Kristaq Ciko, Universiteti i Vlorës, pjesëmarrës në debatin universitar për integrimin

Dëgjojmë shpesh në përditshmërinë tonë të mbushur me gjithëfarësoj lajmesh, dy lajme që dallojnë prej simotrave të tyre, jo aq për nga përmbajtja, por më shumë nga fakti se janë të vetmet që përsëriten me të njëjtën frekuencë, në një “det” lajmesh që ndryshojnë vazhdimisht. Përvec vazhdimësisë së përsëritjes ato kanë edhe një tjetër pikëtakim, subjektin e përbashkët, i cili në të dyja rastet lidhet me atë grupmoshë që gjerësisht cilësohen si “rinia”. Këto dy lajme pra në thelb janë, njëra “ kronikë e një largimi të paralajmëruar” të të rinjve drejt vendeve të botës ku shpresa është ende gjallë, e tjetra një thirrje sa e shtirur aq edhe e dëshpëruar e atyre që mbi figurat e tyre ( nuk po them ndërgjegjie, sepse dyshoj ta kenë një të tillë) mbajnë mëkatin e mjerimit “tranzitor” të popullit të tyre. Edhe pse ironike dhe absurde ky është realiteti që na ofrohet përditë si një “lutje” e ndjerë prej një kaste politike që kërkon të na paraqitet me maskën e atit babaxhan që përkujdeset për ardhmërinë e bijve.

Në një analizë të thjeshtë shkak-pasojë nuk është e vështirë të kuptosh se e para, pra largimi është pasojë e të dytës, politikave shkombëtarizuese të cdo krahu e cdo ngjyre politike. Mirëpo  realiteti sado i hidhur qoftë na imponon të gjejmë një zgjidhje për aq kohë sa nuk do jetë shumë vonë. Në këtë pikë të diskutimit shfaqet edhe një problem tjetër, që lidhet me atë që sipas meje është mënyra kryesore, edhe pse më e ngadalta dhe e vështira, për të filluar daljen nga kjo “gangrenë shoqërore”. Kjo mënyrë mendoj se është padyshim angazhimi politik i të rinjve, si një forcë lëvizëse e shoqërisë. Jo vetëm sot, por përgjatë gjithë rrjedhës së historisë nga të rinjtë është pritur shumë dhe ata shpesh i kanë përmbushur pritshmëritë e shoqërisë. Në këtë optikë edhe ndaj rinisë shqiptare ( atyre që vendosin të mos largohen), ka një frymë të përgjithshme nxitjeje për të ndikuar në rinovimin e një politike të kalbur 30 vjecare. Mjafton të kujtojmë impaktin që protesta e studentëve në dhjetor 2019 pati në popullatën e gjerë, për të kuptuar se ata gëzonin përkrahjen e gjithë atyre që e duan ndryshimin. Mirëpo rinia, pjesë e të cilës jam edhe vetë, sot përballet me atë që Piero Calamandrei në një fjalim të mbajtur më 26 janar 1955 në Milano, për të përuruar një cikël prej shtatë konferencash mbi Kushtetutën, e organizuar nga studentët do ta cilësontë në këtë mënyrë: ” Një nga fyerjet që i bëhen Kushtetutës është indiferentizmi ndaj politikës, indiferentizëm që edhe pse këtu mes jush ndoshta nuk ndjehet shumë, në kategori të gjera të shoqërisë, vecanërisht te të rinjtë është në fakt njëfarë sëmundjeje e të rinjve”.

Përtej mprehtësisë së mendimit ajo cka më bën më shumë përshtypje është përputhshmëria e këtij fjalimi të mbajtur 66 vjet më parë me realitetin e sotëm shqiptar. Padiskutim që ky është një fenomen jo vetëm shqiptar, mirëpo në vendin tonë merr përmasa edhe më dramatike si pasojë e  numrit të vogël të popullsisë, cka e bën edhe më therrëse të vërtetën që na përplas në fytyrë realiteti. Dakordësohem plotësisht me fjalët e Calamandreit, duke qenë edhe vetë një nga këta të rinj që politikën e sheh si dicka të keqe e cila mund ta tjetërsoj për keq në planin personal, duke e detyruar t`i përshtatet atyre që prej 3 dekadash përcaktojnë ”rregullat e lojës” dhe për këtë arsye e trajton me indiferentizëm. Ndoshta nuk është faji ynë pse ata që kanë bërë politikë në këto 30 vjet në Shqipëri na kanë treguar imazhin e gabuar të politikës, duke e trajtuar atë jo si mënyrën kryesore për ta ndryshuar jetën e vendit, ose të paktën për të ndikuar në pasjen e një shoqërie më të mirë, por si Mefistofeli i Gëtes që të premton gjithcka në këmbim të shpirtit. Padyshim që ne si mbartës të shpresave të medha nuk kemi përgjegjësi për sa ka ndodhur deri më sot, mirëpo e di shumë mirë se nëse nuk do përpiqemi të ndikojme sadopak në realizimin e këtyre shpresave, nuk do ketë nevojë që më vonë ta pranojmë fajin, sepse vetë historia me aftësinë e saj për të gjykuar drejt të shkuarën do të na e bëjë gjyqin. Deri sa ai moment të vijë nuk na mbetet tjetër vecse të angazhohemi politikisht, si një përpjekje drejt krijimit të një kulture të ndryshme politike, jo vetëm te të rinjtë, por ndaj gjithë popullsisë, kulturë e cila do të na ndihmojë të përmirësohemi politikisht dhe të piqemi si shoqëri.