Angazhimi i të rinjve në politikë është i domosdoshëm për të reformuar politikën, për të parandaluar korrupsionin dhe për të nxitur integritetin publik pasi të rinjtë mishërojnë vlerat, talentin dhe vullnetin për ndryshim demokratik. Ky ishte mesazhi kryesor në përfundim të debatit të organizuar në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë (UMSH) në 10 Shkurt, 2021. Prof. Adrian Civici, Rektor i UMSH, nënvizoi në fjalën e tij hyrëse rolin e debatit në zhvillimin e mendimit kritik, analizues dhe të pavarur të studentëve dhe angazhimin e tyre në sferën publike për të parashtruar perspektivën e tyre për procese me rëndësi për vendin si integrimi apo modeli i zhvillimit ekonomik.
SCiDEV organizoi debatin e parë universitar të edicionit të dytë të projektit “Laboratori i debatit mbi integrimin europian në auditorët universitarë-Nga fjala tek veprimi”, të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. 8 studentë, nën mentorimin e Prof. Nevila Xhindi, të ndarë në dy skuadra të drejtuara nga Rei Shehu dhe Donald Byzyka, studentë të masterit në shkenca politike në UMSH, debatuan rreth mocionit “Angazhimi i të rinjve në politikë ofron një potencial unik transformues për të reformuar politikën dhe për të parandaluar korrupsionin duke mbështetur integritetin publik”. Gjithashtu, liderët e dy skaudrave debatuan edhe për mocionin “‘Inteligjenca artificiale do të shkatërrojë marrëdhëniet njerëzore, shoqërore dhe ekonomike në BE” duke u ndalur sidomos tek roli i teknologjisë në manaxhimin e pandemisë COVID-19. Studentët pjesëmarrës iu bashkuan më pas diskutimit me perspektiva alternative dhe kritike rreth inteligjencës artificiale dhe marrëdhënieve shoqërore.
Anëtarët e jurisë, Prof. Nevila Xhindi (mentore e skuadrave të debatit), Megi Ruka (RYCO) and Adajan Fani (ekspert i SCiDEV) përgëzuan studentët për debatin, shpallën fitues skuadrën pro të drejtuar nga Rei Shehu dhe njëkohësisht iu dhanë disa këshilla konkrete për përmirësimin e debatit në të ardhmen. Donald Byzyka, lideri i skuadrës që u skualifikua, tregoi vlera të tolerancës dhe qytetarisë në pranimin e skualifikimit dhe përgëzoi studentët fitues.