Blerjana Bino
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
*Ky artikull është realizuar në kuadër të Akademisë së Medias të Institutit Shqiptar të Medias
Në 16 shtator 2022, Komisioni Europian (KE) propozoi Aktin Europian të Lirisë së Medias duke propozuar rregulla për të mbrojtur pluralizmin dhe pavarësinë e medias në Bashkimin Europian (BE).
Ligji i propozuar përfshin, ndër të tjera, masa mbrojtëse kundër ndërhyrjeve politike në vendimet editoriale dhe si edhe masa kundër mbikëqyrjes (surveillance). Ky akt vë fokus në pavarësinë dhe financimin e qëndrueshëm të mediave të shërbimit publik, si dhe në transparencën e pronësisë së medias dhe shpërndarjen e reklamave shtetërore. Rregullorja gjithashtu përcakton masat për mbrojtjen e pavarësisë së redaktorëve dhe zbulimin e konflikteve të interesit. Së fundi, Akti Europian për Lirinë e Medias do të trajtojë çështjen e përqendrimeve të pronësisë mediatike dhe do të krijojë një Bord të ri të pavarur Evropian për Shërbimet Mediatike, i përbërë nga autoritetet kombëtare të medias. Komisioni miratoi gjithashtu një rekomandim plotësues për të inkurajuar mbrojtjen e brendshme për pavarësinë editoriale.
Zëvendës-Presidentja për vlerat dhe transparencën, Věra Jourová, tha kur u prezantua legjislacioni i ri: “Ne kemi parë gjatë viteve të fundit forma të ndryshme presioni ndaj mediave. Është koha për të vepruar. Ne duhet të vendosim parime të qarta: asnjë gazetar nuk duhet të spiunohet për shkak të punës së tij; asnjë media publike nuk duhet të kthehet në kanal propagande. Kjo është ajo që ne po propozojmë sot për herë të parë ndonjëherë: masa të përbashkëta mbrojtëse për të siguruar lirinë e medias dhe pluralizmin në BE”.
Aktorët kryesore për lirnë e medias kanë shprehur si vlerësim, ashtu edhe shqetësim për aspekte të caktuar: “Ky legjislacion i propozuar evropian për lirinë e medias duhet të mirëpritet dhe të mbrohet sepse pasqyron vullnetin e Komisionit Evropian për të ruajtur vlerat e Bashkimit kundër korporatave të fuqishme të sektorit privat, shteteve autoritare dhe manipulimit të jashtëm. Ne vlerësojmë miratimin e shumë prej rekomandimeve të paraqitura nga Reporterët pa Kufinj, në veçanti, qasjen e Marrëveshjes së Re për Gazetarinë e propozuar nga Forumi për Informacionin dhe Demokracinë. Megjithatë, ky legjislacion i propozuar është ende i pafavorshëm në fusha të caktuara dhe do të duhet të përmirësohet” (RSF, 2022).
Cilat janë ndryshimet që priten?
Akti Evropian për Lirinë e Medias do të sigurojë që mediat – publike dhe private – të mund të operojnë më lehtë përtej kufijve në tregun e brendshëm të BE-së, pa presione të panevojshme dhe duke marrë parasysh transformimin digjital të hapësirës mediatike. Disa nga shtyllat kryesore janë:
Mbrojtja e pavarësisë editoriale – Ky Akt do t’u kërkojë shteteve anëtare të respektojnë lirinë efektive editoriale të ofruesve të shërbimeve mediatike dhe të përmirësojnë mbrojtjen e burimeve gazetareske. Për më tepër, ofruesit e shërbimeve të medias do të duhet të sigurojnë transparencën e pronësisë duke bërë publikisht një informacion të tillë dhe të marrin masa me synimin për të garantuar pavarësinë e vendimeve individuale editoriale.
Sipas Komisionit Europian, një element tjetër është mos lejimi i përdorimit të software-ve spiun ndaj medias, gazetarëve, stafeve të medias dhe familjarëve të tyre.
Mediat e pavarura të shërbimit publik – aty ku ekzistojnë media të shërbimit publik, financimi i tyre duhet të jetë adekuat dhe i qëndrueshëm, në mënyrë që të sigurohet pavarësia editoriale. Kreu dhe bordi drejtues i mediave të shërbimit publik do të duhet të emërohen në mënyrë transparente, të hapur dhe jodiskriminuese. Ofruesit e mediave të shërbimit publik duhet të ofrojnë një mori informacionesh dhe opinionesh, në mënyrë të paanshme, në përputhje me misionin e tyre të shërbimit publik.
Testet e pluralizmit të medias – Akti i Lirisë së Medias kërkon që Shtetet Anëtare të vlerësojnë ndikimin e përqendrimeve të tregut të medias në pluralizmin e medias dhe pavarësinë editoriale. Ai gjithashtu kërkon që çdo masë legjislative, rregullatore ose administrative e marrë nga një Shtet Anëtar që mund të ndikojë në media është e justifikuar dhe proporcionale.
Transparenca e reklamave shtetërore – Ligji për Lirinë e Medias do të vendosë kërkesa të reja për ndarjen e reklamave shtetërore në media, në mënyrë që ajo të jetë transparente dhe jodiskriminuese. Ligji gjithashtu do të rrisë transparencën dhe objektivitetin e sistemeve të matjes së audiencës, të cilat kanë një ndikim në të ardhurat nga reklamat e mediave, veçanërisht në internet.
Mbrojtja e përmbajtjes së medias në internet – bazuar në Aktin e Shërbimeve Digjitale, Akti për Lirinë e Medias përfshin masa mbrojtëse kundër heqjes së pajustifikuar të përmbajtjes mediatike të prodhuar sipas standardeve profesionale. Në rastet që nuk përfshijnë rreziqe sistemike si dezinformimi, platformat shumë të mëdha në internet që synojnë të heqin disa përmbajtje ligjore mediatike që konsiderohen në kundërshtim me politikat e platformës do të duhet të informojnë ofruesit e shërbimeve mediatike për arsyet, përpara se një heqje e tillë të hyjë në fuqi. Çdo ankesë e paraqitur nga ofruesit e shërbimeve mediatike do të duhet të përpunohet me përparësi nga ato platforma.
Propozimi shoqërohet nga një Rekomandim që përcakton një sërë praktikash më të mira vullnetare të mbledhura nga sektori dhe të orientuara drejt promovimit të pavarësisë editoriale dhe transparencës më të madhe të pronësisë.
Ky propozim nga Komisioni Europian përpiqet që të adresojë sfidat e sektorit të medias në BE që janë evidentuar së fundmi nga raporte të pavarura si Monitori i Pluralizmit Mediatik. Ky propozim është i ndërlidhur edhe me Aktin Europian për Shërbimet Digjitale dhe Aktin për Tregjet Digjitale si edhe Kodin e Praktikave për Dezinformacionin.
Akti është ende në proces rishikimi dhe nuk është miratuar ende nga Parlamenti Europian. Procesi i konsultimit është kompleks pasi edhe ccështja që trajtohet lidhet po aq sa me demokracinë edhe me ekonominë. Kështu nga njëra anë qendrojnë skeptikët ndërhyrjeve rregulluese për çështje të tilla si liria e medias apo liria e fjalës. Këto argumente janë të ngulitura fuqishëm në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga i cili mund të argumentohet se rregullore të tilla do të impononin kufizime në lirinë e fjalës.
Në këtë drejtim, dhënia e kontrollit Komisionit për rregullimin e medias mund të rrezikojë ligjet kombëtare që sigurojnë pavarësinë e organizatave mediatike nga shtetet. Ka shumë sfida që duhen adresuar për t’u siguruar që rregullorja ndihmon në ndërtimin e masave mbrojtëse të forta për pluralizmin mediatik pa rrezikuar sistemet që tashmë funksionojnë (GFMD, 2022). Megjithatë mbrojtësit e këtij ndryshimi argumentojnë që qëllimi nuk është që Komisioni të ketë kontroll mbi mediat, por që të mund të sigurojë pavarësinë e tyre. Në kushtet e sistemeve mediaktike të brishta, mbetet vetëm një ndërhyrje me qasje të plotë në të gjithë Europën për të ruajtur gazetarinë cilësore, pavarësinë dhe qendrueshmërinë e medias (GFMD, 2022).
Rezistenca ndaj Aktit Europian për Lirinë e Medias vjen për tre burime kryesore: shtetet anëtare që kanë probleme evidente me lirinë e medias dhe po eksportojnë problemin e kapjes së medias (Hungari, Poloni, Bullgari, Greqi); shtetet anëtare me sektorë mediatikë relativisht të shëndetshëm që janë të kujdesshëm ndaj hyrjes së BE-së në territore të reja si rregullimi i medias dhe së treti, grupet e botuesve që e shohin këtë Akti si një kërcënim për lirinë e tyre për të kryer biznes dhe për të botuar. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë një kuptim shumë të mirë të problemeve që ky Akt duhet të adresojë, por do të jetë në Këshill ku betejat kyçe ka më shumë gjasa të zhvillohen (më shumë në analizën e IPI, 2022). Debati është i polarizuar midis atyre që e shohin rregullimin ligjor si një kërcënim për lirinë e medias dhe atyre që besojnë se vetëm ndërhyrjet e forta ligjore mund të shpëtojë lirinë e medias. Është i nevojshëm një dialog shumë më konstruktiv që njeh shqetësimet legjitime të palëve të ndryshme për të formuar një akt të lirisë së medias që mund të adresojë realisht kapjen e medias, duke siguruar masa mbrojtëse kundër tejkalimit dhe abuzimit rregullator (IPI, 2022).
Këto ndryshime janë shumë të rëndësishme për realitetin mediatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku kapja e medias dhe problemet me përqendrimin dhe mungesën e transparencës së pronësisë ë medias, ndërlidhjet mes politikës, biznesit dhe medias janë disa nga problemet më emergjente që kushtëzojnë cilësinë dhe pavarësinë e medias. Si vende kandidate për anëtarësim apo që aspirojnë për tu bërë vende kandidate për anëtarësim, legjislacioni i propozuar rezonon edhe për rajonin. Kështu që me përafrimin e legjislacionit do të duhet të bëhet edhe përqafrimi i kuadrit ligjor për lirinë e medias, një sprovë për rajonin duke konsideruar tendencat autokratike në disa prej këtyre shteteve (më shumë në artikullin e Antoineta Nikolova). Akti, pasi të miratohet, do të bëhet pjesë e acquis të BE-së dhe gjithashtu do të duhet të pranohet nga vendet kandidate si pjesë e rregullave të tregut të brendshëm (Balkan Insight).
Aktualisht, Komisioni Evropian po mbështet sektorin e medias në Ballkanin Perëndimor me pothuajse 38 milionë euro, përmes programeve rajonale dhe dypalëshe, dhe kjo do të rritet edhe më shumë në periudhën në vijim. Mbështetja e aktorëve të medias dhe kundërveprimi i sfidave të teknologjive të reja është gjithashtu një nga objektivat kryesore të Programit të ri Tematik për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë 2021-2027. Programi Tematik do të mbështesë gjithashtu organizatat e shoqërisë civile për të promovuar media të pavarura dhe një sferë digjitale në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut (BE-BP Konferenca e Medias).