Autorë: Ana Koliçi, Danijela Ahmetaj, Igli Domi

Ky dokument politikash paraqet një historik të shkurtër analitik të nismave me në fokus apo nga diaspora shqiptare si dhe parashtron propozime dhe rekomandime konkrete se si Shqipëria dhe trevat shqipfolëse mund të përfitojnë më shumë nga ndërveprimi me diasporën. Trendet e reja të emigrimit e bëjnë të rëndësishme të mendojmë si të krijojmë ura bashkëpunimi me diasporën shqiptare duke nxjerr në pah ato fusha ku vendi ynë mund të sigurojë një mbështetje nga qytetarët që jetojnë jashtë saj.

Diaspora shqiptare ka një histori të gjatë, që nis nga periudha e Skëndërbeut deri në ditët e sotme, gjë që shpjegon edhe pse është kaq e madhe në numër. Pavarësisht se ka pasur tentativa të vazhdueshme bashkëpunimi sa sporadike aq edhe intensive, përsëri potenciali i diasporës nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm.

Nga literatura e shqyrtuar identifikohet se brezi i dytë i shqiptarëve të diasporës ka një nivel më të ulët përkatësie kombëtare dhe incentive për të kontribuar në vendet amë, gjë që kërkon iniciativa konkrete për adresim. Për zbutjen e këtij hendeku, ky punim sjell si  propozim krijimin e një platforme të ndërlidhjes së profesionistëve të rinj nga diaspora shqiptare me bashkëmoshatarë në vendet amë online ku përdoruesit e platformës të munden të ofrojnë dhe/ose ndjekin trajnime, kurse të dizenjuara nga bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë,  të dëgjojnë podkaste dhe të ndërtojnë forume online sipas interesave për të diskutuar dhe për t’u rrjetëzuar me njëri tjetrin. Në përfundim të këtij dokumenti politikash paraqiten një sërë rekomandimesh veçanërisht sa i takon fuqizimit të marëdhënieve me profesionistët e rinj të diasporës shqiptare të cilat janë të vlefshme për institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile të interesuara në fuqizimin e bashkëpunimit të diasporës shqiptare me vendet amë.

Dokumenti i plotë mund të aksesohet këtu.

Ky raport u zhvillua në kuadër të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”, pjesë e Edicionit IV të Debatit Universitar, Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Zhvillim Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.