Impakti i COVID-19 në arsimin e lartë në Shqipëri ishte fokusi i takimit të të rinjve debatues me Znj. Ina Zhupa, kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Vlorë. Ky takim vjen në kuadër të projektit ‘Debati universitar për integrimin: Edicioni 2 – Nga fjala tek veprimi’, realizuar nga SCiDEV me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Katër të rinj debatues kanë realizuar një analizë të impaktit të COVID-19 në arsmimin e lartë në Shqipëri si dhe të programit të Partisë Demokratike për arsimin e lartë në përgatitje të takimit me Znj. Ina Zhupa, Zedhënëse e Partisë Demokratike dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Anxhela Kokoshi, studente në Universitetin Luarasi prezantoi fushatën nga “Fjala tek Veprimi”, projektin dhe të rinjtë debatues të grupit të saj dhe falenderoi Znj. Zhupa për gadishmërinë për tu takuar me të rinjtë dhe për të dëgjuar propozimet e tyre për arsimin e lartë në vend. Zalika Gjomemetaj, studente në Fakultetin e Shkencave Humane Universiteti Ismail Qemali, Vlorë dhe Ilir Brasha, student i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dhe Marlin Muça, student i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës parashtruan analizën e tyre lidhur me ndikimin e pandemisë COVID-19 në arsimin e lartë dhe kërkuan qendrimin e Znj. Zhupa lidhur me shqetësimet e studentëve.
Znj. Ina Zhupa u parashtroi studentëve qendrimet e saj si dhe të Partisë Demokratike lidhur me arsimin e lartë duke e vënë theksin tek cilësia e arsimit të lartë, autonomia universitare, lidhja e kurrikulës me tregun e punës përmes praktikës, investimi në infrastrukturë dhe menaxhimi më i mirë i fondeve. Znj. Zhupa u shpreh e gatshme për të vazhduar komunikimin dhe bashkëbisedimin me të rinjtë.
Takimi ishte i frytshëm edhe për studentët për të zhvilluar më tej analizën, rekomandimet e paraqitura si edhe aftësitë e tyre për tu përballuar me debate live me vendimmarrës. Në përfundim Blerjana Bino, Bashkëthemeluese e SCiDEV dhe menaxhere e projektit, përgëzoi studentët për përgatitjen dhe performancën dhe falenderoi Znj. Zhupa për bashkëpunimin e saj dhe mundësinë për ta mbajtur urën e komunikimit të hapur dhe më tej.