Endi Kalemi, student debatues, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
Tatimi mbi të ardhurat zë një peshë të konsiderueshme në sistemin tonë tatimor,prandaj rëndësia e mirëmenaxhimit të tij është e pamohueshme.Me gjithe ndryshimet e pervitshme që i janë bërë ligjit që rregullon funksionimin e tij, ende vendi ynë mbetet i fundit ndër vendet e rajonit për vjeljen e këtij tatimi.Në periudha të ndryshme, pesha e tij në buxhetin e shtetit ka qenë e ndryshme dhe kjo sigurisht që lidhet me normat tatimore të zbatuara respektivisht.
Aplikimi më i hershëm i njohur i taksimit progresiv u zhvillua në Angli në shekullin e 14. Në Shtetet e Bashkuara, tatimi i parë progresiv mbi të ardhurat u themelua nga Akti i të Hyrave në vitin 1862, ku u nënshkrua një ligj nga Presidenti Abraham Lincoln dhe u shfuqizua Taksa e Sheshtë jetëshkurtër e përfshirë në Aktin e të Ardhurave të vitit 1861.
Një taksë progresive është taksa në të cilën norma e taksës rritet si e tatueshme kur rritet edhe shuma e bazës. Termi “progresiv” përshkruan efektin e shpërndarjes mbi të ardhurat ose shpenzimet, duke iu referuar normës ku ajo përparon nga më e ulëta tek më e larta, dhe norma mesatare tatimore është më e ulët se norma tatimore margjinale[1]. Ky term mund të aplikohet për tatimet individuale apo për të gjithë sistemin tatimor; me një afat kohor: një vjeçare, shumë vjeçare, ose e përjetshme. Taksa progresive ka për qëllim të reduktojë incidencën e taksave tek njerëzit për tu ofruar atyre një mundësi për të paguar më pak. Në këtë mënyrë taksat e larta të zhvendosen tek individët apo bizneset me të ardhura të larta. E kundërta e një takse progresive është një taksë regresive, ku norma e taksës relative, ose barra rritet teksa mundësia e një individi për ta paguar atë zvogëlohet.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, politika e taksave ndryshoi nga skema e sheshtë në atë progresive, një sistem që ndiqet edhe sot nga qeveria aktuale,e cila i referohej si një bekim për shtresën e mesme dhe në nevojë,ndërsa opozita këmbëngul se ky model taksimi ka rrënuar ekonominë. Por përtej deklaratave politike, institucione të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare kanë përpiluar të dhëna konkrete mbi ndikimin që taksat kanë luajtuar në konsum dhe në përshkallëzimin e shtresave sociale. Ekspertët shqiptarë gjithashtu janë shprehur për këtë fenomen,ku shumica e tyre pohojnë se tatimi progresiv mbi të ardhurat personale ka rritur barrën fiskale, veçanërisht për shtresën e mesme të popullsisë, duke reduktuar edhe të ardhurat.Për më tepër,aplikimi i tatimit progresiv mbi të adhurat,ka larguar ekspertët e kompanive.Ajo për të cilën bien dakord ekspertët është se pavarësisht nga ideologjia për sistem fiskal të sheshtë apo progresiv,prevalon ideja për një sistem të thjeshtuar taksash, si për ato direkte ashtu edhe indirekte.[2]
Robert E.Hall dhe Alvin Rabushka[3] në vitin 1981,me librin e tyre“Taksa e sheshte” propozuan që në SHBA, të zëvendësohej sistemi aktual i tatimit mbi të ardhurat individuale dhe të korporatave me tatimin e sheshtë.Ata argumentojne se ky zëvendësim do të sjellë një përmirësim të madh. Sa herë kemi zgjedhje dhe si pasojë fushata zgjedhore, partitë politike dynden të shfaqin opinionet dhe angazhimet e tyre në funksion të mbledhjes së sa më shumë votave. Ato që merren me politike, e dinë fare mirë, se ekonomia është bërthama e çdo politike. Siç dihet, niveli i taksimit të përgjithshem, ndikon në ecurinë e të ardhurave buxhetore, si në rritje ashtu dhe në uljen e tyre. Taksa e sheshtë është implementuar në qeverisjen e djathtë, konkretisht në vitet 2007-2013[4], dhe modeli i taksimit progresiv në qeverisjen e majtë 2014-2021. Shoqëria jonë e cila karakterizohet nga një polarizim ekstrem kur bëhet fjalë për ide politike, asnjëherë nuk është fokusuar në çështjet ekonomike, që lidhen më mirëqënien tonë.Analiza e nivelit të taksimit, është një fushë e gjërë, e cila përfshin shumë dimensione të jetës ekonomike të një vendi. Dallimi thelbësor mes sistemeve të majta dhe të djathta lidhet pikërisht me rishpërndarjen e të ardhurave.Duke qënë të kufizuar në analizen e gjithë elementeve të cilët preken nga tatimet, do ndalemi në analizen e ndikimit në Tatimin mbi Ardhurat Personale dhe Nivelin e sigurimeve Shoqerore dhe Shendetsore. Modeli aktual tatimor për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, bazohet në tatimin progresiv të Pagave.
Aplikimi i taksës së sheshtë në Shqipëri solli një sërë efektesh[5].Ka pasur një rritje të kalimit të vendeve të punës në rregjistrat formal, investimet e huaja kanë pësuar njё rritje, rritje në fondin e pensioneve nga kontributet etj. Këto rezultuan në rritje në të ardhurat e taksapaguesve, në rritje tё investimeve, kursimeve dhe konsumit. Sigurisht dhe evazioni fiskal pati një ulje por jo nё nivelet e pritura. Një ndër efektet të cilat mund të konsiderohen jo pozitive janë të ardhurat nga tatim fitimi i korporateve të huaja, të cilat e kalojnë fitimin e tyre jashtë kufijve të vendit.
Ndërkohë një nga problemet e aplikimit të sistemit tatimor proporcional ishte mungesa e startegjive afatgjata ape moskoordinimi i tyre midis sektorëve publik. Problem tjetër qëndronte tek mënyra e implementimit të këtij sistemi në vendin tonë.Domosdoshmërisht duhet të ishte bërë më shumë i njohur dhe transparent për qytetarët në mënyrë të tillë që të mos shfaqte pengesa tatimore. Tatimi i sheshtë është aplikuar në Shqipëri që prej vitit 2007, duke patur efekt të menjëhershëm në rritjen e të ardhurave gjatë vitit 2008, para shpërthimit të krizës financiare globale. Unë jam i bindur që reforma e ndërmarrë atëhere duhet mbatjur dhe jo të eleminohet.
Në përfundim të analizës së të dhënave të trajtuara dhe duke marrë në konsideratë teoritë e autorëve ,konkluzioni i këtij punimi është se për vendin tonë tatimi i sheshtë është më i drejtë dhe i përshtatshëm. Në realitet taksat progresive ndëshkojnë padrejtësisht të pasurit dhe të suksesshmit dhe nuk ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.Argumentimi se të pasurit përfitojnë më shumë nga shërbimet publike është një mit,pasi nuk ka evidence për një përpjestim të drejtë midis sasisë së taksave që një subjekt paguan dhe përfitimeve të tij.Për më tepër,sistemi tatimor progresiv i ka hapur rrugë shmangies së padrejtë nga taksat dhe kjo bën që përfitimet të ulen ndjeshëm,sidomos në një vend si i yni ku informaliteti përbën një problematikë kyç. Lufta e klasave nuk është aspak një rezultat i dëshirueshëm dhe për të zbutur hendekun mes të pasurve dhe të varfërve rekomandohen politika sociale për ti mbështetur dhe jo progresiviteti i taksave.
Politika fiskale përbënë një komponentë të politikës ekonomike shtetërore që shfrytëzohet për qëllime makroekonomike për ta ndikuar nivelin e produktit,punësimit dhe çmimeve. Ekzistenca e një administrate efektive tatimore është gjithashtu thelbësore, jo vetëm për lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e biznesit dhe krijimin e një mjedisi i cili i tërheq dhe i siguron investimet e huaja, por edhe të funksionimit të sistemit të të hyrave në të gjitha nivelet e qeverisë.
Për ta përfunduar këtë punim me citatin aq shumë të përsëritur të Benjamin Franklin se në botë nuk është asgjë e sigurt përveç vdekjes dhe taksave.
[1]Fjalor Tatimor.
[2]https://gazetaimpakt.com/taksa-progresive-ne-shqiperi-nje-eksperiment-i-deshtuar
[3] Hall,R, Rabushka, A, “The Flat Tax,” Hoover Institution, 2007.
[4] UMF Nr.6, datë 10.02.2004, “Për marrëveshjet bilaterale për shmangjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”.
[5] Po aty.