Dr. Besmira Lahi,
Njohja me debatin përbën një përvojë unike në jetën e një të riu: rrugë të reja që hapen e kryqëzohen me njera tjetrën, njerëz që takohen dhe rrjet miqësor e profesional që do të të ndjekë gjithë jetën e për më tepër një përvojë të nxënit, e vështirë të përftohet në mënyra të tjera. Po si është e mundur? Në përpjekje e sipër për të qenë objektive duke lënë mënjanë arsyen se ‘debati kontribuoi në njeriun që jam sot’, perpektiva ime mbi debatin paraqitet në këndvështrimin e një pedagogu e psikologu ku marrëdhënia mes mendjes e sjelljes përbën thelbin e trajtimit. Si e tillë, parashtroj tezën se “Debati rrit vetëbesimin duke sfiduar njohjen dhe nxitur zhvillimin personal” përmes argumentave të mëposhtëm:
Së pari: Debati përbën një mundësi për të njohur identitetin personal prej debatuesi, mënyrën se si reagon individi kur përballet me këndvështrimet e jashtëgrupit që paraqet e mbron ide të kundërta duke tronditur themelet e të kuptuarit “cila është mënyra më e mirë për të reaguar e vepruar?” Si i tillë debatuesi dhe kujdeset për të respektuar diversitetin e mendimit krahas diversitetit kulturor njerëzor. Komunikimi brenda grupit intensifikohet me qëllim rritjen e identitetit social, identitetit të grupit dhe më pas debatuesi merr rolin (ku ndërthuren një seri besimesh dhe pritshmërish) duke paraqitur mendimin e qasur në grup me zë dhe njëherazi duke u ndjerë pjesëmarrës i një lëvizje të fuqishme për ndryshim.
Npërmjet eksplorimit e njohjes së pozicionit që debatuesit do të mbajnë përgjatë minutave të debatit, ato arrijnë të njohin më shumë rreth vehtes së tyre, e cila pavarësisht lehtësisë së fjalës përbën një gjurmë të kompleksitetit njerëzor e dokumentuar që në kohët e lashta Sokratike ku citohej se “të njohësh vehten është fillimi i njohjes”.
Së dyti: Debati nxit zhvillimin personal përmes stimulimit të aftësive të buta (soft-skills) duke ndikuar në mendimin kritik, aftësitë e komunikimit e uljen e ankthit të ligjërimit në publik, zgjidhjen e problemeve, negociimin dhe vendim-marrjen në grup, aftësi të domosdoshme për tregun e punës vendas e global.
Debati është një përvojë të nxënit për secilin që bëhet pjesë e tij dhe përbën një mendjehaptësi për të gjithë edukatorët, instruktorët e mësimdhënësit meqenëse nxit kuriozitetin prej kërkuesi duke nisur nga mbledhja e të dhënave empirike, konceptimi i teorisë, gjetja e metodave, konkluzionet e më pas komunikimin e gjetjeve para publikut duke përfaqësuar hapat e mirëfillta të një kërkimi shkencor.
Për të kuptuar impaktin e debatit si një teknikë e përdorur gjatë procesit të mësimdhënies janë ndërmarrë një seri kërkimesh me natyrë kuazi-eksperimentale me matje para e pas përdorimit të teknikës së debatit. Kështu, një studim i vitit 2017 i ndërmarrë në Indonezi tregoi se vërehet një përmirësim i ndjeshëm i aftësive të të menduarit kritik si dhe aftësive të të folurit në përgjithësi, si në vijim: “rrjedhshmërisë 67.4%, grammatikës në nivelin 13.7%, theksin 8.3%, të kuptuarit 5.4%, si dhe në fjalorin e përdorur 1.4%”[i] .
Së treti, Debati rrit inteligjencën emocionale si dhe empatinë personale të debatuesit duke zhvilluar të kuptuarit si dhe duke replikuar me etikë. Aftësia për “të kuptuar emocionet sikurse do të ishit në pozicionin e tjetrit” lehtëson ndërtimin e marrëdhënieve me të tjerët duke shprehur kujdes e vëmendje në vazhdimësi. E tillë është edhe filozofia e debatit: synon të ndërlidhë grupe me interesa të ndryshme me qëllim njohjen dhe dëgjimin e avantazheve e dizavantazheve të një rezolute duke inkurajuar në fund një vendim-marrje efikase e për një të tillë, është e rendësishme të vendosesh në pozitat e tjetrit. Sikurse shprehet një psikolog humanist Carl Rogers (1959) “Nëse do të kujdesesh vërtetë për tjetrin, nuk mjafton vetëm të flasësh, por të dëgjosh mire/me autenticitet, duke mbajtur një qasje pozitive si dhe empati”.
Debatuesit sfidojnë vlerat e tyre universale njerëzore që sipas modelit te vlerave te Schwartz synojnë universalizmin-të kuptuarit dhe mbrojtjen e mirëqënies së njerëzve e natyrës, mirësinë-mirëqënien e njerëzve me të cilët kontaktojmë më shpesh (brenda grupin), traditën: përcaktojnë qëllimin, duke paraqitur edhe fuqinë e tyre: statusin, privilegjet, arritjet e tyre: kompetencat përkundrejt standarteve sociale, me doza hedonizmi: kënaqësi në paraqitjen e vehtes, stimulimit dhe krijimit në mënyrë të sigurtë e në harmoni më atë çfarë është më e mira për shoqërinë.
Ekspozimi me tjetrin kërkon vetëbesim të lartë si dhe zhvillon aftësitë e komunikimit verbal e joverbal duke dhuruar aftësinë për të debatuar në mënyrë dinjitoze më cilindo pavarësisht moshës, nivelit akademik apo pozizionit në punë. Së bashku me skuadrën profesioniste të SCiDEV ne po synojmë për ta shtruar debatin si një mënyrë e njohjes e zhvillimit të individit, për një të mirë publike, për të nxitur një kulturë debati mes nesh po ashtu.
Edhe ti mund të debatosh dhe të përfitosh nga të mirat e debatit. Në çfarë mënyre? Ta nisim nga tavolinat ku drekojmë e darkojmë në çdo shtëpi të madhe e të vogël, ku një mendim i ndërtuar bukur nga fëmija ka kuptim dhe arrin të ndikojë në vendimet e një familjeje. Ta nisim me debatet mbi zgjedhjet e shkollës së lartë, karrierës që do të ndjekim ku krahas pasioneve të përballemi me të dhëna e referenca, do ishte më mirë , për të gjithë .
Unë e kam nisur tashmë, po ju?
Referenca:
Schwartz, S. H. (2012). An Overview of the Schwartz Theory of Basic Values. Online Readings in Psychology and Culture, 2(1). https://doi.org/10.9707/2307-0919.1116
Konstantikaki V.(2008). Empathy and emotional intelligence: What is it really about? International Journal of Caring Sciences, 1(3):118–123
http://internationaljournalofcaringsciences.org/docs/Vol1_Issue3_03_Ioannidou.pdf
Stets, Jan & Burke, Peter. (2000). Identity Theory and Social Identity Theory. Social Psychology Quarterly. 63. 224. 10.2307/2695870.
Iman, J. N. (2017). Debate Instruction in EFL Classroom: Impacts on the Critical Thinking and
Speaking Skill. International Journal of Instruction, 10(4), 87-108 https://www.researchgate.net/publication/320165326_Debate_Instruction_in_EFL_Classroom_Impacts_on_the_Critical_Thinking_and_Speaking_Skill
https://debate.uvm.edu/dcpdf/DEBATE-%20Important%20for%20Everyone.pdf