Esmeralda Hasani, mentore Universiteti Marin Barleti
Shqipëria në arenën ndërkombëtare mbetet një vend i vogël i shtrirë në pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, me një popullsi relativisht të vogël, por me një përhapje relativisht të madhe në diasporë. Rinia shqiptare po përballet me dilema dhe probleme të shumta sociale, ekonomike dhe politike.
Censusi i Popullsisë së vitit 2011, por dhe statistikat e publikuara gjatë këtij 10 vjeçari tregojnë një tkurrje të numrit të popullsisë në Shqipëri, dhe veçanërisht të rinisë shqiptare. Shqipëria numëron 661,365 të rinj dhe të reja të grupmoshës 15-29 vjeç përgjatë vitit 2019-2020, duke përfaqësuar kështu një të tretën (23,2%) e të gjithë popullsisë. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria vijon të mbetet një popullsi e re në moshë, por me një sërë problematikash të saj në kontekstin e integrimit social, ekonomik dhe politik.
Politika e vendit tonë, ende është shumë larg “miqësisë” dhe vendimarrjeve e politikave të duhura për të zbatuar të drejtat e të rinjve dhe të rejave. Një studim i EUROSTAT, tronditi muaj më parë opinionin publik në Shqipëri, ku bazuar në numrin e ikjeve të të rinjve dhe numrit të lartë të azil-kërkuesve drejt vendeve të BE-së, Shqipëria rrezikon të zbrazet në 70 vite. Faktorët të cilët kanë ndikuar në largimet lidhen me një sërë fenomenesh negative që kanë shoqëruar zhvillimin e vendit, si varfëria, papunësia, mungesa e mundësive dhe integrimit, etj.
Papunësia e lartë e të rinjve (33.2%), si dhe përqindja alarmuese prej 32.8% të rinjsh jo të përfshirë në punësim, arsim, trajnim (INSTAT, 2015) e shoqëruar me një dëshirë nga të rinjtë me arsim të lartë për tu larguar nga vendi përbën një prespektivë të errët për të ardhmen e vendit. Disa nga problematikat me të cilat sot rinia shqiptare janë:
- Pjesëmarrja e ulët e të rinjve në proceset vendimarrëse politike.
Kjo vjen si rezultat i një sërë faktorësh si: mungesa e kuadrit ligjor që përcakton detyrimet ligjore dhe politikat qeverisëse që nxisin dhe motivojnë të rinjtë të jenë pjesë aktive në proceset dhe vendim-marrjet demokratike; mangësitë e hasura në shoqata rinore për angazhimin e të rinjëve në shkrim dhe zbatim projektesh; mungesa e bashkëpunimit mes organizatave rinore me grupet e shoqërisë civile, institucioneve apo agjencitë financuese; përfaqësimi i ulët i të rijëve në strukturat e qevërisjes vendore, ku në shumicën e rasteve nuk zbatohet ligji dhe barazia gjinore, por bëhen sipas njohjeve personale apo “dëshirës së mirë dhe vullnetit” të drejtuesve partiakë.
- Niveli i ulët i punësimit dhe mungesa e politikave që mbështesin fuqizimin dhe hapjen e bizneseve rinore, financimin e ideve inovatore dhe programeve të “start-up” nga të rinjtë.
- Një tjetër fenomen që po vihet re vitet e fundit, është dhe rikthimi në atdhe e një pjese të madhe të rinjsh të cilët kanë emigruar në vendet fqinje, dhe kryesisht Greqi dhe Itali. Kjo grup moshë ose ka lindur në këto shtete, ose ka ikur nga Shqipëria në një moshë fare vogël, por janë shkolluar dhe kanë punuar në profesione të ndryshme, duke marrë edukim dhe praktika të mira pune. Por edhe pse mund të kenë fituar aftësi të mira në këto vende, ri-integrimi i tyre në realitetin shqiptar është i vështirë.
Ministria e Mirëqenies dhe Rinisë ka hartuar Planin Kombëtar të Veprimit për Rinisnë (2015-2020), duke vënë theksin në integrimin e të rinjëve në sfera të ndryshme të jetës social, ekonomike dhe ploitike. Në plan janë përcaktuar gjashtë objektiva strategjik për integrimin e rinisë: nxitja dhe pjesëmarrja e të rinjve në proceset, vendimarrjet demokratike; nxitja e punësimit përmes politikave efektive të tregut të punës; shëndeti, sporti dhe mjedisi; edukimi i të rinjve; mbrojta sociale; kultura dhe vullnetarizimi.
Secili objektiv është i specifikuar me plane konkrete, por pyetjet që lindin janë: Sa e përfshirë ndihet rinia shqiptare në realizimin e objektivave të përcaktuara? Sa të rinj kanë marrë mbështetjen financiare për start-up dhe idetë inovatore që ato kanë paraqitur? Sa janë të përfshirë në jetën politike dhe vendimarrje? Nëse realizimi i këtyre objektivave strategjike ka funksionuar, pse sot të rinjtë gjithmonë dhe më shumë po kërkojnë të largohen nga Shqipëria nëpërmjet mënyrave të ndryshme? Pse statistikat tregojnë që numri i përfshirjes së të rinjëve në kriminalitet është rritur?
Rinia është ajo grupmoshë e popullsisë, nga e cila varet e ardhmja e ecurisë së një vendi, e ardhmja e një populli. Mbajta e kësaj pjese vitale të popullsisë dhe që premton shumë për vendin, le të kthehet në angazhimin maksimal dhe vëmendjen kryesore të qeverisë shqiptare, sistemit arsimor, qendrave të trajnimit dhe formimit professional, bizneseve dhe sipërmarrjeve private, OJF-ve, etj, për ta bërë më të lehtë integrimin e tyre në sferën e jetës social, ekonomike dhe politike të vendit. Rinia është “mushkria” e vendit, le ta trajtojmë me kujdesin maksimal, në mënyrë që Shqipëria të mos vuaj nga mungesa e frymëmarrjes.