Autorë : Abel Brahusha, Eneja Allmuça, Melisa Peça
Kuadri ligjor shqiptar parashikon mundësinë e përfaqësimit dhe organizimit të studentëve si në rang njësie kryesore ashtu edhe në nivel IAL-je. Po ashtu Shqipëria ka një praktikë të mirë të lejimit të studentëve të votojnë në zgjedhjet për Senat Akademik ku studentët kanë të drejtë të votojnë për rektorin dhe dekanin, si edhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këtë organ.
Pavarësisht këtyre mundësive, studentët përballen me një tërësi sfidash institucionale si dhe organizative të cilat limitojnë përpjekjet për përfshirje efektive në vendimmarrjen e IAL-së ku studiojnë.
Ulja e peshës së votës së studentëve nga 20 në 10% në Ligjin nr.80/2015 për Arsimin e Lartë në Shqipëri bën që kandidatët për rektor dhe dekan të mos kenë incentivë në bërjen fushatë me studentët apo reflektimin e interesave të tyre në platformat e tyre zgjedhore. Po ashtu niveli i ulët i informimit, kombinuar me faktin se pesha e tyre e votës është e papërfillshme i dekurajon studentët të votojnë në zgjedhjet për Senat Akademik.
Ndërkaq këshillat studentorë në nivel njësie kryesore kanë pak ose aspak koordinim me organet homologe në njësitë e tjera kryesore të IAL-ve apo me përfaqësuesit studentorë në Senat Akademik, gjë që e vështirëson bashkëpunimin e studentëve dhe organizimin e tyre për advokimin mbi çështje në interes të studentëve. Mungesa e organizimit në nivel IAL-je e vështirëson komunikimin mes përfaqësuesve studentorë nga IAL-të e tjera në vend, gjë që pamundëson komunikimin, bashkëpunimin dhe organizimin e studentëve në nivel kombëtar.
Ky dokument politikash ofron një propozim për organizimin efektiv të studentëve në nivel IAL-je si dhe krijimin dhe funksionet e Parlamentit Kombëtar Studentor duke u bazuar në modelet nga vendet në rajon. Po ashtu dokumenti shoqërohet me masa konkrete që Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të duhet të ndërmarrin për implementimin e këtyre propozimeve si dhe me rekomandime për studentët dhe përfaqësuesit studentor në Senat Akademik dhe Këshilla Studentorë.
Klikoni këtu për të lexuar dokumentin e plotë.
Ky raport u zhvillua në kuadër të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”, pjesë e Edicionit IV të Debatit Universitar, Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Zhvillim Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë