Debati në  UMSH ishte debati i katërt i zhvilluar deri më tani. Ai u zhvillua fizikisht në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.  SCiDEV organizoi këtë debat instituicional të Edicionit të Tretë të Debatit Universitar në kuadrin e projektit të “Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” që mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mentorja e universitetit Profesoreshë Holta Heba ka punuar me zell dhe në mënyrë rigoroze  me studentët pjesëmarrës dhe në nisje të debatit ajo dha përshtypjet e punës me ta dhe falenderoi SCiDEV për organizimin e Debatit Universitar dhe programeve të tjera të kapacitetit dhe trajnimeve për studentët. Ajo shprehu mirënjohjen për vëmendjen që studentët i kanë kushtuar Debatit pasi për shumë prej tyre kjo ka qenë një periudhë impenjuese edhe me sezonin e provimeve dhe ngarkesa ka qenë relativisht e lartë. Ajo shprehu se studentët kanë patur një interesim shumë të madh dhe një përkushtim të lartë ndaj debatit në mënyrë që të kishin një performancë sa më të mirë.

Pas hedhjes së shortit për temat dhe qëndrimet në temën e përballjes së parë studentët debatuan rreth temës “‘Për të rritur produktivitetin biznesi shqiptar duhet të investojë në burime në njerëzore dhe jo në teknologji’ ku skuadra e udhëhequr nga studenti Enri Koçi mbajti qëndrimin Pro dhe skuadra e udhëhequr nga studenti  Andi Roko mbajti qëndrimin Kundër. Skuadrat u fokusuan në sjelljen e argumentave të lidhura me qasjet e bizneseve së fundmi parë edhe nga këndvështrimi përsonal dhe proceset sociologjike të lidhura me emigrimin. Përsa i përket debatit të liderëve tema e përzgjedhur po me short ishte “Ngadalësimi i procesit të integrimit europian do të rrisë populizmin dhe prirjet antieuropiane në Shqipëriku studentët që në krye të herës vunë theksin se është një nga çështjet më të rëndësishme në të ardhmen e politikës së jashtme në vend si dhe u fokusuan të sillnin shembuj të anëtarëve të tjerë të unionit duke bërë një vështrim krahasues. Në këtë debat studenti Andi Roko mbajti qëndrimin Pro dhe studenti Enri Koçi atë Kundër ku sollën argumenta të shumtë dhe bënë një debat tejet të mirëstrukturuar. Të dy skuadrat treguan seriozitet të lartë,etikë në komunikim,përdorim të mirë të gjestikulacionit dhe gjuhës së trupit duke patur një përgatitje të shkëlqyer ndonëse temat e përzgjedhura nuk ishin domosdoshmërisht relevante me studimet e tyre.

Pas përfundimit të përballjeve studentët  u shprehën rreth eskperiencës së tyre me kolegët,mentoren dhe dhanë edhe sugjerime e qasje të tyre gjatë përgatitjes me temat  ku treguan edhe për ato që ju kishin pëlqyer më tepër dhe falenderuan SCiDEV për realizimin dhe përfshirjen e tyre në projekte të këtilla.

Juria e përbërë nga Holta Heba (Mentore e studentëve dhe Lektore në UMSH ), Nevila Xhindi (Lektore në UMSH) dhe Erida Curraj  (SCiDEV) vlerësuan të dy skuadrat për  seriozitetin e përkushtimin ku  Profesoreshë Holta duke qenë mentore e skuadrës vlerësoi përkushtimin dhe seriozitetin dhe inkurajoi skuadrat për fazën e mëtejshme duke shprehur krenarinë dhe besimin se UMSH këtë vit do të ketë një performancë tejet cilësore, ndërsa Nevila Xhindi dhe Erida Curraj dhanë përshtypjet dhe disa sugjerime rreth përdorimit më të shumtë të evidencave dhe lehtësimit të faktorit emocional gjatë debatimit,  këshilla këto që ju shërbejnë studentëve mjaft për fazën e ardhshme të debatit. Pas fjalës falenderuese të Profesoreshë  Holta Hebë-s për gjithë përkushtimin e studentëve dhe analizimit të të gjithë elementëve me rëndësi në garë juria shpalli fituese skuadrën e udhëhequr nga studenti Enri Koçi i cili  do të përfaqësojë  UMSH në fazën e ardhshme në përballjet mes 14 institucioneve dhe njëkohësisht përgëzoi gjithë studentët për arritjen.