Marlin Muça —

Në vitet që pasuan rënien e Murit të Berlinit, një Europë e re u përvijua në zemrat e mendjet   e qytetarëve  që dikur sundoheshin nga grushti i eger i  përtej perdes së hekurt. Ëndrra e një Europe të bashkuar ekonomikisht   ishte synim i të dyja hemisferave të një gjysmë Kontinenti parimisht e ideologjikisht bashkë. Fundi i paradigmës ideologjike në shpjegimin e marrëdhënieve mes shtresave dhe popullsive të ndryshme, riktheu nevojën e e shoqërive t´u përgjigjeshin pyetjeve: Nga vijnin? Kush ishin?E mbi të gjitha: Çfarë besonin? Kjo zbulesë e substratit të lashtë etniko-kulturor do të kishte pasojat e veta në fushatën e zgjerimit të Bashkimit Europian.

 

Në strategjinë e re të zgjerimit, përparësi mori zgjerimi në Qëndër, Lindje dhe Juglindje të Europës. Unioni dhe NATO ishin shumë të interesuara ta rrisnin influencën politike dhe ushtarake sa më në lindje, përballë një Rusie të rrezikshme në tërësinë e   problematikave  dhe konfuzionit  të  pas Luftës së Ftohtë. Shqetësimi europian qe me vend. Rusia nuk u perëndimorizua por mbeti peng i mendësisë  së vjetër caristo-sovjetike të ekspansionit. Ruajtja e kësaj mendësie e bëri zgjerimi akoma dhe më të nevojshëm.

 

Zgjerimi në Europën Qëndrore dhe atë Lindore rezultoi më i thjeshtë nga c´mendohej. Shoqërite e atjeshme, pavarësisht problemeve me ekonominë dhe të shkuarën e tyre diktatoriale, rindanin zakonet dhe traditat e krishtera. Rizgjimi i ndjesive fetare jo vetëm në Lindje, por edhe në Perëndim e bëri më të thjeshtë bashkimin ekonomik mes vendeve.Tekefundit, ndarjet mes protestantëve dhe katolikëve nuk ishin  kërcënuese për paqen e Europës  si përpara Vestfalisë ndërsa rivaliteti  i  katolicizmit me  ortodoksinë kishte dekada që ishte shuar. Skizma filloi te ato vende si Shqipëria, Bosnja apo Turqia që kishin një mënyrë të ndryshme të falurit ndaj Zotit.

 

Rizgjimi i identiteteve fetare kishte dekada që kishte nisur në botën myslimane dhe vendet e listuara më lart ishin të vetmet që për një arsye ose një tjetër kishin mbetur të pazbuluara e të ´´paoperueshme´´ nga organizatat islamike që merreshin me edukimin dhe formimin politik të brezave të rinj. Gjysma e dytë e viteve 90 shënoi rritjen e veprimtarisë së këtyre organizatave dhe bashkë me to dhe nr e besimtarëve në vendet respektive. Imazhi i një Europe të mbushur me emigrantë myslimanë turq apo boshnjakë, të ardhur nga një popullsi me një lindshmëri disa fish më të lartë se Perëndimi, e shqetësoi Europën e paqes dhe asimilimit.

 

Bashkimi Europian u gjend në një situatë të vështirë. Nga njëra anë qëndronte aspirata e një Europe të bashkuar, ndërsa nga ana tjetër frika dhe alergjjia ndaj popullsive kulturalisht larg normave dhe etikës judeo-kristiane. Kjo dilemë rezultoi fatale për marrëdhëniet me Turqinë. Me shpresën e marrjes së një drite jeshile për anëtarësim në Union, Turqia u bë bazë e rëndësishme nga ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj inicionin sulmet ushtarake ndaj Sadamit gjatë Luftës së Gjirit.  Ky angazhim nuk arriti ta ´´bindte´´ Europën për kahjen europiane që duhet të merrtë Turqia. Qeveria turke u gjend po ashtu në çarkun e një dileme. Ajo prej kohësh përballej me presionin e brendshëm të grupeve islamike të cilat kërkonin që Turqia mos të shndërrohej në marionetë e SHBA-ve në ´´kryqëzatën´´ ndaj një lideri të fuqishëm të botës myslimane siç ishte Sadam Hysieni.  Pas luftës grupet islame fituan  kaq shumë njerëz dhe terren politik saqë  establishmenti që kishte qeverisur vendin prej vitesh filloi ta shihte me sy kritik praninë ushtarake amerikane në Kuvajt e gjetkë në Gjirin Persik. 27 vite më vonë, Turqia është afër ëndrrës europiane aq sa politikat tregtare kineze janë në përputhje me ato amerikane.

 

Rasti i Shqipërisë është ndryshe. Diktatura ateiste kishte arritur ta shkëpuste fibrën mistike që lidhte shqiptarët me zotin. Pavarësisht restaurimit të së drejtës individuale e kolektive për të ushtruar ritet e besimeve fetare apo hapjes së kishave dhe xhamiave, rënia e sistemit komunist nuk e gjeti Shqipërinë në kërkimin e identiteteve  të vjetra fetare, por në një sfidë perëndimorizimi ku adhurimi i gjithçkaje  europiane e amerikane binte ndesh me zakonet prapanike dhe motivet totalitare që shoqëronin  jetën e përditshme të popullit shqiptar dhe  modelet politike të kohës.

 

 

 

Për ta rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokratizimit dhe liberalizmit ekonomik, Bashkimi Europian  në bashkëpunim me fondacione të huaja investoi në pika kyce të shoqërisë sonë. Një nga metodat që perëndimi aplikon   në marrëdhëniet me shoqëritë jo-perëndimore është imponimi i vlerave/ modeleve institucionale demokratike. Kjo ndërfutje e  tipareve demokratike  tenton të zbusë mospërputhjet qytetërimore ndërmjet një Europe plot parime judeo-kristiane dhe një Shqipërie  në udhëkryqin e së shkuarës orientale dhe një të ardhmeje me fytyrë nga  oksidenti. Ndërtimi me sukses i këtyre institucioneve përbën kushtin kryesor të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane. Ky plan u reflektua në përgatitjen e  një brezi të ri politikanësh, gazetarësh me anë të  trajnimeve dhe ëorkshopeve që mblidhnin të rinj entuziastë për dijen,  nga  i gjithë vendi. Këto organizime i dhanë jetë asaj që në njohim sot si shoqëri civile. Përpos financimit të shoqërisë civile nuk munguan as investimet në: transparencën e institucioneve, infrastrukturën   e organeve të drejtësisë, infrastrukturën e shkollave , bursat e ekselencës etj. Koha tregoi se të gjitha këto rezultuan të pamjaftueshme  në ndërtimin e një demokracie funksionale në Shqipëri. Aspirata e integrimit europian nuk përvijohej më me shoqërinë civile me nipt, e për me tepër me bojatisjen e zyrave dhe fasadave të prokurorive apo gjykatave. Diçka rrënjësore nuk funksiononte në Shqipëri ndaj dhe një ndryshim po aq  rrënjësor nevojitej për t´i dhënë shtysën përfundimtare vagonit të integrimit. Zgjidhja u gjet. Një paketë ndryshimesh nga niveli kushtetues e deri në nivelin e ligjeve organike duhej implementuar me qëllim reformimin rrënjësor të gjyqësorit. Europa nuk mund ta pranonte kurrsesi në gjirin e saj një popull muhamedan që mbante si elitë juristësh një bandë, pasuria e pushteti i të cilëve të kujtonte kadilerët e dikurshëm. Kështu qytetarët shqiptarë nuk do të sorollateshin më me vite të ëra në dyert e gjykatave; Europa do e detyronte Shqipërinë ta arrinte standartin eurpian të një drejtësie të pavarur nga politika dhe paraja e më së fundi; qytetari europian do të fitont  të drejtën legjitime të sigurisë juridike.

 

Nëse MSA-ja ka si synim përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian ( acquis communautaire) reforma në drejtësi  përafron imazhin e e një Shqipërie, kulturalisht  ndryshe me Europën, me një Europë tashmë të solidifikuar  me vlerat e përbashkëta  që pasqyrohen në boshtin franko-gjerman. Drejtësia e pavarur është  guri kilometrik që lajmëron  quasi perëndimorizimin e shtetit shqiptar ose të paktën  marrjen e hijes së saj.

 

Por çfarë ndodh nëse reforma dështon? A do ta ruajë Shqipëria aspiratën europiane? Apo do t´i rikthehet për ndihmë aleatëve dhe qytetërimeve të dikurshme?

 

Duhet të theksojmë se kushti  kryesor  i hyrjes së Shqipërisë në BE nëpërmjet celjes së negociatave ishte miratimi i reformës së drejtësisë, një akt  që u krye mbrëmjen e 21 korrikut. Megjithatë integrimi në Union, më shumë sesa process burokratik është produkt i përthithjes së vlerave dhe idealeve që përbashkojnë 28 vendet anëtare. Pra, gjasat  janë që integrimi real i vendit tonë të shtyhet gjer  atëherë  kur efektet  e reformës të jenë të prekshme për shqiptarët  dhe faktorin ndërkombëtar. Nëse synimet e arkitekteve të reformës mbeten ne letër dhe nuk vitalizohen përmes eficencës dhe ndershmërisë ndaj qytetarëve, Shqipëria  mund të mbetet në pozitat  e  një Kube; kësaj here e  rrethuar nga vende që i përkasin ideve dhe kulturave të ndryshme. Në një rast të tille, politikës shqiptare  nuk do t´i ngelet zgjidhje  tjetër vecse t´i shtrijë  dorën Perandorisë së dikurshme, Turqisë.

 

Turqia ishte ndër vendet e fundit që u përfshi nga e ashtuquajtuar ´´Ringjallja Islamike´´. Zhgënjimi nga Europa e sprapsi Turqinë drejt Anadollit, ku ëndrra e Turqisë së madhe në kufijtë e Perandorisë Osmane vazhdon të mbesë e gjallë në mendjet e politikanëve ,por dhe  në programet e qarqeve politike të atjeshme. Nuk janë të paktë dhe ata që e duan diçka të tillë.  Nostalgjikët e Portës së Lartë e shohin  Republikën si pasardhësen e Perandorisë  që çau me shpatë rrethimin e krishterë dhe i fali Osmanëve toka të reja e adhurues të rinj. Ndërkohë shtetet e tjera me shumicë myslimane kanë forcuar pozitat sunduese në rajonet e tyre.  Revolucioni islamik I 979-ës e konsolidoi Iranin si pretendente kryesore në krijimin e shtetit të parë bërthamë në historinë e afermë të qytetërimit islam. Krahas Iranit, Arabia Saudite ka financuar disa miliarda dollarë në ngritjen  dhe fuqizimin e organizatave pan islamike në afrikën Veriore, Azi, Lindje e Mesme dhe Kaukazi. Si rrjedhojë e kësaj lufte influencash, shteti turk synon që ta shtrijë ndikimin e tij te myslimanët e Europës dhe vendet e tyre laike si Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

 

Në një të ardhme hipotetike ku përçapjet e Europës për ta perëndimorizuar Shqipërinë dështojnë dhe faktori nacionalist brenda saj i vë fre frenezisë së zgjerimit ,shanset që Shqipëria dhe Kosova t´i rikthehen orientit janë të mëdha.

 

Një shkëputje e dytë nga aspirata europiane do të ishte fatale për ne. Herën e parë, bashkimi i trojeve shqiptare me osmanët erdhi si rezultat i pushtimit dhe reaksioni anti osman dihej që herët a vonë do të triumfonte mbi konformizmin ndaj fesë dhe kulturës së shtresëzuar 500 vjecare. Ama, rikthimi me dëshirë drejt së shkuarës e bën të vështirë, e pse jo të pamundur një Rilindje të dytë kombëtare. Mohimi i Europës  shërben si katalizator i orientalizimit kulturor e politik të hapësirës mbarë shqiptare.