Impakti i COVID-19 në arsimin e lartë në Shqipëri ishte fokusi i takimit të të rinjve debatues me Z. Laert Duraj, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Gjirokastër. Ky takim vjen në kuadër të projektit ‘Debati universitar për integrimin: Edicioni 2 – Nga fjala tek veprimi’, realizuar nga SCiDEV me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Katër të rinj debatues kanë realizuar një analizë të impaktit të COVID-19 në arsmimin e lartë në Shqipëri, punës së qeverisë në këtë drejtim si dhe të programit të Partisë Socialiste.

Anxhela Kokoshi, studente në Universitetin Luarasi prezantoi fushatën nga “Fjala tek Veprimi”, projektin dhe të rinjtë debatues të grupit të saj dhe falenderoi Z. Duraj për gadishmërinë për tu takuar me të rinjtë dhe për të dëgjuar propozimet e tyre për arsimin e lartë në vend. Zalika Gjomemetaj, studente në Fakultetin e Shkencave Humane Universiteti Ismail Qemali, Vlorë dhe Ilir Brasha, student i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dhe Marlin Muça, student i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës parashtruan analizën e tyre lidhur me ndikimin e pandemisë COVID-19 në arsimin e lartë dhe kërkuan qëndrimin e Z. Duraj lidhur me shqetësimet e studentëve.

Duraj u përgjigj në dy cilësi: si kandidat për deputet në Partinë Socialiste dhe si një person i lidhur ngushtë me arsimin e lartë dhe atë profesional. Ai u parashtroi studentëve qëndrimet e tij lidhur me arsimin e lartë dhe atë profesional duke vënë në pah përmirësimet e infrastrukturës, arritjet e reformës së arsimit të lartë, planet e Qeverisë dhe të Partisë Socialiste për të prioritizuar arsimin. Z. Duraj pranoi sfidat e arsimit dhe vuri theksin tek nevoja për një reformë rrënjësore të të gjithë sistemit arsimor dhe jo vetëm atij të lartë duke bërë profilizimin e universiteteve, lidhjen me komunitetet dhe rajonet, tregun e punës dhe përmirësimin e cilësisë. Ai bashkëbisedoi me të rinjtë me vërtetësi dhe larg retorikës politike duke ndarë mendimet e tij personale për sistemin e arsimit dhe mënyrën sesi ai shëh sfidat, arritjet, dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. Z. Duraj i ftoi të rinjtë në një takim fizik dhe me të rinj të tjerë për të ndarë shqetësimet e tyre për arsimin dhe garantoi që do të ishtë zëri i tyre në Parlament sa i takon arsimit si një nga investimet më të rëndësishme që Qeveria mund të bëj.

Takimi ishte i frytshëm edhe për studentët për të zhvilluar më tej analizën, rekomandimet e paraqitura si edhe aftësitë e tyre për tu përballuar me debate live me vendimmarrës. Në përfundim Blerjana Bino, Bashkëthemeluese e SCiDEV dhe menaxhere e projektit, përgëzoi studentët për përgatitjen dhe performancën dhe falenderoi Z. Duraj për bashkëpunimin e tij dhe mundësinë për ta mbajtur urën e komunikimit të hapur dhe më tej.

Video e plotë e takimit.