Marlin Muça, Student i Fakulteti të Drejtësisë, UT —

Ajo që po ndodh këto ditë në rrugët e Tiranës është një motërzim i përkryer i asaj që ndodhi 30 vite më parë. Forca speciale që ndjekin të rinjtë e Tiranës nëpër hyrje pallatesh, gaz lotsjellës, shkopinj gome, ujë me ngjyrë për të identifikuar protestuesit etj etj, janë tipare të përbashkëta të dy regjimeve që nuk I kanë dhënë  gjë shqiptarëve veçse dhunës dhe arrogancës.

30 vite më parë prindëritt tanë thirrën Poshtë Diktatura, ndaj një sistemi komunist që për 50 vjet i bëri shqiptarët të ndihen refugjatë në vendin e tyre. Sot, ne thërrasim përsëri Poshte Komunizmi për shkak se sot kemi një regjim që na ka vjedhur fëmijërinë, të drejtat, na ka larguar shokët, na ka zbrazur lagjet, na ka varfëruar dhe poshtëruar.

Sot kemi lirinë e fjalës, por fjala jonë nuk vlen kurrgjë përballë proagandës dhe leviatanit në dukje të pathyeshëm të aparatit të regjimit. Nomenklatura e re i ka përjashtuar të rinjtë nga vendimmarja, duke e kthyer politikën një instrument që i blatohet vetëm shërbëtorëve dhe militantëve të kuq.

Mundësitë ekonomike janë vetëm për  të privilegjuarit e pushtetit, teksa shokët tanë detyrohen të largohen me çfarë të munden nga një vend që nuk ofron gjë tjetër veçse dëshperim. 

Kurrë ndonjëherë në këto 30 vitet që kanë kaluar, hendeku midis shoqërisë dhe pushtetit nuk ka qenë më i tellë. 

Çunat e lagjeve, të përjashtuarit, studentët, qytetarët e lirë, “barbarët” e kanë kuptuar se liria nuk fitohet kollaj, ajo nuk gjendet në facebook apo në mjetet e tjera të argëtimit që na ofron koha, por në shesh: atje ku historia ka vendosur fatet e popujve të mëdhenj dhe të vegjël.

Në këto kushte, dy janë zgjidhjet: ose do ikim për ta lënë Shqiëprinë në dorën e komunistëve siç bënë intelektualët në 1944-1945, ose do të bëjmë atë që bënë prindërit tanë, të ngrihemi në lartësinë e detyrës që na ka vënë përballë historia, të rezistojmë deri në ngadhënjimin përfundimtar ndaj së keqes, ndaj së vjetrës së veshur me petkat e modernes dhe parasë së pistë.