Marlin Muça, student debatues

Zhgënjimi ndaj kësaj klase politike shoqërohet me paradigmën e famshme se politikës i duhen fytyra të reja. Njerëz të rinj në moshë, të papërlyer me forcat politike tradicionale, e për rrjedhojë të paprekshëm nga rrebeshi  I akuzave të bëra nga populli ( që prapë voton ata që  me zulm shan dhe përgojon) për korrupsion e lloj soj akuzash të tjera. Kjo etje për figura të reja na bën shpeshherë t’i besojmë njerëzve të gabuar. Historia e afërme dhe ajo e largët na ka treguar se e reja jo domosdoshmërisht është më e mirë se e vjetra. Të rinjtë në politike, sidomos ata që me kaq ngulm përbaltin të vjetrën, kanë qenë po ata që me urinë e tmerrshme për para dhe famë, i kanë përvijuar popujve të tyre një realitet po kaq të tmerrshëm. Ky zhgënjim i përsëritur në mijëra vite, qindra popuj dhe shoqëri, padyshim që ka një shkak. Një shkak i cili nuk duhet të gjendet te konsumimi dhe paaftësia e së vjetrës për t’u përshtatur me kohën dhe rrethanat e reja, por te standardi i gabuar që njerëzit përdorin për të gjykuar alternativat e reja.

Shoqëritë që bien në gabime të tilla, e përdorin rininë e atyre që aspirojnë të futen në politikë,  si njësi matëse të ndershmërisë politike. Dhe këtu pikërisht është gjeneza e një gabimi fatal që i ka kushtuar njerëzimit tragjedi të pafundme. Njerëzit e lodhur nga politika e vjetër priren t’i besojnë një studenti që qahet për realitetin me patetizëm, duke ndërfutur dokrra populiste në diskurin e tij, ndërkaq një njeri në moshë, profesionist dhe i paangazhuar më parë në politikë, që flet mbi realitetin dhe me argumenta teknik e shkencor, braktiset nga audienca me pretendimin se është i mërzitshëm dhe teknokrat. Ndërkohë, këta të rinj patetikë fitojnë vëmendje mediatike, ithtarë për kauzat e tyre populiste, gjersa arrijnë të fitojnë hapësirën e duhur elektorale për të jetësuar demagogjinë e tyre. Në shekullin e 20, kjo demogagji shkaktoi me miliona viktima që nga stepat lindore ku praktikohej bolshevizmi e deri në Europën qëndrore, ku një tjetër derivat i së majtës (nazizmi) shfaroste kategori të caktuara të popullsisë, duke i lënë Europës një vragë të pakthyeshme.

Koha në të cilën jetojmë nuk i lejon  tragjedi të tilla, mirëpo populizmi si djathtas ashtu edhe majtas, ka shkaktuar dëme të pallogaritshme ekonomike dhe krisje të thella në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mbi të gjitha, një dëm i jashtëzakonshëm i shkaktohet vendit fatkeq ku populizmi fiton dhe gjen terren të fortë. Syriza në Greqi nuk e zgjidhi krizën financiare greke. Sjellja snobe e Varufakis nuk e reduktoi borxhin grek dhe mëngët e përthyera të Tsipras nuk e rritën mirëqënien e shoqërisë së atjeshme.

Ndaj dhe zëvëndësimi i së vjetrës duhet të jetë gradual dhe i drejtuar nga njerëz të pjekur, që dinë ta manovrojnë kujdesshëm pakënaqësinë popullore. Kosova pati fatin të kishte një President si Rugova në rrugën e saj drejt pavarësisë, pavarësisht se politikani i qetë dhe intelektuali i pashok nuk jetoi aq gjatë sa të shihte frytin e punës së tij të merrtë jetën e merituar. Në Portugali, revolucioni I trëndafilave do të ishte kthyer në një luftë civile të përgjakshme, nëse qarqet ushtarake konservatore dhe e majta e qendrës nuk do të ishin distancuar dhe më pas të defaktorizonin  qarqet ekstremiste që rrezikonin ta kthenin Portugalinë në një skenar të ngjashëm me Spanjën e viteve 36-39.

Vendi ynë i ka të gjitha kapacitet për të kryer një ndryshim gradual të elitave politike në favor të një politike të re më humane, gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Ne nuk  duhet të biem në aventura të rrezikshme  dhe pre e aventurierëve që kërkojnë të përsërisin të njëjtat gabime të shekullit të kaluar. Shoqëria shqiptare nuk duhet të bjerë në grackën e populizmit majtist, të ndërtuar mbi teorinë e vitit 0 dhe mbi intolerancën ndaj mendimit ndryshe. Ne e dimë fare se ku na çon kjo rrugë. Ka ardhur koha që partitë shqiptare të rikthehen në elektoratin e tyre tradicional, për të thithur prej andej profesionistë të rinj, ideologë të moderuar të majtë dhe të djathtë, të aftë për t’i dhënë vendit të tyre një të ardhme stabile, demokratike dhe të sigurt për qytetarët shqiptarë. Revanshi nuk mund të jetë përgjigjja e pakënaqësisë së grumbulluar ndër vite. Demagogjia nuk mund të jetë antidoti i një tranzicioni të dhimbshëm për shqiptarët. Shqiptarët kanë nevojë për pjekuri politike, për një elitë të re politike djathtas dhe majtas, të gatshme për ta çuar vendin tonë në ujëra të sigurta e jo për ta përplasur në aventura të njohura nga historia dhe vuajtja e atyre që mbajtën mbi vete urrejtjen e paarsyeshme të komunizmit.

Mesoburrat dhe mesogratë, të sprovuar në profesionet e tyre janë parakushti i një klase politike të përgjegjshme për të qenë në lartësinë e asaj që pret shoqëria.