Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) organizoi takimin e parë të Edicionit të III të Debatit Universitar në 22 Tetor 2021 si një event hibrid me pjesëmarrjen e 23 pedagogëve, trajnerëve, dhe stafit të projektit nga 14 universitete në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Pas prezantimit të grupit tashmë të konsoliduar të mentorëve dhe trajnerëve të studentëve dhe stafit të projektit, u prezantuan arritjet e Edicionit të II të Debatit Universitar dhe më pas detajet e Edicionit të III të Debatit Universitar si pjesë e Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë.
Duke u bazuar në traditën tashmë të konsoliduar të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) për programin e debatit, si edhe në rigjallërimin e kulturës së debatit në nivel gjimnazi nga Organizata Liburnetik dhe në nivel universitar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) si edhe në interesin e lartë të shfaqur nga nxënësit, mësuesit, studentët dhe pedagogët, si edhe aktorë të tjerë, nis Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë për 2021-2024. Qëllimi i Programit është të fuqizojë të rinjtë (gjimnazistët dhe studentët) për të qenë qytetarë proaktivë, të mirë-informuar dhe me mendim kritik e aftësi të të folurit në publik duke marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre si dhe në jetën publike.
SCiDEV do të organizojë projektin ‘Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi’ duke përfshirë 14 universitete në 5 qytete në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. SCiDEV punon me studentët për t’i fuqizuar ata për të qenë të angazhuar në sferën publike përmes debatit si një instrument për aktivizimin e të rinjve si dhe përmes zhvillimit të aftësive kërkimore dhe advokimit të bazuar tek evidencat dhe të dhënat.
Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi – Edicioni III
Rezultatet e pritshme nga ‘Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi’ i SCiDEV janë:
- Kultura e debatit e konsoliduar në 14 universitete duke sjellë përforcim të analizës dhe të menduarit kritik, etikë të lartë në komunikim, tolerancë dhe vlera të qytetarisë aktive mes studentëve dhe kërkuesve të rinj dhe nxitjen e debatit mbi një nga politikat kryesore zhvillimore për Shqipërinë siç është arsimi.
- Aftësitë e 120 studentëve dhe kërkuesve të rinj të përforcuara nëpërmjet organizimit të: i) 1 set trajnimi online për 120 studentët e organizuar online për formatin e debatit; ii) Program Zhvillimi Kapacitete për të rinjtë e interesuar për aftësitë kritike, digjitale, aktivizimi, veprimi dhe jeta publike, njohja e të drejtave dhe detyrimeve si studentë; si të ndikojnë drejtimin e universitetit, si të ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese, të bëjnë aktivizim online, si të përdorim mjetet digjitale për të ndërmarrë veprime konkrete si qytetarë të angazhuar në jetën publike.
- Organizimi i 14 debateve brenda me 14 universiteteve dhe 1 debat final kombëtar.
- Zbatimi i programit “Nga fjala tek veprimi” për mbështetjen e 12 studentëve për të vënë në jetë nismat e tyre bazuar tek tematikat, idetë dhe aftësitë e debatit me fokus sektorin e arsimit të lartë i realizuar dhe promovuar nëpërmjet: mbledhjes së propozimeve nga studentët; mentorimin për realizimin e tyre, zbatimin dhe realizimin e ideve konkrete; advokimi dhe promovimi i tyre.
Prezantimi i Plotë i Projektit
Për më shumë klikoni në faqet e internetit të DebateLab dhe SCiDEV Center, si dhe ndiqni publikimet në Facebook SCiDEV dhe Twitter SCiDEV Center.