Impakti i COVID-19 në arsimin e lartë në Shqipëri ishte fokusi i takimit të të rinjve debatues me Z. Ervin Bushati, Deputet aktual i Parlamentit të Shqipërisë dhe njëkohësisht numri 3 në listën e Partisë Socialiste për Tiranën për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ky takim vjen në kuadër të projektit ‘Debati universitar për integrimin: Edicioni 2 – Nga fjala tek veprimi’, realizuar nga SCiDEV me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Katër të rinj debatues nën mentorimin e Dr. Erida Curraj kanë realizuar një analizë të impaktit të COVID-19 në arsmimin e lartë në Shqipëri, punës së qeverisë në këtë drejtim si dhe të programit të Partisë Socialiste.
Silvana Rusi, studente në Institutin e Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës prezantoi fushatën nga “Fjala tek Veprimi”, projektin dhe të rinjtë debatues të grupit të saj dhe falenderoi Z. Bushati për gadishmërinë për tu takuar me të rinjtë dhe për të dëgjuar propozimet e tyre për arsimin e lartë në vend. Dhimitri Çipi, student në Universitetin Europian të Tiranës dhe Marime Gjoka, studente në Fakultetn e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, parashtruan një analizë të situatës lidhur me autonominë e universiteteve publike, menaxhimin e fondeve, situatën me konvitetet, mësimin online, diplomimin në kushtet të pandemisë dhe të tjera shqetësime të studentëve lidhur me ndikimin e COVID-19 në arsimin e lartë duke i kërkuar Z. Bushati perspektivën e tij për këto elementë, punën e deritanishme sidomos me Paktin për Universitetin si edhe planet e Partisë Socialiste për t’i adresuar ato nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit 2021 në një mandat të tretë. Ndërkohë, Iris Beqiri, studentë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, bëri një përmbledhje të diskutimit dhe të propozimeve të përgatitura nga të rinjtë për arsimin e lartë. Ndër të tjera të rinjtë sugjeruan ndryshimet e nëvojshme në legjislacion për mësimin online ose të ndërthurur, investime në biblioteka digjitale, lidhjen me praktikën, transparencën e fondeve etj.
Bushati u parashtroi studentëve qendrimet e tij si dhe të Partisë Socialiste lidhur me arsimin e lartë duke e vënë theksin tek arritjet e qeverisë në këto 8 vjet me mbylljen e universiteteve që nuk përmbushën kontrollin ligjor e cilësor, kryerjen e reformës së arsimit të lartë, përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë, njohjen e diplomave shqiptare në tregun e punës Europian e më gjerë etj. Ai gjithashtu theksoi se ka ende hapësira sidomos në kushtet e reja të digjitalizimit dhe post COVID-19 dhe se këto sfida nuk janë vetëm për Shqipërinë. Ai vlerësoi përgatitjen e të rinjve dhe faktin që debate cilësore dhe konstruktive rreth kësaj teme me kaq rëndësi po bëheshin tashmë nga të rinjtë në mënyrë të pavarur. Z. Bushati mirëpriti sugjerimet e studentëve dhe konfirmoi interesin e tij për ta vazhduar komunikimin me ta. Ai gjithashtu mirëpriti edhe dokumentin e politikave me rekomandimet e të rinjve.
Takimi ishte i frytshëm edhe për studentët për të zhvilluar më tej analizën, rekomandimet e paraqitura si edhe aftësitë e tyre për tu përballuar me debate live me vendimmarrës. Në përfundim Blerjana Bino, Bashkëthemeluese e SCiDEV dhe menaxhere e projektit, përgëzoi studentët për përgatitjen dhe performancën dhe falenderoi Z. Bushati për bashkëpunimin e tij dhe mundësinë për ta mbajtur urën e komunikimit të hapur dhe më tej.