Në vijim të traditës tashmë të konsoliduar të debatit universitar falë mbështetjes financiare të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) lançon Edicionin e Katërt të Laboratorit të Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi në kuadër të Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë për vitin 2021-2024. Përmes këtij programi SCiDEV ka fuqizuar kapacitetet e studentëve pjesëmarrës për të qenë qytetarë proaktivë, të pajisur me mendim kritik dhe aftësi në të folurin në publik, që marrin pjesë në proceset vendimmarrëse të komunitetit të tyre si dhe në jetën publike të vendit.
Në vijim të këtyre përpjekjeve, SCiDEV përzgjedh, trajnon dhe përfshin çdo vit studentë nga universitete shtetërore e private në vend në një kampionat kombëtar debati ku skuadrat përfaqësuese të fakulteteve dhe universiteteve të ndryshme debatojnë mbi modelin zhvillimor të Shqipërisë si dhe mbi çështje me rëndësi për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Përpos zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve, studentëve pjesë të Laboratorit të Debatit Universitar u ofrohet mundësia të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Fushatës “Nga Fjala te Veprimi”, përmes së cilës studentët pjesëmarrës mentorohen për të advokuar përmes kërkimit shkencor dhe aktivizmit digjital për tematika socio-politike me interes rinor dhe publik në Shqipëri.
Në përputhje me synimin e tij për mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik të qëndrueshëm, SCiDEV ia ka dalë me sukses që në tre edicionet e mëparshme të Laboratorit të Debatit Universitar dhe dy edicionet e Fushatës Nga Fjala te Veprimi të realizojë:
- Përfshirjen e 14 universiteteve publike e private në 5 qytete të ndryshme të Shqipërisë
- Fuqizimin e kapaciteteve në mendim kritik dhe të folur në publik për rreth 400 studentë debatues.
- Krijimin e blogut të debatit universitar, i cili mban 100+ publikime të studentëve të angazhuar në debat.
- Fuqizimin e kapaciteteve kërkimore dhe advokuese të 22 studentëve pjesëmarrës të debatit përmes granteve dhe mentorimit të dedikuar në kuadër të Fushatës“Nga Fjala te Veprimi”.
- Krijimin e 5 raporteve të shkurtra studimore në kuadër të fushatës nga Fjala tek Veprimi me temat:
-
- Propozime të të Rinjve: Rëndësia e forcimit arsimit të lartë për të përballuar krizat: Rasti COVID-19
- Propozime të të rinjve: Impakti i COVID-19 në arsimin ë lartë në Shqipëri
- Sfidat e transformimit digjital në Shqipëri: Mbyllja e sporteleve të shërbimit
- Të kthejmë sytë nga hekurudha! Rivitalizimi i Korridorit Hekurudhor Shkodër-Durrës-Vlorë si pjesë e harruar e trashëgimisë industriale “1 Day 3 Stops”
- Kontributi i Rinisë dhe Diasporës në Mosrrjedhjen e Trurit
Përveç përfshirjes së universiteteve dhe studentëve, Edicioni i tretë i Laboratorit të Debatit Universitar tërhoqi edhe vëmendjen e mbështetjen e aktorëve nga sektori publik dhe privat. Përmes mbështetjes financiare të Agjencia Kombëtare e Rinisë, SCiDEV zgjeroi grupin e të rinjve përfitues nga program “Nga Fjala te Veprimi” duke krijuar kushtet e duhura për vënien në praktikë të njohurive të përftuara nga pjesëmarrja në programin e debatit për aktivizim, kërkim dhe advokim për 15 të rinj nga Tirana, Korça dhe Shkodra përmes fushatës #Rinaktive. Ndërkaq, bizneset Atom Computers dhe Tech360 Solution ofruan çmime simbolike për 2 skuadrat fituese, si shpërblim për angazhimin e vazhdueshëm dhe performancën e arritur brenda nismës.
Me qëllim tejçimin e mesazhit pozitiv për më shumë angazhim rinor në çështje me interes publik nga studentët pjesëmarrës në Laboratorin e Debatit Universitar, SCiDEV ka zhvilluar fushatë komunikimi përmes platformave digjitale në mënyrë kreative dhe të qëndrueshme përgjatë viteve, përmes krijimit dhe publikimit të videove profesionale. Krahas mesazheve për të rinjtë dhe të tjerë aktorë të rëndësishëm në jetën publike të vendit, studentët pjesëmarrës ndajnë edhe përjetimet dhe eksperiencat e tyre përgjatë ndjekjes së programit. Për t’u njohur me eksperiencat e të rinjve pjesë e Laboratorit të Debatit dhe Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”, mund të ndiqni videot e mëposhtme:
Laboratori i Debatit Universitar
- Eksperiencat e të rinjve në gjysmëfinalen e edicionit të tretë
- Eksperiencat e finalistëve të Edicionit të tretë të Debatit Universitar
Fushata “Nga Fjala tek Veprimi”
Në edicionin më të ri të Laboratorit të Debatit Universitar, do të përfshihen 12 Universitete nga qyteti i Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Korçës dhe Vlorës dhe do të trajnohen dhe debatojnë 120 studentë, të cilët do të ftohen po ashtu të aplikojnë për edicionin e tretë të fushatës “Nga Fjala te Veprimi”.
Në këtë edicion të katërt do të mbahet për herë të parë Forumi Rinor i Debatit, me mbështetjen e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe pjesëmarrjen e të rinjve debatues në gjimnaz, pjesë e programit ReDebate implementuar nga Liburnetik, dhe studentëve debatues, pjesë e programit Laboratori Universitar i Debatit-Nga Fjala te Veprimi i implementuar nga SCiDEV. Pjesëmarrësit e Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë do të kenë mundësinë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij forumi , ku do të debatojnë me përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, partive politike e aktorëve të tjerë mbi modele zgjidhjesh të problemeve të ndryshme në arsimin shqiptar.
Tjetër risi e parashikuar në këtë edicion do të jetë themelimi i Rrjetit informal ALUMNI i të rinjve debatues, cili do të përbëhet nga studentë të diplomuar, ish-pjesëmarrës të tre edicioneve të mëparshme të Laboratorit të Debatit Universitar dhe fushatës Nga Fjala tek Veprimi. Rrjeti ALUMNI do të shërbejë si një grup mbështetës për të mbështetur debatuesit e rinj përgjatë eksperiencës së tyre si debatues dhe si pjesë e fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”.
Për të qëndruar të përdiësuar me të rejat më të fundit të këtij projekti, ndiqni publikimet në website dhe në rrjetet sociale në Facebook, Instagram dhe Twitter të SCiDEV Center.