Dr. Erida Curraj flet për iniciativën e re “Ne Gratë”   —

  • Çfarë është “WE Women” (Ne Gratë)?

Një iniciativë për krijimin e një platforme për frymëzim, mbështetje, rrjetëzim dhe fuqizim të vajzave dhe grave. Është një rrjet që bashkon vajza dhe gra të suksesshme në akademi, biznes, sektor publik dhe privat për të shkëmbyer përvojat e tyre, për të diskutuar se si të kapërcehen pengesat që ekzistojnë në rrugën e suksesit, që japin këshilla dhe frymëzojnë vajza dhe gra të reja për të ndjekur ëndrrat e tyre. Aktiviteti i parë i këtij rrjeti u lehtësua nga dy organizata jo fitim prurëse (Qendra Shkëncë dhe Inovacion për Zhvillim dhe KS Faktor), por rrjeti është i hapur për organizata, grupime dhe këdo tjetër i interesuar për të fuqizuar vajzat dhe gratë.

 

  • Si lindi ideja e “WE Women” (Ne Gratë)?

 

Iniciativa për këtë platformë buron nga pasioni dhe idealizmi, nuk mbështet aktualisht nga donatorë apo projekte, por vjen si një sipërmarrje e një grupi vajzash të reja, gra në profesion që synojnë të krijojnë hapësira dhe mundësi për vajza dhe gra të tjera.

Filloi nga një bisedim spontan mes mikeshave të mia. Ne shpesh ngremë pyetjet pse gratë paguhen më pak se burrat për të njejtin pozicion pune? Barazia e mundësive a është utopi? Pse ne kemi kaq shumë veprim dhe kaq pak zë? Si të promovojmë modele të suksesit? Si të forcojmë vlera të shëndeshme? E të tjera si këto dhe kështu menduam pse mos ta fillojmë nga vetja për të bërë një ndryshim sado të vogël.

Në eksperiencën time 12 vjeçare ne fushën e biznesit midis Azisë dhe Europës dhe 4 vitet e fundit me projektet europiane kam takuar vajza dhe gra me integritet, vendimmarrëse, drejtuese, menaxhuese por zëri i tyre degjohet më pak, ndërkohë që veprat e tyre në shoqëri janë për tu admiruar. Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8 Mars vendosëm të fillojmë të hedhim hapin tonë, duhet të festonim arritjet dhe aspiratat e grave, pasionin e tyre, udhëheqjen, veprimet dhe integritetin, por edhe të bashkonim forcat për të mbështetur njëra tjetrën për më tej. Si fillim u mbështetëm nga dy organizatat: SCiDEV dhe KS Factor dhe nga Europe House që na mundësoi mjedisin.

 

  • Cila ishte e veçanta e organizimit?

Aktiviteti solli sëbashku rreth 60 vajza, gra dhe burra që i përkasin fushave të ndryshme akademike, politike, sociale, bizneset e të tjerë. Vajzat edhe gratë pjesëmarrëse vinin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, me status të ndryshëm social-ekonomik dhe profile e përvoja të larmmishme.Takimi u zhvillua në formën e bashkëbisedimit, ku 8 folëset ndanë përvojën, idetë dhe mesazhet e tyre me tema shumë ngjyrëshe  nga: 1) akademia, 2)të rinjte 3)sociale 4)kulturore 5)biznesi 6) dizajni 7)mbrojtja e kafshëve 8) start up. Prezantimet e tyre shumë të ndjera, të pasura me eksperiencë e mundime, na dergonin mesazhe motivuese dhe frymëzuese dhe u pasuan nga bashkëbisedemi me pjesëmarrësit dhe mesazhe nga të pranishmit.  Pjesa e dytë e aktivitetit u zhvillua me takime bilaterale apo në grup për të mundësuar rrjetëzimin dhe u diskutuan ide për aktivitetet e ardhshme.

 

 

  • Planet për të ardhmen? Cila eshte e ardhmja e tij e rrjetëzimit?

Ky është aktiviteti i parë dhe që synon të bëhet periodik. Ky aktivitet bazohet edhe në përvojat e mëparshme që organizatorët kanë pasur: Psh KS Faktor i përkushtohet mbrotjes së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Ndërsa Qendra Shkëncë dhe Inovacion për Zhvillim ka punuar më shumë me sektorin e arsimit të lartë, kërkimit dhe shoqërisë civile për të fuqizuar dhe zhvilluar kapacitetet e kërkuesve dhe studentëve. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë ne këtë drejtim. Krahas krijimit të rrjetit, shumë shpejt do të dalim edhe me një publikim për promovimin e rasteve të suksesit si frymëzim për vajzat dhe gratë e tjera. Rrjeti do të zgjerohet më tej dhe do të vazhdoj të këshilloj dhe frymëzoj vajza dhe gra të reja për të ndjekur ëndrrat e tyre.

 

  • Si mendoni se kjo do të ndihmoj në kauzën e të drejtave të grave në Shqipëri?

Sfidat e vajzave dhe grave janë të shumta dhe jo vetëm në Shqipëri. Natyrisht që ka iniciativa të tjera dhe për tu vlerësuar në këtë drejtim. Ne mbështemi tek arritjet e deri tanishme, tek përvoja e organizatave të tjera dhe synojmë të japim kontributin tonë përmes pozitivitetit, përmes promovimit të modeleve dhe përmes frymëzimit. Kjo është si të thuash pjesa ‘soft’ e fuqizimit të vajzave dhe grave, por ne besojmë se përmes promovimit të modeleve, përmes bashkëpunimit, mbështetjes së njëra tjetrës, inkurajimit dhe frymëzimit, mund të bëjmë ndryshimin. Nuk jemi vetëm vajza dhe gra, jemi njerëz, pavarësisht gjinisë, që jemi bërë bashkë për këtë kauzë. Mesazhi im është që secili është unik, secila grua është unike, dhe mund t’ia ndali mbanë sa kohë beson tek vetja, punon fort dhe ka rrjet që e mbështet. Mesazhet e pjesëmarrësve ishin të shumta. Psh, Blerjana Bino theksoi rolin e fuqizimit të vajzave dhe grave si pavarësi, emancipim, pjesëmarrje dhe edukim. Ajo theksoi se: “edhe nëse nuk e gjeni rrugën tuaj, bëjeni vetë atë, do të ketë ulje dhe ngritje, por është udhëtimi juaj, me integritet, profesionalizëm dhe duke mbështetur njëra tjetrën mund tia dalim. Fuqizimi ka impakt vetëm kur është mundësues edhe për të tjerët, pra ne që jemi më mirë të pozicionuar kemi përgjegjësinë për të ndihmuar dhe krijuar hapësira për të tjerët.” Lutjona Lula: “Nisur nga rrugetimi im dhe historia personale e themelimit të ESN Tirana, këshilla që kam për vajzat e reja të cilat ndeshen me vështirësi gjatë rrugës së tyre është të jenë resiliente ndaj këtyre vështirësive. Resilienca është fuqizim jo vetëm për individin, por edhe shoqërine. Në këtë panel ndihem e nderuar dhe përulem para historive të tilla.” Greta Xheka, një vazjë e re në sipërmarrje, e vuri theksin tek puna dhe vullneti për të realizuar qëllimet në jetë. Znj. Breshani theksoi pasionin për të arritur suksesin, ndërsa Dr. Joana Dhiamandi foli për rolin e krijimtarisë në jetën e gruas. Prof. Vera Bushati dha një mesazh të fortë që gratë duhet të vlerësohen për arritjet e tyre dhe jo vetëm për gjininë. Znj. Keti Sula foli gjithashtu për rolin që ka mbështetja reciproke dhe krijimi i marrëdhënieve të shëndosha.

 

 

 

 

 

 

 

Disa fjalë për 2 organizatat:

 

KS-FACTOR, një organizatë joqeveritare, synon të identifikojë studimin dhe promovojë nisma që synojnë nxitjen e zhvillimit të mundësive ekonomike, socio-kulturore dhe të punësimit brenda një kornize që do të bashkonte luftën kundër injorancës, varfërisë dhe promovimin e zhvillimit të integruar dhe të qëndrueshëm në Republika e Shqiperise. KS FACTOR synon të promovojë rritjen profesionale, krijuese, intelektuale të individit përmes edukimit dhe qasjes në media.

Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV) është një organizatë e pavarur që synon të mbështesë dhe stimulojë zhvillimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ekonomik dhe shoqëror dhe demokratizimin në Shqipëri dhe rajonin e gjerë. Për të arritur këtë SCiDEV punon me akademi, shoqëri civile, institucione private dhe publike, në forcimin e inovacionit dhe hulumtimit shkencor, avokimin, dhe mbështetjen e përdorimit të provave për nismat ligjore dhe rregullatore, dhe ndërmarrjen e aktiviteteve për ndërtimin e aftësive për të forcuar institucionin publik dhe privat, arsimin e lartë institucionet, media dhe shoqëria civile.