Në kushtet kur Shqipëria është në procesin e negociatave për anëtarësim, nevojitet që universitetet si prodhues të kërkimit shkencor dhe dijes dhe studentët si profesionistë të rinjë të përfshihen në mënyrë aktive në debatin për politikat zhvillimore të nevojshme që vendi duhet të ndërmarrë në shërbim të objektivave të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Pavarësisht së kësaj  nevoje, hapësirat e përfshirjes së studentëve në debatin publik mbi modelin zhvillimor të vendit janë të kufizuara, si rrjedhojë e mungesës së burimeve e vizionit nga institucionet dhe kapaciteteve të limituara të vetë të rinjve për t’u përfshirë në mënyrë efektive në debat.

Në këtë kuadër, Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) vijon traditën e konsoliduar të debatit universitar dhe ka kënaqësinë të lançojë Edicionin e pestë të tij.

Qëllimi i Laboratorit të Debatit Universitar është të fuqizojë kapacitet e studentëve për të marrë pjesë efektivisht në proceset vendimmarrëse të institucioneve të arsimit të lartë si dhe për t’iu qasur në mënyrë konstruktive dhe kritike zhvillimeve me rëndësi në jetën publike të vendit. Objektivat specifikë të projektit janë:

  1. Të nxisë debatin mbi rolin e IAL-ve në konceptimin e modelit zhvillimor të Shqipërisë dhe adresimit të sfidave të integrimit evropian të vendit.
  1. Konsolidimi i kulturës së debatit, duke përfshirë qasjen analitike ndaj dilemave zhvillimore, mendimin kritk, etikën në komunikim dhe tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive tek studentët shqiptarë.
  2. Të gjallërojë jetën studentore dhe të zgjerojë hapësirat e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjen dhe demokratizimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe shoqërisë në përputhje me vlerat europiane.

 

Në nder të përvjetorit të tij të pestë, Laboratori i Debatit Universitar do të shtrihet për herë të parë në të gjitha qytetet e Shqipërisë të cilat kanë Institucione të Arsimit të Lartë. 100 sudentë nga 14 universitete nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça dhe Gjirokastra do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e kompeticionit të debatit, dhe do të përfitojnë nga trajnimet e dedikuara përmes Programit të Fuqizimit të Kapaciteteve. Studentët do të zhvillojnë përballje në nivel IAL-je nga ku skuadra fituese do të përfaqësojë Universitetin/Fakultetin respektiv në Maratonën e Debatit Universitar.

3 skuadrat me pikët më të larta të akorduara nga juria vlerësuese do të përzgjidhen për t’u bërë pjesë e Fushatës “Nga Fjala tek Veprimi”, ku do të trajnohen për advokimin me bazë të dhënat si dhe do të hartojnë propozime dhe do të implementojnë nisma në bashkëpunim me studentë të Universitetit/Fakultetit të tyre.

Propozimet e aktivistëve të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi” do të detajohen nga të rinjtë pjesëmarrës në Forumin Rinor të Debatuesve dhe do të prezantohen para politikbërësve dhe aktorëve nga shoqëria civile, të cilët do të ndajnë rekomandimet e tyre dhe do të ndërveprojnë me të rinjtë. Projekti do të finalizohet me publikimin e 3 dokumenteve të politikave dhe zhvillimin e takimeve advokuese me aktorë relevantë për zbatimin e propozimeve.

Aplikimet do të zhvillohen online deri më 10 dhjetor, 23:59. Aplikimi është i aksesueshëm këtu

Për një informacion më të detajuar mbi kriteret e aplikimit dhe organizimin e këtij edicioni lexoni dokumentin e termave të referencës.