Dr. Dorina GJIPALI [1] , —
Pedagoge Mentore e Projektit
Për rolin e rinisë në Shqipëri është shkruar dhe është diskutuar shumë. Janë bërë studime, strategji, plane veprimi por sërisht ndikimi dhe roli që rinia ka në proceset më të rëndësishme që po kalon vendi ynë mbetet i ulët. Të rinjtë në Shqipëri kanë pak ose aspak hapësira ku të shprehin opinionet dhe idetë e tyre mbi tema me interes publik. Sondazhe e studime të ndryshme, tregojnë se të rinjtë shqiptar kanë humbur besimin në institucionet e vendit, ndihen të përdorur vetëm për qëllime politike pa patur mundësi të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse e të jenë fokusi i këtyre proceseve.
Sipas studimit të bërë nga Partners Albania: “Kuadri institucional dhe ligjor nuk fuqizon pjesëmarrjen e të rinjve në sferën sociale në Shqipëri. Ekziston një kulturë dominuese midis institucioneve publike që të rinjtë nuk do të jenë aktorët kryesorë në krijimin e të ardhmes së këtij vendi, çka është në kontrast me shpërndarjen demografike të popullsisë në Shqipëri – një nga më të rejat në Europë.”[2] Por që fatkeqësisht mban dhe një nga vendet e para përsa i përket papunësisë së të rinjve. Janë këta faktorë e shumë të tjerë që kanë shkaktuar një gjendje apatie tek të rinjtë shqiptar deri në pikën që 4 në 5 prej tyre duan të largohen nga Shqipëria.[3]
Po si ti kthejmë besimin rinisë?
Si ti vendosim ata në kushtet që meritojnë të jenë?
Rinia është forca e ndryshimit. Ajo ka fuqinë të ndryshojë të ardhmen e një vendi, të bëj bashkë të gjithë, pavarësisht ndasive. Të rinjtë janë liderat e të nesërmes dhe duhet të kenë një rol thelbësor në proceset integruese të vendit.
Por, që ta bëjnë këtë, duhet që ti japim mundësinë që të shprehen e të mbrojnë opinionet e tyre, të jënë aktivë në sferën publike. Pikërisht këtë bëri Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri, me projektin “Debati për Integrimin Europian në Auditorët Universitar”.
Sot, të rinjtë dhe studentët janë të ekspozuar ndaj lajmeve dhe opinioneve të shumta në kohë reale rreth procesit të integrimit. Këto lajme shpesh herë përcillen me opinione jo pozitive, prandaj debati u dha studentëve mundësinë të ngrenë pyetje, të thellohen në njohuritë e tyre dhe të sfidojnë opinionet e njerëzve që i rrethojnë për tema të rëndësishme që lidhen me procesin e integrimit.
Më shumë se 100 studentë, nën mentorimin e pedagogëve të tyre, debatuan me entuziazmin dhe idealizmin që vetëm të rinjtë kanë. Ata argumentuan me fakte dhe evidenca, në një debat të strukturuar e me rregulla, për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian, për ndikimin që integrimi europian do të ketë në demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë por diskutuan edhe mbi të ardhmen e Bashkimit Europian.
Ata, nëpërmjet argumentave të tyre promovuan vlerat europiane: si dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, që duhet të respektojë cdo shoqëri që aspiron të jetë pjesë e familjes europiane.
Duke parë këta studentë, sesi u përkushtuan ndaj debatit dhe duke dëgjuar idetë e tyre, ne pedagogët por besoj edhe ideatorët e projektit mendoj se ndihemi optimistë për të ardhmen.
Ky projekt duhet të jetë një fillim i mbarë dhe jo fundi i një procesi. Të rinjtë shqiptar duhet të jenë në qendër të debatit për integrimin e Shqipërisë në BE. Prandaj shpresoj që puna të vazhdojë.
Edhe pse debatet, për shkak të situatës së krijuar nga Pandemia Covid 19, u zhvilluan online në formën e webinareve, studentët debatues dhanë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit të kolegëve të tyre dhe të opinionit publik për ndikimin dhe përfitimet që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Integrimi i Shqipërisë në Familjen Europiane është një nga qëllimet më të rëndësishme për vendin tonë dhe roli i të rinjve e organizatave rinore në këtë process, duhet të jetë më i fortë, Projektet e ndryshme që synojnë përmirësimin e rolit të të rinjve në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian janë gjithmonë inkurajuese, shpresëdhënëse dhe për tu përgëzuar, sidomos kur rezultatet janë të dukshme.
Ne si shoqëri, kemi detyrimin të investojmë tek rinia. Të investojmë në dije, të rrisim njohuritë dhe aftësitë e të rinjve tanë ndaj fenomevene shoqërore dhe rreth Bashkimit Evropian që tu mundësojmë atyre të jenë konkurrues dhe të përfitojnë sa më shumë nga financimet që BE vendos në dispozicion të të rinjve.
Integrimi i vendit tonë në Bashkimin Europian nuk mund të jetë thjesht një program institucional dhe politik, por si një program ambicioz i shoqërisë e ku promotorët kryesor të jenë pikërisht të rinjtë.
Të rinjtë, nga ana e tyre, duhet të përkushtohen intensivisht në edukim, informim, aktivizim publik, për rigjenerimin socio-ekonomik të shoqërisë shqiptare. Janë ata, që duhet ta cojnë Shqipërinë në rrugën e progresit dhe prosperitetit, ta clirojnë vendin nga paragjykimet.
Le të jetë ky projekt i Qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” një iniciativë që do të ndiqet nga projekte të tjerë me në fokus informimin dhe trajnimin e të rinjve, që nga studimet, shihet si një nga problematikat më të rëndësishme për mospërfshirjen e të rinjve në sferën publike.[4]
Rëndësi të veçantë ka rrjetëzimi i projekteve me fokus angazhimin dhe përfshirjen publike si dhe në proceset vendimmarrëse dhe politikbërëse të të rinjve.
Është momenti që institucionet shtetërore të shikojnë me prioritet hartimin e një strategjie, plani veprimi a politikë të re, (pak rëndësi ka emri) për mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve në Shqipëri duke vendosur në dispozicion fondet e duhura. Kjo edhe në kuadër të përfundimit të afatit kohor të Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë 2015-2020. Parlamenti, në përmbushje të funksionit të tij, duhet të shikoj me prioritet edukimin, punësimin dhe problematikat rinore.
Roli dhe pjesëmarrja e të rinjve është i një rëndësie thelbësore për demokracinë e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.
Në përfundim, dëshiroj të citoj Presidentin Ruzvelt, i cili pohonte se: “Ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen për të rinjtë tanë, por mund të ndërtojmë të rinjtë tanë, për të ardhmen.”
[1] Dr. Dorina GJIPALI është Përgjegjëse e Departamentit Publik në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin”Luarasi”
[2]“Pjesëmarrja Politike, Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Shqipëri” Raport Vjetor 2017, Partners Albania for change and development https://partnersalbania.org/wp-content/uploads/2017/06/raporti_vjetor_YBH-shqip.pdf
[3] Shoqëria Amerikane ‘Gallup’, në sondazhin e saj mbi migrimin në Botë pohon se 79% e Shiptarëve nga 15 dhe 29 vjec duan të emigrojnë në vende të tjera. https://news.gallup.com/poll/245255/750-million-worldwide-migrate.aspx
[4] “Pjesëmarrja Politike, Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Shqipëri” Raport Vjetor 2017, Partners Albania for change and development https://partnersalbania.org/wp-content/uploads/2017/06/raporti_vjetor_YBH-shqip.pdf