Studim IOM-Ky artikull është marrë nga Amfora

Të dhënat e një anketimi të fundit tregojnë se arsyet kryesore që shqiptarët dhe kryesisht të rinjtë emigrojnë, janë vështirësitë për tu punësuar, pagesat e ulëta dhe shërbimi shëndetësor. Teksa shumica e të rinjve zgjedhin të largohen pa tentuar të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.

Një hulumtim i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), me 340 persona të përzgjedhur rastësisht në Shqipëri, tregon se tre arsyet kryesore për migrim janë, mungesa e mundësive të punës në Shqipëri (63%), pagat e ulëta në vend (62%) dhe mundësitë më të mira të punësimit jashtë vendit (51%).

Sipas të dhënave nga hulumtimi cilësor dhe sasior kryesisht të rinjtë me diplomë universitare ose të shkollës së mesme duket se janë grupi i synuar, i cili ose po mendon të largohet nga vendi ose që ka bërë plane për ta bërë këtë në vitet e ardhshme. Ata janë të papunë ose të pakënaqur me gjendjen e tyre ekzistuese të punësimit.

56% e të anketuarve i përkisnin grup moshës 18-40 vjeç dhe prej tyre 51% ishin të punësuar, 43% u shprehën si të pakënaqur me punën dhe 38% ishin të të papunë. Cilësia e jetesës duket se është një faktor i rëndësishëm ndikues në dëshirën për tu larguar jashtë vendit, pasi rreth 43% e atyre që duan të migrojnë janë të pakënaqur me sistemin e kujdesit shëndetësor.

Por teksa një pjesë duan të largohen fillimisht me studime apo në rrugë legale, ekziston një nëngrup i atyre që duan të migrojnë, të cilët e konsiderojnë migrimin e parregullt si një opsion për largimin nga vendi.

Të dhënat e hulumtimit treguan se emigrimi i parregullt për vajzat e reja (nën 18 vjeç) perceptohet si rrezikshëm, ndërsa për djemtë e rinj perceptimi është se ka më pak rrezik.

35% e atyre që janë të interesuar për mundësitë e migrimit në Europë, janë të interesuar për migracionin e parregullt. Ai konsiderohet si një mundësi për të kursyer para dhe për të krijuar një rrjet njohjesh për të siguruar lejen e qëndrimit.

Studimi u ndërmorr në kuadër të projektit, “Ndërgjegjësim dhe Informacion për Sigurinë dhe Fuqizimin për të Gjithë – Shqipëri”, që po zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM), Organizata e OKB-së për Migracionin, financuar nga Fondi i Bashkimit Europian për Azilin, Migracionin dhe Integrimim, në bashkëpunim me IO-Belgium, DT&V-Holandë dhe angazhimin e Ministrisë së Brendshme.

Nisur nga kjo situatë që paraqitet në vendin tonë, projekti “ARISE – ALL” synon të ndikojë në ndryshimin e sjelljes së grupeve me potencial të lartë për të migruar në mënyrë të parregullt.

Slogani “Shqipëria je Ti”, synon të sjellë në vëmendje se pakënaqësitë nisin nga vetja, e nëse dëshirojnë të përmirësojnë jetën e tyre duhet ta nisin nga përmirësimi i vetes, duke zbuluar të gjitha mundësitë për vet-zhvillim që ofrohen në Shqipëri.

Për të mësuar më shumë rreth mundësive në Shqipëri dhe migrimit të rregullt, klikoni në broshurën informuese më poshtë: