Në kuadër të Edicionit IV të Debatit Universitar, realizuar me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, SCiDEV zhvilloi Programin e Zhvillimit të Kapaciteteve  ku 100 studentëve nga 12 institucione të arsimit të lartë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, iu dha mundësia që krahas formatit të debatit të thellonin njohuritë e tyre në fusha të lidhura me digjitalizimin, me ligjin shqiptar për arsimin e lartë, si dhe me pjesëmarrjen e të rinjve.

Programi i Zhvillimit të Kapaciteteve synon t’u ofrojë studentëve debatues një set njohurish dhe aftësish bazë përmes të cilave ata mund të rrisin performancën e tyre në përballjet debatuese. Për këtë qëllim, studentëve u ofrohen trajnime ku ekspertë të fushave të ndryshme fuqizojnë kapacitetet e tyre në mendim kritik dhe në të folur publik përmes ndërveprimit gjatë sesioneve si dhe ndajnë me ta burime informacioni dhe platformash të cilat u shërbejnë për të gjetur evidenca për tezat e debatit. 

Në përputhje me gjetjet e Vlerësimit të Programit të Zhvillimit të Kapaciteteve-Edicioni III, SCiDEV ruajti të njëjtat tema për programin e zhvillimit të kapaciteteve edhe në këtë edicion, më konkretisht:

  1. Përdorimi i mjeteve digjitale për aktivizëm me trajner Dr. Fabjan Lashi
  2. Pjesëmarrja studentore në proceset vendimmarrëse të arsimit të lartë me trajnere Dr. Dorina Gjipali
  3. Angazhimi publik dhe politik i të rinjve me trajnere Prof. Assoc. Dr. Nevila Xhindi

Krahas sesioneve të sipërpërmendura, në vijim të përpjekjeve të vazhdueshme për mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve, SCiDEV zhvilloi me të rinjtë debatues një sesion edukimi karriere në bashkëpunim me EBHR Consulting. Më poshtë gjeni një përmbledhje të sesioneve të realizuara, ndërkohë që të gjitha sesionet e zhvilluara mund ti aksesoni këtu

Për t’u njohur me vlerësimet e studentëve për organizimin e programit të zhvillimit të kapaciteteve në edicionin IV të debatit universitar, klikoni këtu.

Përdorimi i mjeteve digjitale për aktivizëm 

Dr. Fabjan Lashi në trajnimet e tij orientoi studentët rreth mënyrave digjitale të aktivizmit duke u prezantuar studentëve një mori metodash dhe sitesh online përmes së cilave ata mund të nisin angazhimin e tyre në drejtim të kauzave që kanë përzemër. Në to përfshihen sitet ku zhvillohen diskutime online, krijimi i podkasteve apo emisioneve radiofonike online me kosto 0 apo minimale. Përpos njohjes me platformat e reja, në këto trajnime studentët u orientuan për gjetjen e burimeve të besueshme të informacioneve që mund të përdorin për debatet.

Pjesëmarrja studentore në proceset vendimmarrëse të arsimit të lartë

Dr. Dorina Gjipali në trajnimet e saj prezantoi nocionet kryesore të ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë. Në trajnimet e saj studentët u njohën me organizimin dhe hiearkinë vendimarrëse në arsimin e lartë, si dhe me hapësirat ku ata mund të ngrenë shqetësimet e tyre efektivisht. Gjatë trajnimeve pati diskutime se si studentët mund të reagojnë për të bërë ndryshime konkrete në universitetet e tyre, ku studentët shprehën se mësuan shumë aspekte për të cilat më herët nuk kishin patur informacionin e mjaftueshëm.

Angazhimi publik dhe politik i të rinjve

Prof. Xhindi i fokusoi trajnimet e saj lidhur me aktivizmin publik dhe politik rreth niveleve të përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje. Krahas kuadrit teorik mbi vendimmarrjen, të rinjtë u njohën me risitë e ligjit shqiptar për rininë. Përgjatë trajnimeve të rinjtë patën mundësi po ashtu të njiheshin dhe të diskutonin mbi rolin e forumeve rinore politike në rritjen e përfshirjes politike të të rinjve në  hallkat e vendimmarrjes. Mes formave të ndryshme të angazhimit publik dhe politik të të rinjve, pati consensus mes të rinjve pjesësemarrës se aktivizimi i çfarëdo natyre u shërben atyre për zhvillimin e tyre si qytetarë aktivë të shoqërisë.

Edukim karriere: Si ti kthejmë studimet tona në një karrierë?

Lektorja Elda Bajraktari u prezantoi të rinjve sfidat e përputhjes së nevojave të punëmarrësve me pritshmëritë dhe kërkesat e profesionistëve të rinj të cilët aspirojnë të integrohen në tregun e punës si dhe rolin e edukimit të karrierës në zbutjen e tranzicionit nga shkolla drejt tregut të punës. Përgjatë prezantimit studentët u njohën me hapa të domosdoshëm për të ndërtuar një plan të mirë veprimi për të modeluar karrierën e tyre, si dhe me instrumenta shkencorë për të njohur më mirë karakteristikat vetjake dhe profesionet më të përshtatshme për ta. 

Edhe në këtë edicion, Programi i Zhvillimit të Kapaciteteve u krijoi mundësinë studentëve debatues të thellojnë njohuritë e tyre dhe të eksplorojnë drejtime të reja në fushën e dijes dhe aktivizmit, duke ndikuar kësisoj në efektivitetin e ndërhyrjeve të tyre në dobi të kauzave të ndryshme publike.