlerësoi veçanërisht performancën e liderve dhe e folësve të treta të të dyja skuadrave të cilat e mbërthyen vëmendjen e audiencës me fuqinë e tyre argumentuese dhe aftësitë oratorike.

Me një diferencë të ngushtë, juria shpalli Universitetin Ismail Qemali Vlorë skuadrën fituese të Laboratorit Universitar të Debatit.

Kontekst

SCiDEV implementon për të katërtin vit rradhaz Laboratorin e Debatit Universitar – Nga Fjala Tek Veprimi, i cili realizohet në kuadër të Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”.

Përgjatë këtyre 4 edicioneve, SCiDEV e ka shtrirë debatin universitar në 14 universitete publike e private nga 5 qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku rreth 500 studentë kanë përfituar nga trajnimet e Programit të Zhvillimit të Kapaciteteve dhe janë përfshirë në përballjet debatuese në rang institucioni dhe midis universiteteve të tjera të programit. Ndërthurja e kompeticionit të debatit me platformën e blogut universitar u dha mundësinë +100 studentëve dhe pedagogëve pjesë të programit të publikojnë shkrimet e tyre. Po ashtu, 22 të rinj kanë fuqizuar kapacitetet e tyre në kërkim dhe advokim përmes programit “Nga Fjala Tek Veprimi”. Përmes mentorimit, zhvillimit të kapaciteteve dhe mbështetjes financiare, të rinjtë aktivistë kanë realizuar përballje me politikëbërës, kandidatë për deputetë, prodhuar dokumente politikash mbi ndikimin e COVID-19 në arsimin e lartë, sfidat e digjitalizimit dhe ruajtja e trashëgimisë industriale.

Në këtë edicion të katërt, 12 universitete publike e private nga 5 qytete të Shqipërisë morën pjesë në kampionatin e debatit, nga ku Universiteti Ismail Qemali, Vlorë dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë u kualifikuan në përballjen finale. Paralelisht me programin e debatit, 12 të rinj aktivë pjesëmarrës ne Fushatën “Nga Fjala Tek Veprimi” kanë nisur procesin e mentorimit dhe mbledhjes së të dhënave për tema të lidhura me arsimin, punësimin, vendimmarrjen në arsim, digjitalizimin dhe diasporën, të cilat do të konsultohen me aktorë të shoqërisë civile, grupeve rinore, vendimmarrësve dhe biznesit në Forumin Rinor në 2-3 Qershor të organizuar nga SCiDEV në kuadër të Javës së Shoqërisë Civile me mbështetjen e Qendrës Kombëtare Burimore të Shoqërisë Civile dhe Fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”.

Agenda e Finales