Debati në Universitetin Luigj Gurakuqi ishte debati i trembëdhjetë i zhvilluar deri më tani. Ai u zhvillua fizikisht në ambientet e fakultetit. SCiDEV organizoi këtë debat instituicional të Edicionit të Tretë të Debatit Universitar në kuadrin e projektit të “Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” që mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mentorja e Fakultetit Ekonomik UNISHK Profesoreshë Alba Berberi ka punuar me përkushtim dhe në mënyrë rigoroze me studentët pjesëmarrës dhe në nisje të debatit dha përshtypjet e punës së deritanishme me ta dhe falenderoi SCiDEV për organizimin e Debatit Universitar dhe programeve të tjera të kapacitetit dhe trajnimeve për studentët. Ajo shprehu mirënjohjen për vëmendjen që studentët i kanë kushtuar Debatit në mënyrë që të kishin një performancë sa më të lartë dhe pse kjo periudhë ka qenë mjaft impenjuese për ta edhe me sezonin e provimeve.
Pas hedhjes së shortit për temat dhe qëndrimet në temën e përballjes së parë studentët debatuan rreth temës “Punësimi i të rinjve në sektorin publik redukton korrupsionin” ku skuadra e udhëhequr nga studenti Gilman Kallaçi mbajti qëndrimin Pro dhe skuadra e udhëhequr nga studentja Loreta Ҫermeli mbajti qëndrimin Kundër. Skuadrat u fokusuan në sjelljen e argumentave të lidhura me rolin e të rinjve në sektorin publik, ku secila skuadër solli argumentet përkatëse në shërbim të qëndrimit Pro apo Kundra që kishin në bazë të shortit.
Të dy skuadrat treguan seriozitet të lartë, etikë në komunikim,përdorim të mirë të gjestikulacionit dhe gjuhës së trupit duke patur një përgatitje të shkëlqyer.
Përsa i përket debatit të liderëve tema e përzgjedhur po me short qe “Liria e shprehjes është e panegociueshme”
Në këtë debat studentja Loreta Ҫermeli mbajti qëndrimin Pro dhe studenti Gilman Kallaçi atë Kundra ku sollën argumenta të shumtë bazuar në një debat të zellshëm duke u fokusuar terëndësia që ka dhe duhet të ketë liria e shprehjes në shoqëri.
Pas përfundimit të përballjeve studentët u shprehën rreth eskperiencës së tyre me kolegët, mentoren dhe dhanë edhe sugjerime e qasje të tyre gjatë përgatitjes me temat ku treguan edhe për ato që ju kishin pëlqyer më tepër dhe falenderuan SCiDEV për realizimin dhe përfshirjen e tyre në projekte të këtilla.
Juria e përbërë nga Alba Berberi (Mentore e studentëve dhe Lektore në UNISHK), Brikene Dionizi (Lektore në UNISHK) dhe Prof. As Abana Boriçi lektore në UNISHK) vlerësoi të dy skuadrat për seriozitetin e përkushtimin ku Profesoreshë Alba Berberi duke edhe qenë mentore e skuadrave vlerësoi përpjekjet dhe qasjen shumë aktive të studentëve këtë vit ndërsa anëtarët e jurisë Brikene Dionizi dhe Albana Boriçi u dhanë përshtypjet dhe disa sugjerime rreth përforcimit të argumentave gjatë debatit, në mënyrë që të kenë një komunikim bindës, këshilla këto që i shërbejnë studentëve mjaft për fazën e ardhshme të debatit.
Pas fjalës falenderuese të Profesoreshë Albës për gjithë përkushtimin e studentëve dhe analizimit të të gjithë elementëve me rëndësi në garë juria shpalli fituese skuadrën e udhëhequr nga studentja Loreta Ҫermeli, që do të përfaqësojë Fakultetin Ekonomik/ Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në fazën e ardhshme në përballjet mes 14 institucioneve dhe njëkohësisht përgëzoi gjithë studentët për arritjen.