Dr. Dorina Gjipali, Universiteti “Luarasi” —

 

 

Më trego dhe unë harroj.

Më mëso dhe mbaj mend.

Më përfshij dhe mësoj.

 

Benjamin Franklin

 

Projekti “Debati universitar per integrimin” në edicionin e dytë të tij kalon nga fjala tek veprimi dhe do të vazhdojë të ketë kryefjalë të tij studentët e të promovojë fort pjesëmarrjen aktive të tyre në aktivitete ekstrakurrikulare dhe me impakt social.

Pas suksesit të edicionit të parë, në këtë edicion të dytë është menduar të organizohen përvec trajnimit të studentëve për debatin edhe trajnime me synim rritjen e pjesëmarrjes dhe aktivizimit studentor brenda dhe jashte universiteteve.

Kështu, trajnimet do të synojnë thellimin dhe zgjerimin e njohurive të studentëve në tema si aktivizimi dhe përfaqësimi studentor, këshillat studentor, ligji i arsimit të lartë dhe studentët, konsultimi dhe transparenca, sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë, sfidat dhe vështirësitë por edhe përfitimet e përfaqësimit dhe aktivizimit studentor, aktivizimi publik e politik i të rinjve si dhe mjetet digjitale, teknologjia dhe mediumet sociale në funksion të aktivizimit studentor.

Në kontekstin universitar është shumë e rëndësishme që studentët të informohen dhe të angazhohen në diskutime dhe konsultime publike për çështje që lidhen drejtpërsëdrejti me ta.

Universitetet duhet ti forcojnë lidhjet dhe të ndikojnë në fuqizimin e strukturave të përfaqësive studentore në mënyrë që të përthithet më së miri kontributi dhe pjesëmarrja e studentëve neë proceset e menaxhimit akademik, cilësisë së mësimdhënies si dhe politikbërjes në këto institucione.

Trajnimet do të synojnë të përditësojnë njohuritë dhe të krijojnë një vizion më të qartë tek studentët për kuadrin ligjor të arsimit të lartë me fokus të veçantë tek përfaqësimi i studentëve, zgjedhja, përbërja dhe funksionet e këshillave studentor si dhe format e aktivizimit studentor.

Një nga objektivat që synohet të arrihet nëpërjet trajnimeve është rritja e vetëdijes së studentëve për vlerat e potencialin por edhe përgjegjësinë që ata mbartin për të qenë pjesëmarrës aktiv në proceset vendimmarrëse jo vetëm brenda ambienteve universitare por edhe në nivel lokal dhe qëndror.

Trajnimi do të synojë qasjen pjesëmarrëse dhe interaktive të studentëve në mënyrë që ata të shprehin qëndrimet, mendimet, pikëpamjet dhe eksperiencat e tyre si pjesë e përfaqësive studentore por edhe si aktorë dhe faktorë brenda dhe jashtë auditoreve universitare.

Promovimi i pjesëmarrjes dhe rolit aktiv të studentëve në organet e universiteteve dhe në këshillat studentor sot, do të thotë të promovosh pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrjen dhe qeversjen vendore e qëndrore nesër, do të thotë të zhvillosh dhe përmirësosh demokracinë e një vendi.  

 

Ky projekt mbështet fort aktivizimin studentor, zëri i studentëve duhet të dëgjohet sot, në mënyrë që nesër si lidera të ardhshëm, të dijnë të na dëgjojnë e të na përfaqësojnë më së miri.