Përgjatë periudhës Janar-Shkurt 2023, IAL pjesëmarrëse në Edicionin IV të Debatit Universitar zhvilluan përballjet mes skuadrave debatuese në rank institucioni. Gjatë kësaj faze të përballjes 26 skuadra debatuese nga 12 Universitete dhe Fakultete debatuan me qëllim krijimin e skuadrave përfaqësuese të IAL respektiv për kompeticionin e debatit që do të zhvillohet mes universiteve në vijim.

Përballjet mes skuadrave debatuese në rang institucioni u zhvilluan si evente të hapura për studentët dhe stafet akademike të universiteteve/fakulteteve, ku skuadrat debatuese, të trajnuara nga SCiDEV mbi formatin dhe parimet e debatit, ndanë argumentat e tyre mbi tema aktuale dhe të prekshme për rininë dhe vendin të lidhura me proceset zgjedhore, sistemin e taksimit, largimin e të rinjve si dhe mbi proceset e ndërkombëtarizimit. Për t’u njohur me temat e edicionit IV të debatit universitar klikoni këtu.

Debatet e realizuara nga skuadrat dhe liderët respektivë u vlerësuan nga juritë, të përbëra nga pedagogë dhe studentë alumni të edicioneve të kaluara të Debatit Universitar. Juritë vlerësuan me pikë performancën individuale të të gjithë folësve të skuadrave debatuese dhe përzgjodhën ata me pikët më të larta duke u bazuar në forcën e argumentit dhe respektimin e parimeve të etikës të secilit prej studentëve debatues. Formati i debatit si dhe kriteret e plota të vlerësimit të përdorura nga juritë vlerësuese gjenden në paketën udhëzuese të debatit e cila mund të aksesohet këtu.

Pas krijimit të skuadrave përfaqësuese të universiteteve pjesëmarrëse në Edicionin IV, studentët debatues të përzgjedhur për të vijuar në fazat e mëtejshme të debatit do të trajnohen për të forcuar kapacitetet e tyre argumentuese dhe do të përgatiten për përballjet mes Universiteteve/Fakulteteve.

Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi zhvillohet nga SCiDEV në kuadër të Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, me mbështetje financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.