Rivitalizimi i Korridorit Hekurudhor Shkodër-Durrës-Vlorë si pjesë e harruar e trashëgimisë industriale “1 Day 3 Stops” (Shkodër-Durrës-Vlorë).
Arsyeja e përzgjedhjes së kësaj pune kërkimore vjen si një nxitje për të ‘zgjuar’ interesin e individëve të fushave të ndryshme mbi rolin dhe rëndësinë e trashëgimisë industriale. Trashëgimia industriale nuk është vetëm një trashëgimi e disa mbetjeve industriale ndër shekuj, por ajo ka të bëjë me identitetin, kujtesën, traditat dhe lëvizjet e punës, ajo i përket qyteteve, vendeve dhe transformimeve të tyre. Për ta konkretizuar trashëgimia industriale është studimi i strukturave fizike të aktiviteteve industriale të së shkuarës dhe shoqërisë së industrializuar në një qytet/rajon.
Bazuar në eksperiencat e vendeve perëndimore mbrojtja e trashëgimisë industriale bazohet në vlera universale sepse ato janë një dëshmi e veprimtarive që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë pasoja të thella historike.
Në shumë vende të botës trashëgimia industriale është ende në përdorim dhe industrializimi është ende një proces aktiv me një ndjenjë të vazhdimësisë historike. Nisur nga kjo qëllimi i punimit është realizimi i një studimi mbi trashëgiminë industriale në Shqipëri, duke u fokusuar në rolin dhe rëndësinë e trashëgimisë hekurudhore,konkretisht në korridorin hekurudhor Shkodër-Durrës-Vlorë.
Vëzhgimi nga afër i gjendjes së stacioneve hekurudhore në tre qytetet, mbledhja e informacionit online ose në terren (foto; intervista,etj ) kanë qenë pikat kryesore ku është mbështetur realizimi i këtij studimi i cili hulumton edhe nëpër kuadrin ligjor për të zbuluar mbështetjen që ai i jep Trashëgimisë Industriale .
Ky studim ka një rëndësi të madhe sepse nëpërmjet tij bëhet një përmbledhje e përgjithshme e gjendjes në të cilën ndodhet transporti hekurudhor në Shqipëri. Studimi është i nevojshëm pasi si rrallë herë, ai merr në kosideratë transportin hekurudhor i cili është lënë në harresë. Ky propozim vjen si plotësim i nevojës për të zhvilluar forma të reja të turizimit në vend, në përmbushje të strategjisë kombëtare të turizmit. Realizimi i këtij propozimi për më tepër, do të sjelli reduktim e trafikut dhe uljen e aksidenteve rrugore, pasi transporti hekurudhor është një nga format më të sigurta të transportit. Investimet publike në infrastrukturën e transportit hekurudhor kontribuojnë në rritjen e normës së PBB-së, e vërtetuar edhe nga instituti “Finance Think.
Studimi sugjeron tre pika kryesore për zgjidhjen e problemeve të identifikuara
- Njësia e infrastrukturës hekurudhore, duhet të organizojë punën për mirëmbajtjen dhe riparimin e linjës hekurudhore dhe riparimin e vagonëve të udhëtarëve në stacionet e qëndrimit.
- Ndërtimi i një projekt propozimi për rikonstruktimin dhe promovimi i tij tek donator të ndryshëm dhe dërgimi i projekt-propozimit Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe bashkive në tre qytetet.
- Zhvillimi i mbledhjeve me qëllim përcjelljeje e një bindjeje të përgjithshme tek qytetarët; organet e pushtetit vendor dhe jo vetëm, lidhur me rëndësinë e restaurimit dhe vënien në jetë të linjave hekurudhore.
Nga realizimi i kërkimit në terren për rëndësinë dhe vitalizimin e transportit hekurudhor Shkodrës, Vlorës dhe Durrës rezulton se mungesa e investimeve dhe mospërdorimi nga ana e qytetareve ka ndikuar në reduktimin e orareve dhe të punonjësve në këtë sektor. Nga bashkëbisedimi me punonjësit e mirëmbajtjes së shinave të trenit shprehen se ky është një ndër transportet më të sigurta, por mosvlerësimi dhe mosinvestimi nga ana e aktorëve ka ndikuar që situata e sistemit hekurudhor të degradojë nga viti në vit. Nga studimi në terren dhe personat e marrë në intervistë rezultoi se informacioni mbi trashëgiminë industriale ishte pak ose aspak, pasi nuk kishin njohuri që sistemi hekurudhor është pjesë e trashëgimisë kombëtare të një vendi. Qytetarët e intervistuar shprehën që vitalizimi i trenit do të ishte një benefit dhe ata e dëshironin një gjë të tillë.
Nisur nga këto rezultate të punës kërkimore hapat e mëtejshme janë:
- Promovimi dhe prezantimi i konceptit të trashëgimisë industriale nëpër qytetet në saj të reklamave.
- Rishikimi i ligjit për trashëgiminë kulturore duke kërkuar përfshirjen e trashëgimisë industriale si pjesë e veçantë e ligjit.
- Propozimi që në secilin qytet të marrë në studim të rritet investimi në këtë sektor duke promovuar transportin hekurudhor si një nga format më të mira të transportit.
- Krijimi i guidave turistike mes qyteteve duke promovuar turizmin industrial mes qyteteve.
- Në çdo stacion hekurudhor të bëhet alternimi mes mënyrave të tjera të transportit psh. në qytetin e Durrësit nisur nga pozicioni i stacionit mes portit detar dhe terminalit mund të krijohet një bashkëpunim mes tyre psh. turistët sapo mbërrijnë në portin e Durrësit, marrin trenin dhe nisen për në Vlorë në saj të një guide turistike duke promovuar kështu edhe pika të shumta në vendin tonë.
Raporti analitik mund të shkarkohet në link.
Autorë: Shefqet Hoxha, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlora; Loreta Çermelim, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; Kristina Lata, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
Mentoruar nga Dr. Erida Curraj, SCiDEV
Pikëpamjet në këtë raport janë të autorëve dhe jo domosdoshmërisht të SCiDEV apo OSFA