Av. Megi Kurti —

Në një kohë të tillë të pazakontë në të cilën gjenden të gjitha shtetet, masat e ndërmarra kundrejt parandalimit apo mbajtjes në kontroll të shifrave të të prekurve nga ky virus, padyshim shëndeti i qytetarëve është thelbësor.

Komisioni Europian dhe Këshilli kanë ndërmarrë masa ekonomike të larta duke përdorur të gjithë fuqinë e buxhetit Europian për rikuperimin në masë të industrive e shërbimeve të mëdha të cënuara e dëmtuara nga kriza aktuale, me qëllim rikuperimin “pas-korona”.

Megjithatë, krahas aspekteve ekonomike që kriza cënon, masat e marra nga shtetet, për shkak edhe të detyrimeve që shtetet kanë si palë kontraktuese në instrumente ligjore ndërkombëtare, përballen me një sfidë juridike për zbatimin e njëkohshëm të detyrimeve ndërkombëtare dhe moscënimin e tyre në rang ndërkombëtar. Për këtë është më së shumti i angazhuar Këshilli i Europës fokusi i të cilit është respektimi i të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut, respektimi i demokracisë dhe zbatimi efektiv i ligjit janë disa nga pikat kyçe që sfidojnë çdo qeveri të shteteve ndërkohë që hartojnë e zbatojnë masat më emergjente të kohës.

Lidhur me këtë problematikë, në javën e parë të prill 2020, Sekretare e Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Marija Pejčinović Burić u ka dërguar të gjitha qeverive në Europë një sistem masash që duhen mbajtur parasysh për respektimin e të drejtave të njeriut, demokrazisë dhe sundimit të ligjit përgjatë krizës nga COVID-19. Ky dokument i dërguar 47 shteteve anëtare të Këshillit të Europës detajon mundësitë ligjore të derogimeve nga disa prej detyrimeve që shtetet kanë marrë përsipër si palë kontraktuese në instrumente ligjore ndërkombëtare.

Sikurse Sekretare e Përgjithshme citon, “Virusi po shkatërron shumë jetë, por nuk duhet të lëmë të shkatërrojë vlerat tona thelbësore”. Ajo shton se, “Sfida madhore sociale, politike dhe ligjore me të cilën po përballen shtetet anëtare lidhet me aftësinë e tyre për t’ju përgjigjur në mënyrë sa më efektive kësaj krize, ndërkohë që sigurojnë se masat e marra nuk prekin interesat thelbësore afatgjata në ruajtjen e vlerave themelore Europiane të të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe sundimit të ligjit.”

Dokumenti i shpërndarë në formën e një pakete, çdo qeverie të shteteve anëtare të KE shërben për t’i ofruar ndihmë në përballjen me krizën aktuale të paprecedentë e në shkallë masive, por duke ruajtur proporcionalitetin e marrjes së masave me kërcënimin që po përballet dhe duhet të jenë të kufizuara në kohëzgjatjen e tyre.

E shprehur në trajtën më të përmbledhur, paketa ndihmues mbulon katër fusha kryesore:

  • Derogimi nga detyrimet e Palëve të Larta Kontraktuese nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNj) në kohë emergjence;
  • Respektimi i sundimit efektiv të ligjit dhe parimeve demokratike në kohë emergjence, duke përfshirë parimin e vendosjes së masave në kufijtë e fushëveprimit të krizësë dhe në kohëzgjatjen e masës emergjente;
  • Standardet e të drejtave themelore të njeriut duke përfshirë lirinë e shprehjes, privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale, mbrojtja e grupeve vulnerabël nga diskriminimi dhe e drejta për edukim;
  • Mbrojtja nga krimi dhe mbrojtja e viktimave të krimit, veçanërisht të dhunës me bazë gjinore.

Shkurtimisht, secila nga katër fushat vendos theksin në disa elementë që shtetet duhet t’i kenë parasysh kur ndërmarrin masa, por do të ndalem kryesisht në dy pikat e para për t’i shpjeguar në aspektet parimore që përfshijnë.

Për pikën e parë të derogimeve, derogimet nga KEDNj parashikohen në nenin 15 të Konventës, por këto derogime janë gjithashtu subjekte të zbatimit të kërkesave formale që lidhen me njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës mbi masat e marra, arsyet dhe kohëzgjatjen e parashikuar të tyre. Krahas të drejtave të parashikuara në Konventë, disa të drejta janë të paderogueshme, si e drejta e jetës (Neni 2 KEDNj); ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor e degradues (Neni 3 KEDNj); ndalimi i skllavërisë (Neni 4/1 KEDNj); dhe parimi i mosdënimit pa ligj Nulla poena sina lege (Neni 7 KEDNj). Po kështu, nuk mund të derogohet nga shfuqizimi i dënimit me vdekje apo e drejta për të mos u gjykuar apo ndëshkuar dy herë (Protokollet nr. 6 dhe 13, si dhe Neni 4 i Protokollit nr. 7 të KEDNj).

Lidhur me pikën e dytë, të respektimit të demokracisë e sundimit të ligjit në kohën e emergjencave janë të caktura në mënyrë eksplicite cilat janë kushtet e zbatimit. Në aplikimin e këtyre detyrimeve duhet të respektohen: parimi i ligjshmërisë (edhe në situata emergjente,parimi i sundimit të ligjit prevalon; parimi i kohëzgjatjes së kufizuar në kohë masave emergjente (në situate emergjente shprehet Këshilli i Europës në dokumentin e dërguara qeverive, qeveritë mund të vendosin masa me efekt të përgjithshëm që kanë forcën e ligji, por kjo duhet të jetë e limituar për aq sa janë kushtet e emergjencës. Është pikërisht ky kuptimi i emergjencës, marrja e masave sa më të shpejta dhe efektive për t’ju rikthyer sa më parë normalitetit dhe jo të merren vendime që zgjaten në kohë pas situatës emergjente.); Parimi i domosdoshmërisë së legjislacionit në kohë emergjence (në kohë emergjence, Këshilli i Europës përmend parimin e përgjithshëm të mosmarrjes së masave apo reformave ligjore të mëdha, këto duhet të mbeten pezull deri në kalimin e situatës); Shpërndarja e kompetencave dhe kontrollet mbi veprimet ekzekutive gjatë regjimit të gjendjes së emergjencës (Autoritetet ekzekutive duhet të kenë aftësinë të veprojnë shpjet dhe në mënyrë efektive. Po kështu Parlamenti duhet të ruajë pushtetin e kontrollit të veprimeve ekzekutive. Nga ana tjetër, funksioni themelor i gjyqësorit, veçanërisht i Gjykatave Kushtetuese, kur ato ekzistojnë, duhet të ruhet edhe në kohën e krizës. E rendësishme është të ekzaminohen kufizimet e shkeljet më serioze të të drejteve të njeriut që vijnë për shkak të legjislacionit të miratuar në kohë emergjence.)

Këto ishin disa nga interpretimet juridike që i takojnë dokumentit paketë ndihmuese që qeveritë, ndër të tjera dhe qeveria jonë, kanë marrë për mbajtjen në kontoll dhe në vemendje edhe të parimeve bazë e themelore edhe në kohën e krizës.

E gjithë situata ka ndikuar në nivel botëror në çdo aspekt. Madje ndikimi në disa elementë siç mund të jetë telepuna apo zbatimi i teknologjisë mund të pasojnë edhe në kohën “pas-korona”, e rendësishme është të ngrihemi pas një trysnie të tillë.

Sikurse presidente e Komisionit Europian Ursula von der Leyen shpreh në fjalimin e mbajtur në Parlamentin Europian, “Europa është ajo që bën çfarëdo është e mundur për të mbrojtur jetë e çdo jetesë, ajo që është e hapur për të ndihmuar të tjerët, por di dhe mund të kujdeset edhe për veten dhe të ngrihet pas një krize të tillë përmes një investimi dhe bashkëpunimi.” Duke shtuar se, “Thonë që një shpirt i fort shkëlqen akoma më fuqishëm pas çdo stuhie, ndaj nëse të gjithë përpiqen me kurajo, besim dhe solidaritet shpirti i Europës do të shkëlqejë edhe më shumë se më parë.”

Pavarësisht viteve që kanë kaluar që nga përmendja për herë të parë të parimeve të tilla të bashkëpunimit si, prosperiteti, solidariteti, tregu i vetëm Europian dhe parimet më të larta të Europës që kanë iniciuar për herë të parë nevojën e bashkimit të shteteve në një Bashkim Europian, duket se dalin në pah dhe nevojiten më së shumti në kohë të tilla, kur shtetet, jo vetëm ato të Bashkimit Europian, por çdo shtet duhet të mendojnë në mbrojtje të interesave afatgjatë krahas menaxhimit të situatës.