Lutjona Lula, MA —

Debati publik në Shqipëri mbi Integrimin Europian është pothuaj inekzistent, aq më pak debati publik i informuar. Nga ana tjetër Shqipëria është një ndër vendet më Euro-Entuziaste të rajonit duke patur integrimin Euro-Atlantik si prioritet që prej fillimit të tranzicionit. Megjithatë, diskutimi për këtë çështje është mbajtur në një nivel të përgjithshëm dhe kryesisht gjatë fushatave elektorale, ose midis grupeve të ngushta ekspertësh.  Pas 30 vitesh aspiratash për integrim Europian, procesi në vetvete ka pësuar disa ndryshime. Çdo zgjerim i ndodhur ka shkaktuar atë që quhet ‘mësimet e mësuara nga zgjerimet e mëparshme’, të cilat po aplikohen në vendet e Ballkanit Perëndimor. Rishtazi, Bashkimi Europian ka publikuar Metodologjinë e re të Zgjerimit.

Të debatuarit e temave lidhur mbi Bashkimin Europian është i nevojshëm për Shqipërinë pasi rrit informimin publik dhe mendimin kritik midis qytetarëve dhe sidomos studentëve. Të debatuarit e temave aktuale është nga ana tjetër një nevojë në auditorët universitarë. Metodologjia e re e zgjerimit sigurisht që ka ndeshur shumë interpretime sidomos në mediat në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si dy vendet për të cilat u ndërtua. Serbisë dhe Malit të Zi kjo metodologji i është ofruar si opsionale, por nuk ka ndikim në kuadrin aktual me të cilin po zhvillohen negociatat me këto vende.

Megjithatë, si mund të analizohet kjo metodologji? Në të gjitha komunikimet zyrtare të Komisionit, fjala kyç është ‘besueshmëria’ (credibility). Në këtë kuadër, metodologjia e re kërkon të vendosë një përspektivë reale besueshmërie, e cila rrit drejtëpërdrejtë efektshmërinë e kushtëzimit (conditionality). Përpos kësaj, metodologjia e re duke qënë se fokusohet në parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracinë, përforcon atë që historikisht ka qënë postulati kryesor i procesit të europianizimit-demokratizimin e vendeve që kalojnë nëpër këtë proces. Qëllimi i metodologjisë është në fakt të krijojë efekte të qendrueshme në këto vende.

Çdo të thotë kjo për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? Proces më i gjatë në rast se reformat nuk merren si zotime serioze dhe prioritare. Kjo mund të sjell integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi më parë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke ndikuar indirekt dhe balancat gjeopolitike në rajon, kjo jo për shkak të BE-së, por si pasojë nëse këto dy vende nuk i japin fund dualizmit aktual. Aktualisht, në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor vihet re një dualizëm në retorikën e përdorur nga liderat-njëra që i shërben gjuhës dhe audiencës kombëtare dhe tjetra në anglisht dhe për hir të faktorit ndërkombëtar. Më në fund, kjo metodologji mund t’i japë fund këtji dualizmi, por zgjatja e procesit mbetet një sfidë. Metodologjia shpreh në mënyrë eksplicitë politikën e ‘sticks and carrots’ por në këtë rast përmes stimulit të fondeve të BE, që vijnë si shpërblim në rast progresi në cluster-in përkatës. Qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të ndeshen me euro-fatigue edhe pse nga ana tjetër nëse informohen realisht mbi situatën, kjo metodologji mund të nxisë dhe llogaridhënien qytetare ndaj qeverive të vendeve. Në këtë pikë, metodologjia e re e zgjerimit shpreh plotësisht fokus mbi zhvillimet politike dhe demokracinë e vendeve kandidate duke i konsideruar kapitujt me karakter ekonomik si pasues të të parëve, ndryshe nga kuadri e deritanishëm ku hapja e kapitujve zhvillohej paralelisht.

Kjo metodologji është publikuar gjatë 100 ditëve të para të Komisionit të kryesuar nga Ursula Von der Leyer, gjatë së cilës janë prezantuar edhe ‘EU Green Deal’ & ‘Gender Equality Strategy’. Së fundmi, me situatën e pandemisë botërore COVID-19 pritet të ketë ndikime në ekonominë e BE-së, duke e renditur kështu zgjerimin sërish poshtë në listën e prioriteteve, pas periudhës së ‘Brexit’. E megjithatë, të gjitha këto zhvillime duhen debatuar publikisht për të arritur efektin e dëshiruar të vetdijësimit mbi procesin e integrimit dhe rritjen e llogaridhënies. Një brez i tërë u rrit me shprehjen ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Tashmë brezit të ri i takon të informohet dhe përfshihet në proces.