Dr. Blerjana Bino, 

Nevoja për zhvillimin cilësor të arsimit të lartë në Shqipëri është tashmë e mirëpranuar nga të gjithë aktorët. Zhvillimi i aftësive analitike dhe kritike të studentëve e kërkuesve të rinj është pjesë përbërëse e objektivit përfundimtar për një arsim më cilësor. Kultura e debatit, etika e të debatuarit, analiza kritike, aftësitë kërkimore dhe prezantuese janë aftësi dhe kompetenca që u nevojiten studentëve dhe kërkuesve të rinj, jo vetëm në akademi por edhe përtej saj në përgatitje për tregun e punës. Programi i debatit universitar i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe në zbatim nga Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” tashmë ka nisur të jap disa rezultate konkrete në universitetet tona. Natyrisht sfidat janë më të mëdha sesa mund të arrij të cek ky program pilot, megjithatë shfaqja e interesit të lartë si nga studentët/et dhe pedagogët/et është shenjë pozitive për të vazhduar më tej.

Krahas zhvillimit të aftësive analitike dhe kritike të studentëve e kërkuesve të rinj si edhe thellimit të njohurive rreth impaktit të integrimit europian në vend apo sfidave të Bashkimit Europian sot, ky program ka edhe një ndikim tjetër jo të drejtpërdrejtë, që lidhet me nevojën për të komunikuar kërkimin e pedagogëve apo kërkuesve përtej thjesht auditorëve dhe mjedisit akademik në tërësi. Ndaj projekti në fjal lancon edhe blog-un si një platformë fillestare ku pedagogët mentorë të projektit, studentët, kërkuesit e rinj dhe të tjerë të interesuar mund të komunikojnë kërkimin e tyre në gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht të aksesueshmë nga audienca të gjera përtej akademisë.

Një studim i realizuar nga autorja së bashku me disa kolegë të tjerë në 2017-2018 dhe mbështetur nga PERFORM, argumentonte se në një shoqëri të ndërlidhur dhe të orientuar kah inovacionit, komunikimi i kërkimit shkencor luan një rol thelbësor më shumë se kurrë më parë. Në ditët e sotme, komunikimi i kërkimit shkencor lehtësohet nga përhapja e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit si edhe nga parimet e demokratizimit dhe hapjes së shkencës. Kështu komunikimi i kërkimit është në interes të vetë sistemit të arsimit të lartë dhe shkencës, vendimmarrësve, sektorit privat, shoqërisë civile, medias dhe shoqërisë në tërësi.

Blerjana Bino dhe Irena Myzeqari, të cilat analizuan rastin e Shqipërisë, argumentojnë se komunikimi i shkencës në Shqipëri sikurse edhe në Ballkanin Perëndimor reflekton sfidat më të gjera që shkenca dhe kërkimi hasin. Së pari, komunikimi i shkencës nuk konsiderohet ende si një pjesë integrale e punës akademike. Si kërkuesit edhe institucionet kanë një kuptueshmëri të cunguar sa i takon komunikimit të shkencës, dimensioneve dhe mekanizmave të tij si edhe përfitimeve të mundshme. Studimi tregon që ende mbetet një qasje skeptike ndaj rolit të komunikimit të shkencës. Së dyti, komunikimi i kërkimit në shkencat sociale në Shqipëri e rajon nuk është i integruar me rrjetat më të gjera europiane apo botërore në këtë fushë – kufizime si gjuha apo madhësia e sektorit të shkencave sociale në këto vende. Së treti, sfidat e tjera shoqërore të sotme në Shqipëri ndikojnë gjithashtu edhe mënyrën sesi kuptohet apo realizohet komunikimi i shkencës. Disa nga format më bashkëkohore të komunikimit të shkencës si përmes mediave sociale, blogjeve apo aksesit të hapur në publikime janë ende në faza fillestare zhvillimi në Shqipëri.

Studimi në fjalë del në përfundimmin se komunikimi i kërkimit shkencor nuk është thjesht një prapashtesë e kërkimit: pa të, kërkimi shpesh injorohet dhe mbetet i skajuar. Në mënyrë të veçantë, që shkencat sociale të mbeten ende të vlefshme, është me rëndësi që rezultatet e kërkimit në shkencat sociale të kuptohen e vlerësohen nga kolegët në akademi, nga vendimarrësit, nga sektori privat dhe publiku i gjerë. Komunikimi efektiv i kërkimit nuk ka pse të mbetet ekskluzivitet i institucioneve të mirë-pajisuara dhe mirë-financuara, por në sajë edhe të medieve të reja mund të shërbejë për një impakt më të madh të shkencave sociale në shoqëri. Pikërisht duke kapitalizuar mbi mundësinë që ofron teknologjia, SCiDEV shpreson që ky blog të pasurohet edhe më tej, jo vetëm në kuadër të projektit të debatit universtar.