Marlin Muca, Debati Universitar Edicioni I dhe II
Dhjetori i këtij viti i gjeti shumë prej nesh në vorbullën e kujtimeve të dhjetorit të kaluar, me gjithë entusiazmin, frikërat, solidaritetin, përcarjen dhe gjithë mishmashin e emocioneve njerëzore që krijoi ai bashkim i madh shpirtrash e shpresash për një Shqipëri më të mirë dhe më të drejtë. Për herë të parë pas 30 viteve, shqiptarët nuk kujtojnë më veç dhjetorin e largët 1990, muajin e pluralizmit dhe shkërmoqjen e frikës ndaj diktaturës, por dhe dhjetorin e studentëve të 2018-ës, dhjetorin e rrëzimit të fasadës se punët në Shqipëri shkonin fjollë dhe problemet ndreqeshin me propagandë në rrjete sociale. Nostalgjisë për këtë apo atë dhjetor i shtohet dëshira për t`i riparë studentët në rrugë. Një dëshirë që përshkon gjithë shoqërinë, prindër, pleq, intelektualë, njerëz të shtresës së mesme. Njerëzit janë të lodhur nga lufta e tejzgjatur politike e këtij viti dhe kërkojnë medoemoes një element të ri në ekuacionin politik, të papërdorur, të pastër dhe të atillë që gëzon mbështetje të gjerë popullore. Të gjithë i duan studentët si kategoria shoqërore që përmbys sisteme dhe ngjiz shpresën e re për një të ardhme ndryshe.
Një tjetër përfytyrim ekziston ndërkohë në rrethet studentore. Të gjithë janë nostalgjikë dhe krenarë për atë cfarë bënë vitin e kaluar, por pak kush ka vullnetin për ta ringritur edhe njëherë po atë lloj fryme. Zhgënjimi dhe mosbesimi te njëri tjetri pengon organizimin efikas mes celulave nëpër Fakultete. Angazhimi politik i disa studentëve pas protestës ka mbjellë farën e dyshimit tek të gjithë dhe i ka lënë vendin konspiracionit të rremë se gjithcka ishte lojë e establishmentit politike e se një lëvizje tjetër studentore nuk do të bënte gjë tjetër veçse do t`i shërbente një pale të caktuar. Ky brez është kaq i fragmentatizuar, kaq i mbushur me urrejtje e mllef karshi njëri tjetrit sa do ta kishin zili dhe politikanët e kësaj klase politike.Tjetër pengesë për një Lëvizje të Dytë është dhe mungesa e theksuar e ndërgjegjes politike ndër të rinjtë. Thirrjet jo politikë vitin e shkuar nuk ishin vetëm urrejtje e belbëzuar keq ndaj kastës politike, por edhe tregues i zbraztise ideologjike që karakterizon të riun shqiptar sot. Kjo indiference patologjike ndja gjithckaje politike në vend plazmon menefregizmin ndaj problematikave shoqëorore, madje dhe ndaj atyre problemeve që prekin konkretisht dhe drejtpërdrejt përditshmërinë e studentëve sot. Zgjidhjet vijne politikisht e për sa kohë të gjithë janë alergjikë ndaj politikës, zgjidhja nuk do të vijë kurrë ose mund të vijë gjysmake, sipas dëshirës dhe oreksit të partisë në pushtet.
Mosbesimi të sho-shoqi dhe vakumi i ndërgjegjes politike sjell si pasojë dhe krizën e besimit dhe vetë evidentimit të liderëve. Çdo lëvizje shoqërore-politike ka patur një apo disa liderë në krye që së bashku formonin avangardën e mendimit politik të masës të cilën ata përfaqësonin. Ajo cfarë u pa në protestën e kaluar ishte mania e ankthshme për të eleminuar liderët kudo ku ata shfaqeshin. Ky pogrom kundër udheheqësve vinte si pasoje e frikës së shitjes dhe tipareve ekstreme makiaveliste me të cilën portretizohen politikanët tanë të këtyre 30 viteve, Vrasja e lidershipit nuk ndodhi vetem në rrafshin nominal, por edhe në atë konceptual. Tashmë mungesa e një strukture organizative zëvëndëzohej nga dhjetra apo qindra naivë që e besonin veten Azem Hajdari dhe jepnin mend për çështje që nuk ia kishin fare haberin. Protesta nuk pati kokë,por u udhëhoq nga qindra të tilla.Tre problemet e parashtruara nga lart bashkë me mijëra të tjera që dolën në pah rrugës, i dhanë protestës një jetë të gjatë e njëkohësisht jo të frytshme. Mospasja e një kreu organizativ na shpëtoi nga kapja e pushtetit për të na lënë peng të gafave tona. Në këtë mënyrë kërkesat nuk u plotësuan pasi nuk kishte një trupë të përbashkët që t`i artikulonte në unison, një strukturë që të përcaktonte me transparencë axhendën e ditëve të protestës apo një Këshill që të caktonte format e përshkallëzimit në rast mosplotësimi të kërkesave. Pavarësisht gabimeve, lëvizja jonë shënon një moment të rëndësishëm në tranzicionin shqiptar. Në atë periudhë u pa qartë alergjia ndaj establishmentit politik. Prej kësaj klasa politike duhet të reflektoje dhe të marrë masat e duhura ligjore dhe politike për stabilizimin e sitautës ekonomike dhe sociale në vend. Historia na mëson se momente të tilla ushqejnë forcat e errëta ekstremiste, të financuara nga qarqe okulte me qëllime dashakeqe ndaj interesave kombëtare.