Debati në  Fakultetin e Drejtësisë  ishte debati i  dymbëdhjetë  i zhvilluar deri më tani. Ai u zhvillua fizikisht në ambientet e fakultetit. SCiDEV organizoi këtë debat instituicional të Edicionit të Tretë të Debatit Universitar në kuadrin e projektit të “Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” që mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mentorja e Fakultetit Profesoreshë  Petrina Broka ka punuar me përkushtim dhe në mënyrë rigoroze me studentët pjesëmarrës dhe në nisje të debatit  dha përshtypjet e punës së deritanishme  me ta dhe falenderoi SCiDEV për organizimin e Debatit Universitar dhe programeve të tjera të kapacitetit dhe trajnimeve për studentët. Ajo shprehu mirënjohjen për vëmendjen që studentët i kanë kushtuar Debatit në mënyrë që të kishin një performancë sa më të mirë  edhe pse kjo periudhë ka qënë mjaft impenjuese për ta.

Pas hedhjes së shortit për temat dhe qëndrimet në temën e përballjes së parë studentët debatuan rreth temës  ‘Ngadalësimi i procesit të integrimit europian rrit mundësitë për një regjim autokratik në Shqipëri’ ku skuadra e udhëhequr nga studenti Klajdi Tozaj mbajti qëndrimin  Kundër dhe skuadra e udhëhequr nga studentja Zhaklin Meçe mbajti qëndrimin Pro. Skuadrat u fokusuan në sjelljen e argumentave të lidhura me shembujt e vendeve që janë integruar së fundmi si edhe treguesit socialë ekonomikë të situatë politike dhe asaj të Drejtësisë me fokus të veçantë në procesin e Vetingut.

Të dy skuadrat treguan seriozitet të lartë,etikë në komunikim,përdorim të mirë të gjestikulacionit dhe gjuhës së trupit duke patur një përgatitje të shkëlqyer.

Përsa i përket debatit të liderëve tema e përzgjedhur po me short qe “Profili i ri ekonomik i Shqipërisë duhet të jetë i fokusuar nga sektori i teknologjisë së informacionit si me më shumë potencial të lartë zhvillimi dhe jo në sektorët më tradicionalë të ekonomisë shqiptare’. Në këtë debat studenti Klajdi Tozaj mbajti qëndrimin  Pro dhe studentja Zhaklin Meçe  atë Kundra  ku  sollën argumenta të shumtë bazuar në sektorët ekonomikë të tanishëm në vend dhe në lidhje me qasjet e reja lidhur me teknologjinë me një përballje cilësore.

Pas përfundimit të përballjeve studentët u shprehën rreth eskperiencës së tyre me kolegët,mentoren dhe dhanë edhe sugjerime e qasje të tyre  gjatë përgatitjes me temat  ku treguan edhe për ato që ju kishin pëlqyer më tepër dhe falenderuan SCiDEV për realizimin dhe përfshirjen e tyre në projekte të këtilla.

Juria e përbërë nga Petrina Broka (Mentore e studentëve dhe Lektore në FDUT ), Marlin Muça ( MSc/E drejtë Civile dhe student Alumni Edicioni II Debati Universitar ) dhe Marina Gjoka (SCiDEV) vlerësoi të dy skuadrat për  seriozitetin e përkushtimin ku Profesoreshë Petrina duke edhe qenë mentore e skuadrave vlerësoi edhe njëherë përpjekjet dhe qasjen shumë aktive dhe entuziaste të studentëve këtë vit  dhe këshilloi ata për një punë akoma më të thelluar kërkimore ndërsa anëtarët e jurisë dhe Marlin Muça  dhe Marina Gjoka i dhanë përshtypjet dhe disa sugjerime në lidhje me përdorimin më të shumtë të evidencave dhe cilësimit të saktë të tyre, këshilla këto që i shërbejnë studentëve mjaft për fazën e ardhshme të debatit.

Pas fjalës falenderuese të Profesoreshë  Petrinës  për gjithë përkushtimin e studentëve dhe analizimit të të gjithë elementëve me rëndësi në garë juria shpalli fituese skuadrën e udhëhequr nga studentja Zhaklin Meçe që do të përfaqësojë Fakultetin në fazën e ardhshme në përballjet mes 14 institucioneve dhe njëkohësisht përgëzoi gjithë studentët për arritjen.