Studentët e Institutit të Studimeve Europiane të Universitetit të Tiranës debatuan rreth ndikimit të integrimit europian në proceset demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

SCiDEV organizoi debatin e radhës në 27 shkurt online në Institutin e Studimeve Europiane të Universitetit të Tiranës në kuadër të edicionit të dytë të projektit “Laboratori i debatit mbi integrimin europian në auditorët universitarë-Nga fjala tek veprimi”, të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Prof. Doris Malaj, mentor i studentëve, nënvizoi në fjalën e saj hyrëse rolin e programit të debatit në zhvillimin e studentëve si edhe në falenderoi SCiDEV për ofrimin e mundësive për studentët si programi i trajnimit apo fushata e aktivizimit online.  Edhe studentët vunë në pah vlerën e debatit sidomos ata që ishin pjesëmarrës për vitin e dytë radhazi duke ftuar edhe studentët e tjerë që të përqafojnë iniciativa të tjera.

8 studentë, nën mentorimin e Prof. Doris Malaj, të ndarë në dy skuadra të drejtuara nga Silvana Rusi dhe Enxhi Hoxha, studentët e ISE/UT debatuan rreth mocionit “Integrimi europian thellon dhe përmirëson demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”. Gjithashtu, liderët e dy skaudrave debatuan edhe për mocionin “Inteligjenca artificiale do të shkatërrojë marrëdhëniet njerëzore, shoqërore dhe ekonomike në BE”. Performanca e studentëve ishte shumë e mirë duke nisur nga etika në komunikim, përgatitja e argumentave, evidencave, pyetjeve, kundër-përgjigjet, gjuha e trupit, dhe përkushtimi dhe serioziteti në të gjithë debatin.

Anëtarët e jurisë, Prof. Doris Malaj (mentor i skuadrave të debatit), Dr. Blerjana Bino (SCiDEV) and Megi Ruka (RYCO) përgëzuan studentët për debatin, shpallën fitues skuadrën pro të drejtuar nga Silvana Rusi dhe njëkohësisht përgëzuan studentët për arritjen.

Video e plotë.