Elam Isufi, Studente e Debatit Universitar Edicioni III, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Ndjesitë, eksperiencat, opinionet personale mbi tavanin prej qelqi, labirintin dhe vështirësitë apo sfidat për të ecur përpara ndikuar nga përkatësia gjinore.

Lindur dhe rritur në një qytet të Shqipërisë së Mesme me një mentalitet pak të mbyllur dhe fanatik do të ishte e pashmangshme për mua të mos ndeshesha me tavanin prej qelqi në një moshë të hershme të jetës, por edhe gjatë saj. Në qytetet të tilla të vogla, të paktën për të kaluarën jo shumë të largët diferencat ndërmjet gjinive kanë qenë të prekshme dhe dallueshme parë dhe në prizmin e një fëmije të vogël siç isha unë dhe lindjen e nje dëshire të dëshpëruar duke iu drejtuar shpesh vetes “ Sikur të isha djalë!”. Diferencat ndjehen që në momentin kur të duhet të zgjedhësh lodrat për të luajtur, për vajzat janë kukullat, lodrat e gatimit, të pastrimit duke të krijuar idenë se përgjegjësia jote është e lidhur me qendrimin në shtëpi dhe për djemtë topi, armët, makinat etj, lojra që zhvillohen në ambiente të jashtme dhe në botën jashtë shtëpisë. Është kjo diferenca e parë që krijon idenë e rolit e të qenurit vajzë dhe që të përket sfera private dhe djemve ajo publike. Një diferencë tjetër dhe pengesë shikohej dhe në lojrat e përbashkëta që zhvillonim në ambientet e lagjes ku jemi rritur. Pavarësisht faktit se sa po argëtoheshe duke luajtur ishe e detyruar të ktheheshe menjëherë në shtëpi me rënien e errësirës, ndërkohë që djemtë ishin të lirë të qendronin ende më gjatë. Megjithatë loja gjithsesi ndërpritej për të gjithë sepse pa prezencën e ne vajzave, djemtë të vetëm nuk mundet ta zhvillonin dot më tej. Në situata të tilla me naivitetin fëmijëror nuk arrije ta kuptoje këtë sjellje me dy standarte të prindërve që shkaktohej vetëm nga fakti se ne ishim dy gjini të kundërta dhe kështu e legjitimoje duke e marrë si një standart të zakonshëm sepse prindërit e gjykonin të tillë, shoqëria e gjykonte të tillë. Bashkë me rritjen kupton që kjo nuk ishte diçka e kufizuar në shembuj kaq të thjeshtë, por do të ishte një histori e tërë preceptimesh dhe paragjykimesh të rrënjosura në mentalitetin e shoqërisë tonë, por edhe me gjërë në atë globale që formësonin në dy mënyra të pabarabarta rrjedhën jetësore ku faktor kyç ishte gjina që i përkisje. Veprime të tilla bën që të krijohen në faza të hershme të mendësisë që kufizimet djem-vajza egzistojnë dhe duhet ti marrësh si të mirqëna pa i kundërshtuar dhe si rrjedhojë të ndërtosh jetën normalisht brenda tavanit të qelqit pa arritur të shikosh përtej tij, dhe aq më pak të përpiqesh ta shembësh. E detyruar për të përqafuar jetën e kufizuar brenda konceptit gjini inferiore si diçka normale. Kur diferenca të tilla paraqiten si diçka e zakonshme nga vetë prindërit e tu, banorët e tjerë të komunitetit ku ti jeton, krijohet breza të së ardhmes që vazhdojnë duke e marrë si diçka normale pabarazinë ndërmjet gjinive pa kuptuar realisht padrejtësinë që ndaj vetes bëjnë, por edhe më vonë ndaj brezave të ardhshëm.

Këto ishin episode maskilizmi që përfshinin komunitetin e lagjes ku ne jetonim, por dhe në një hapësirë më të madhe, përtej komunitetit tënde situata ishte e njëjtë. Në një qytet ku të gjithë njohin të gjithë, sjellja jote më shumë se ty vetë ka efekt mbi prindërit e tu, në një qytet ku vajza gjykohet më shumë dhe njëkohësisht njihet nga të gjithë duhet të jetë shumë e kujdesshme për veprimet e saj sepse rrezikon tendencën e komentimit negativ që sjell pasoja akoma më shumë negative. Nuk duhet të dalësh shpesh, se komentohesh që del shumë shpesh, nuk mund të dalësh vonë se analizohesh për arsyet se përse del vonë, nuk duhet të mirëmbahesh sepse hidhet hije dyshimi se përse e ben etj. Reagime këto të shoqërisë që e ndrydhin femrën dhe krijojnë pasiguri dhe ndrojte në karakterin e saj duke ju druajtur gjykimit therës që banorët e qytetit padrejtësisht ndërtojnë bazuar në raste ku llogjika për gjininë mashkullore do të kishte nuancë justufikimi dhe jo paragjykimi si në rastin tonë. Këto janë diferenca që vetëm një karakter i fortë mund ti injorojë, po ato vajza që nuk e kanë një të tillë kush mendon për pasojat e rëna mbi to?

Labirinti i vështirësive niset me pjesën e ndërtimit të karakterit dhe indoktrinimit të superioritetit mashkullor nga çdo anëtarë i shoqërisë, vijon në moslejimin dhe pamundësitë e ndjekjes së studimeve të larta dhe formimit intelektual, duke u pasuar nga kufizime që ndeshen në vazhdimësi të veprimtarive të caktuara jetësore dhe izolimit në minibotën shtëpiake.

Për fat të mirë vendosur në paralelizëm realiteti i shkuar dhe ai i tashmi i qytetit tim shikoj që në një periudhë 10 vjeçare emancipimi ka arritur të përmirësojë shumë gjëra për mënyrën se si qyteti funksionon, më së shumti përmirësime janë bërë në qendrimin që mbahet ndaj vajzave në shoqëri. Ky ndyshim shtysën kryesore pati vetë vajzat. Historia ka treguar që ndryshimet e mëdha kanë ndodhur në mënyrë graduale dhe me shpirt revolucionar, njësoj ndodhi dhe me emancipimin femëror, ku lëvizjet feministe ditën të godisnin tavanin e qelqit në pikën e duhur dhe në kohën e duhur në një moment refleksioni të tyrin ku asgjë nuk jepej por fitohej, fitohej duke luftuar. Është revolta e brendshme për të patur lirinë e shikuar tek gjinia e njëjtjë që të nxit dëshirën për të kapërcyer barriera, për të thyer tavanin e qelqit dhe për tu ndjerë e lirë ashtu si realisht të takon. Ishin këto lëvizje në vende strategjike, në mënyrë efektive që ndikuan globalisht në arritjen e qëllimeve të vendosura dhe pa pasur nevojë të egzistonte prezenca e tyre kudo, shembulli konkret vendi ynë. Nuk mund të themi që levizja feministe tek ne ka patur aktivizim dhe angazhim të lartë për arritjen e kërkesave themelore që në përgjithësi feministet kanë kërkuar. Ishte një valë ndryshimesh pro vajzash që përfshinë vendet e zhvilluara lider, ndjekur nga vende të vogla si vendi ynë, ndodhi kjo që sherbeu si pikënisje e thyerjes së tavanit të qelqit. Një revoltë që del në kundërshtim me preceptimet prapanike apo doket e shoqërisë që shfaqen si pengesë.  E bërë kjo nga një masë e gjerë arrin të metamorfizojë preceptimin kolektiv, në mos totalisht të paktën në shumicën e rasteve. Shikon që në efekt domino një reagim i joti nuk ka thyer vetëm tavanin e qelqit që të veçon ty me të tjerët, por edhe tavanin e qelqit që veçon të tjerët me ty dhe mitin e gruas. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse në qytetin tonë, në vendin tonë apo dhe në “fshatin global” sot unë, shoqet, tjetra, gjinia femërore ndjehet më komode se vite më parë.

Me këtë hap revolucionar të bërë ndër preceptimin e shoqërisë për rolin dhe mënyrën si gjinia femërore duhet të trajtohet në shoqëri besoj një pjesë e rëndësishme e labirinitit është arritur të përshkruhet dhe vajzat të ndjehen në konkurencë me meshkujt jo më për mbylljen e studimeve, rezultat që e kanë përmbysur me kohë, por një garë të barabartë për poste të ndryshme të zhvillimit të karrierës apo dhe në arritjen e një standarti të barabartë të gjykimit në shoqëri dhe pasjes s dhe pasjes së oportuniteteve.

Këto janë hapa të rëndësishme të ndërmarra, por ende mbetet shumë për të bërë për të arritur barazinë totale gjinore dhe për të ecur përpara, problemi kryesor mbetet ende shoqëria vetë me preceptimin e saj kolektiv me ngjyrime të forta paragjykimi dhe fanatizmi në mbrojtje të statuskuos të rrënjosur ndër shekuj, pabarazisë. Termi gjini është një gjetje e shoqërisë, njësoj si dhe pabarazi ndërmjet gjinive. Pengesa kryesore që duhet goditur është preceptimi dhe mendësitë që egzistojnë ndër rrathët e shoqërisë për superioritetin e meshkujve dhe inferioritetin e vajzave në raportet ndërmjet tyre. Këtu fillon çdo gjë.