Në kuadër të projektit Tirana Digital Rights Festival, SCiDEV nisi në datat 7, 8 dhe 10 tetor, Programin e Mentorimit Digjital, me të rinjtë pjesëmarrës të projektit. I konceptuar si një hapësirë virtuale njohjeje me mentorët dhe konceptet kyçe, programi pati tre sesione të ndara në tre ditë, ku pjesëmarrësit e programit thelluan njohuritë e tyre mbi të drejtat digjitale parë përmes kuadrit ligjor shqiptar dhe atij evropian, si edhe përmes perspektivës teknike të sigurisë digjitale.
Sesioni i parë i Programit të Mentorimit Digjital u hap me fjalën përshëndetëse të Orkidea Xhaferaj, advokuese e të drejtave digjitale, e cila përgëzoi qëllimin e projektit si dhe inkurajoi të rinjtë pjesëmarrës të jenë promotorë të të drejtave digjitale në përditshmërinë e tyre. Më tej, mentorja Silva Arapi, eksperte e certifikuar e mbrojtjes së të dhënave personale mbajti sesionin e parë të mentorimit të titulluar “GDPR-Standardi i artë për mbrojtjen e të dhënave personale”. Në këtë session pjesëmarrësit u prezantuan me nocionet bazë të General Data Protection Regulation, i cili përfaqëson standardin evropian të trajtimit të të dhënave personale. Gjatë sesionit pjesëmarrësit po ashtu diskutuan mbi sfidat dhe perspektivat e përafrimit të legjislacionit shqiptar mbi të drejtat digjitale me atë evropian.
Videon e plotë të sesionit mund ta ndiqni këtu.
Në sesionin e dytë, të mbajtur më 8 tetor, mentori Erjon Curraj, ekspert i transformimit digjital, mbajti një prezantim mbi nocionin e sigurisë digjitale. Prezantimi trajtoi konceptin e alfabetizmit digjital (digital literacy) dhe 9 shtyllat e qytetarisë digjitale, si dhe nxiti një diskutim gjithpërfshirës mbi sfidat e sigurisë në realitetin virtual në kontekstin shqiptar.
Videoja e plotë e sesionit të dytë mund të ndiqet këtu.
Sesioni i tretë dhe përmbyllës të Programit të Mentorimit digjital u hap me prezantimin e fazave të ardhshme të projektit dhe me drejtimet e mentorimit në të cilët pjesëmarrësit do të thellohen në vijim. Pjesa e mbetur e sesionit iu dedikua kuadrit ligjor shqiptar në mbrojtje të të drejtave digjitale, ku mentorja Blerina Fani, eksperte ligjore, mbajti një prezantim të detajuar mbi Ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri, të drejtën e privatësisë, institucionet përgjegjëse për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri, si dhe penalitetet e përdorimit të pautorizuar të të dhënave personale.
Videon e plotë të sesionit të tretë e ndiqni këtu.
Programi i mentorimit digjital do të vazhdojë edhe përgjatë muajve tetor dhe nëntor deri në përmbylljen e projektit.
Ky projekt realizohet në kuadër të programit Tirana European Youth Capital 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë.
#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana