Dr. Doris Malaj (Koliqi), —

 

Sepse ne, si shoqëri, duhet të jemi të vetëdijshëm se është pikërisht elementi publik, elementi jetik i demokracive moderne, liberale dhe funksionale. Përballja me ndryshimin e  formave të komunikimit, por edhe rritja e tendencave populiste në debatin politik vendos në pikëpyetje këtë element kaq të rëndësishëm.

Gjendemi përpara një situate aspak të këndshme ku kultura e debatit publik po ndryshon: gjithnjë e më shumë pozicione nuk diskutohen më, por njerëzit sulmohen verbalisht. Me sa duket, koncepti i mendimit është bërë i paqartë. Ne duhet të mesojmë të zhvillojmë aftësinë kritike, të debatojmë dhe të lejojmë edhe mendimin dhe argumentin ndryshe. Gjej rastin të citoj moralistin francez Joseph Joubert, I cili shprehej se  “Eshtë më mirë të debatosh për një çështje pa e zgjidhur atë sesa të zgjidhësh një çështje pa e debatuar atë.” 

Është debati i shëndoshë dhe i mirëfilltë ai që  promovon një kulturë të gjallë të fjalës dhe argumentit – baza e çdo shoqërie demokratike dhe pluraliste. Një folës jo vetëm që duhet të përcjellë pozicionin e tij në një mënyrë të besueshme, ai gjithashtu duhet të bindë me argumente dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, të arrijë dëgjuesit duke i ofruar alternativa në bazë të një mendimi analitik dhe pse jo dhe kritik.

Këto aftësi të një folësi mund të praktikohen në kontekstin e debatit, i cili zhvillohet në kuadër të projektit ‘Laboratori i Debatit mbi Integrimin Europian në Auditorët Universitarë’, zbatuar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, pasi skuadrat gjithashtu shqyrtojnë pyetje dhe pozicione të panjohura.

Është shumë e rëndësishme që studentet – por jo vetëm – të dëgjojnë me kujdes argumentet e palës tjetër dhe të kundërpërgjigjen në menyrën e duhur. Pra, aftësohen jo vetëm në zhvillimin analitik dhe kritik, por edhe në ate retorik. Sikundër duhet të theksohet se kultura e debatit nxit edhe një element tjetër shumë të rendësishëm që është: aftësia për ta marrë seriozisht personin, mendimin ose argumentin tjetër.

Duhet të nxitet akoma më shumë kultura e debatit, sidomos në auditoret universitare pasi, diskutimet rreth ndryshimit në kulturën e gjuhës dhe debatet në hapësirën publike çojnë gjithashtu në një kuptim më të thellë të konceptit të mendimit. Aktualisht, përshtypja është e qartë se çdo deklaratë në të ashtuquajturën media sociale – interpretohet si shprehje e mendimit. Në përgjigje të kësaj, atëherë kërkohet t’i referohemi fakteve të qarta për të hedhur poshtë mendimet subjektive.

Ka disa keqkuptime prapa një argumenti të tillë: Opinionet nuk janë thjesht subjektive në kuptimin që ato janë arbitrare. Permes opinioneve ne pozicionohemi. Me mendime, njerëzit fitojnë qasje në një botë të ndarë në të cilën mendimet e tjera janë gjithmonë të mundshme. Kjo do të thotë jo vetëm që opinionet janë të orientuara drejt gjuhës, por që ato kuptohen si deklarata në një botë të ndarë, gjithmonë lejojnë deklarata të tjera  dhe – ndonjëherë – edhe  i kërkojnë ato.

Përkundër kësaj, shprehja e formimit të opinionit merr një aspekt krejt të ri që është i rëndësishëm për ndryshimin në kulturën e debatit. Nuk nënkuptohet më thjeshtë aftësia për të shprehur një mendim, qoftë edhe në pasiguri të plotë, por për më tepër aftësia për të pranuar mendimin ndryshe. Kjo përfshin maturi, zgjuarsi dhe takt dhe auditori universitar është një vend për të praktikuar këto karakteristika të një qytetari analitik, kritik, tolerant dhe demokraci-dashës.