Debati rinor për modelin e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë

Konteksti i projektit

Në kushtet e krizave të njëpasnjëshme në Shqipëri, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të dekadës së re që kemi hyrë tashmë, ka rëndësi përfshirja e të rinjve në debatin rreth modelit social dhe ekonomik të vendit duke siguruar kështu ndërtimin e një modeli gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrjen e gjeneratës së re.

 

Duke u bazuar në traditën tashmë të konsoliduar të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) për programin e debatit, si edhe në rigjallërimin e kulturës së debatit në nivel gjimnazi nga Organizata Liburnetik dhe në nivel universitar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) si edhe në interesin e lartë të shfaqur nga nxënësit, mësuesit, studentët dhe pedagogët, si edhe aktorë të tjerë, nis Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë për 2021-2024.

.

Qëllimi

Qëllimi i Programit është të fuqizojë të rinjtë (gjimnazistët dhe studentët) për të qenë qytetarë proaktivë, të mirë-informuar dhe me mendim kritik e aftësi të të folurit në publik duke marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre si dhe në jetën publike.

Objektiva specifikë

Objektivat specifikë të programit janë:

  1. të konsolidojë kulturën e debatit, kultivimin e analizës dhe të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive në Shqipëri tek të rinjtë në shkollën e mesme;
  2. të përforcojë aftësitë dhe mundësitë për veprim në jetën publike të studentëve përmes aktivizimit offline dhe online si edhe zhvillimit të aftësive analizuese, kritike dhe komunikuese përmes debatit mbi modelin e zhvillimit social-ekonomik për të ardhmen;
  3. të nxisë debatin mbi modelin e zhvillimit social ekonomik të Shqipërisë me fokus kryesisht arsimin, por edhe fusha të tjera prioritare për nxënësit dhe studentët.

Rezultatet

Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi

 

Rezultatet e pritshme nga ‘Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi’ i SCiDEV janë:

 

  • Kultura e debatit e konsoliduar në 14 universitete duke sjellë përforcim të analizës dhe të menduarit kritik, etikë të lartë në komunikim, tolerancë dhe vlera të qytetarisë aktive mes studentëve dhe kërkuesve të rinj dhe nxitjen e debatit mbi një nga politikat kryesore zhvillimore për Shqipërinë siç është arsimi.
  • Aftësitë e 120 studentëve dhe kërkuesve të rinj të përforcuara nëpërmjet organizimit të: i) 1 set trajnimi online për 120 studentët e organizuar online për formatin e debatit; ii) Program Zhvillimi Kapacitete për të rinjtë e interesuar për aftësitë kritike, digjitale, aktivizimi, veprimi dhe jeta publike, njohja e të drejtave dhe detyrimeve si studentë; si të ndikojnë drejtimin e universitetit, si të ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese, të bëjnë aktivizim online, si të përdorim mjetet digjitale për të ndërmarrë veprime konkrete si qytetarë të angazhuar në jetën publike.
  • Organizimi i 14 debateve brenda me 14 universiteteve dhe 1 debat final kombëtar.
  • Zbatimi i programit “Nga fjala tek veprimi” për mbështetjen e 12 studentëve për të vënë në jetë nismat e tyre bazuar tek tematikat, idetë dhe aftësitë e debatit me fokus sektorin e arsimit të lartë i realizuar dhe promovuar nëpërmjet: mbledhjes së propozimeve nga studentët; mentorimin për realizimin e tyre, zbatimin dhe realizimin e ideve konkrete; advokimi dhe promovimi i tyre.