Debati Universitar hapi sot nisjen e përballjeve në rang institucioni duke nisur edhe këtë edicion me përballjen e parë mes skuadrave të Universitetit Ismail Qemali të qytetit të Vlorës. SCiDEv organizoi  këtë debat të parë instituicional të Edicionit të Tretë të Debatit Universitar në kuadrin e projektit të “Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” që mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Prej muajsh mentorja e universitetit Profesoreshë Jonida Mehmetaj ka punuar rigorozisht me studentët pjesëmarrës dhe në nisje të debatit ajo dha inputet e punës me ta dhe falenderoi SCiDEV për organizimin e Debatit Universitar dhe programeve të tjera të kapacitetit dhe trajnimeve për studentët. Ajo shprehu mirënjohjen për vëmendjen që studentët i kanë kushtuar praktikimit dhe përgatitjes në mënyrë të vazhdueshme.

Duke patur 3 skuadra në përfaqësim sipas hedhjes së shorteut një nga skuadrat kreu dy përballje. Skuadra e përzgjedhur ishte ajo e udhëhequr nga studenti Kristaq Ciko.  Pas hedhjes së shortit për temat dhe qëndrimet në temën e përballjes së parë studentët debatuan rreth temës “Vaksinimi anti-COVID19 duhet të jetë me detyrim për qytetarët mbi 18 vjeç” ku skuadra e udhëhequr nga studenti Çajup Shehaj  mbrojti qëndrimin pro dhe skuadra e  udhëhequr nga studenti Kristaq Ciko atë kundër.  Skuadrat sollën argumenta si lokalë ashtu edhe ndërkombëtarë rreth të dhënave të fundit rreth situatës së vaksinimit duke e konsideruar që në krye të herës si një nga temat më aktuale.

Në përballjen e dytë u debatua rreth temës:  “Për të rritur produktivitetin biznesi shqiptar duhet të investojë në burime në njerëzore dhe jo në teknologji”. Në këtë përballje skuadra e udhëhequr nga studentja Blerina Canaj në bazë të shortit mbrojti qëndrimin pro dhe skuadra e udhëhequr nga studenti Kristaq Ciko mbajti qëndrimin Kundër. Në këtë debat studentët dhanë qasjen e tyre rreth spektrit ekonomik duke dhënë shembuj të shumtë ilustrues se si aspekti njerëzor apo teknologjia duhet të jetë themelor për rritjen e produktivitetit dhe maksimalizimin e fitimit nga bizneset shqiptare. Të tre skuadrat treguan seriozitet të lartë,etikë në komunikim,përdorim të mirë të gjestikulacionit dhe gjuhës së trupit dhe oratori në argumentimin e fakteve.Pas përfundimit të përballjeve studentët  u shprehën rreth eskperiencës së tyre me kolegët,mentoren dhe dhanë edhe sugjerime e qasje të tyre gjatë përgatitjes me temat  ku treguan edhe për ato që ju kishin pëlqyer më tepër dhe falenderuan SCiDEV për realizimin dhe përfshirjen e tyre në projekte të këtillë.

Juria e përbërë nga Jonida Mehmetaj (Mentore e studentëve dhe Lektore në UV),Stela Meçe (Lektore në UV( dhe Brisilda Ormeni (Alumni e Edicionit II të Debatit-SCiDEV) vlerësuan të tre skuadrat për oratorinë,sjelljen e argumentave në mënyrë të shkëlqyer dhe seriozitetin e përkushtimin. Pas analizimit të të gjithë elementëve juria shpalli fituese skuadrën e udhëhequr nga studenti Kristaq Ciko e cila do të përfaqësojë Universitetin Ismail Qemali në fazën e ardhshme në përballjet mes 14 institucioneve dhe njëkohësisht përgëzuan gjithë  studentët për arritjen.

Video e plotë