Gjatë muajit janar u realizuan trajnimet e debatimit për 120 studentë nga 14 institucionet pjesëmarrëse në debatin universitar në edicionin e tretë. Sesionet u zhvilluan në grupe të vogla me 2-4 skuadra për t’ua bërë më të mundshëm komunikimin dhe mundësinë për të bërë pyetje. Këto trajnime kanë si qëllim të parapërgatisin studentët për debatet që do të zhvillohen në muajt në vijim. Dy trajnerët Megi Ruka dhe Adajan Fani përgatitën një material udhëzues debatimi i cili u shfaq për studentët. Konkretisht ata u njohën me rrjedhën e debatit si edhe specifikat e folësve përkatës të shpjeguara metodologjikisht nga Trajnerja Megi Ruka. Ajo fokusoi trajnimet duke shpjeguar specifikisht mënyrën e realizimit të debatit, rregullat,ndarjen e skuadrave dhe rolet e anëtarëve duke cilësuar detyrat e secilit folës dhe si ata mund të bëjnë përgatitjen e tyre për të patur një përformancë sa më të mirë. Ajo shpjegoi se si studentët mund të punojnë në grup duke bërë edhe prova të mëparshme për të qenë sa më të ambientuar me rrjedhën e debatit.
Ndërkohë përpos shpjegimit të roleve specifike të skuadrës studentët u njohën dhe u këshilluan nga Trajneri Adajan Fani me elementët që duhet të përmbajnë argumentat e tyre për të qenë sa më bindëse duke përmendur logjikën e argumentimit,mënyrën e artikulimit të fakteve, mënyrën si mund të përdorin evidencat statistikore si edhe tonacionin e komunikimit.Ai ju dha studentëve këshilla se si të përdorin evidencat,pyetjet retorike dhe ato sugjeruese në mënyrë që ata të bëjnë një debat sa më cilësor.
Të dy trajnerët nënvizuan se përpos përgatitjes së argumentave skuadrat gjithnjë duhet të dëshmojnë respektin e kundërshtarit dhe të tregojnë etikë të lartë në komunikim për ti dhënë debatit rëndësinë e duhur. Ata sugjeruan dhe një sërë modelesh debatesh të disponueshme online nga edicionet e kaluara që studentët mund të ndjekin për të patur një pikënisje dhe një ide referimi. Studentët u shprehën të kënaqur nga këto trajnime pasi mësuan se si të jënë sa më gati për debatin sidomos studentët që janë pjesëmarrës për herë të parë. Këto trajnime u shërbejnë atyre që të përgatiten dhe të zhvillojne debate sa më cilësore për të arritur në faza sa më të larta.
Për të parë:
Materialin Udhëzues të Debatimit- Kliko Këtu
Trajnimin e Mënyrës së Debatimit Online – Kliko Këtu