Sindi Çaushi studente gjysmëfinaliste Debati Universitar III FDUT

Privatizimi është një proces jo vetëm ekonomiko-financiar, por edhe një veprim juridik nëpërmjet të cilës zhvendoset pronësia nga sektori shtetëror tek sektori  privat. Në Shqipëri nuk ishte vetëm kaq, ishte një proces bazë politik, i cili ndryshoi jo vetëm rolin e shtetit në ekonomi, por edhe të shoqërisë në përgjithësi sepse u shoqërua dhe me pasoja sociale. Një proces që “rindërtoi” rolin e shtetit në drejtime të ndryshme, por ajo që vlen të theksohet është lidhja e ngushtë midis procesit të privatizimit dhe ndikimit të saj në ekonomi. Cila do të ishte strategja e duhur ,për të krijuar një klimë të favorshme që do të garantonte pronën private dhe do të nxiste besimin e popullit që kjo e drejtë nuk do të cenohej në vazhdim? A ndikoi pozitivisht privatizimi në vendin tonë?

Në fakt realizimi i procesit të  privatizimit kishte një impakt të rëndësishem në politikë, ekonomi, jetën sociale të gjithë shoqërisë, prandaj përgatitja e një programi të tillë duhet të ishte tepër i qartë, me objektiva të mirë përcaktuara, me afate dhe procedura transparente. Qeveria nuk e konsideroi thjesht  si një qëllim këtë proces, por si një instrument të fuqishëm që do të siguronte një ekonomi të qëndrueshme, një rritje efektive të tregut duke nxitur konkurrencën dhe duke marrë parasysh që në atë periudhë ekonomia jonë ishte një “ekonomi e brishtë” dëshironte të tërhiqte dhe kapitalet private të huaja në sektorët më të rendësishëm të vendit. Synimi përfundimtar i qeverisë në procesin e privatizimit ishte realizimi i tij në menyrë të vazhdueshem dhe efiçente. Programi i privatizimit përfshiu rreth 80% të aseteve të ekonomisë.

Miratimi i ligjit “Për dispozitat kryesore kushtetuese” i hapi rrugën procedurave për realizimin e transformimit dhe integrimin e tokës truall në qarkullimin civil. Procesi i privatizimit filloi me privatizimin e truallit të zënë nga ndërtime ekonomike dhe sipërfaqjet funksionale të tyre dhe më pas në truallin mbi të cilin ishin ngritur ndërtimet e banimit. Tokat ku ishin ngritur ish-ndërmarjet  bujqësore pas gushtit të vitit 1991 do të privatizohen. Qeveria miratoi procedurat dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë personat që kanë investuar në ish-ndërmarjet bujqësore për të marrë pronësinë e tokës. Në vendim përcatohen kriteret dhe procedurat e shitjes së trojeve në përdorim, sipërfaqe të domosdoshme dhe trojeve shtesë funksionale të ndërmarrjeve shoqërive tregtare, të objekteve shtetërore të veçuara, si dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejës të ndërtimit.Shqipëria ndalet në dy periudha kryesore të privatizimit: periudha e parë i përkon viteve 1990-1999 ku kryesisht u privatizuan ndërmarjet e vogla dhe të mesme dhe periudha e dytë 2000-2010 ku do të shohim dhe bumin e privatizimit. Qeveria nëpërmjet të ardhurave të fituara nga privatizimi, duke theksuar edhe ndryshimin që kemi me privatizimin e tokës buqësore, privatizimi i tokës truall dhe i ndërtimeve ekonomike do të bëhëj kundjejt një kundërshpërblimi e cila do të ndikonte në financimin e buxhetit të shtetit duke “zbutur defiçitin e saj buxhetor”. Nivelet më të larta të privatizimit do i shohim ne fakt në vitin 2000 ku do të kemi privatizimin e Bankës Tregëtare Kombëtare, në 2007 privatizimin e ALBtelekom, 2009 privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë etj.

U supozua që nëpërrmjet privatizimit do të kishim nje stabilitet ekonomik gjithpërfshirës si: ristrukturim i sektorit shtetëror, rritje të konkurencës, rritje të standartit të jetesës, rritje të cilësisë së produkteve dhe shërbimevë,rritje të klasës menaxheriale vendase, prodhimin efiçent të burimeve njerëzore dhe natyrore, tërheqjen e investitorëvë të huaj me fonde të mëdha etj.

Çfarë ndodhi realisht ? Ajo që u vëreh ishte mungesë e strategjive për të arritur synimet e vendosura, krijimi i një vakumi ligjor dhe kjo i la vendin interpretimeve të shumta në favor të disa subjekteve nga njëra anë dhe në dëm të subjekteve të tjera, por kjo do të cënonte transparencën dhe drejtësinë sociale. Njësoj si ne sektorin e bujqësisë,  nuk u vëreh mbeshtetje për investitorët e rinj dhe shumë prej tyre shkuan drejt falimentimit. Investitorët e huaj nuk krijuan “ndryshimin” që pritej prej tyre. Problem i madh për të cilin do të fals me  rezerva,  është ligjin 7512/1991 do të jetë privatizimi i sektorëve strategjik me një rëndësi thelbësore, ku më tepër do të shohim një strategji afat shkurtër në lidhje me privatizimin e tyre, një zgjidhje e shpejtë për të furnizuar buxhetin e shtetit pa u analizuar mirë, kjo mund të ishte dhe rezultat i ekonomisë jo e qëndrueshme, ku shteti nuk po mbulonte dot shpenzimet e veta korrente.

Privatizimi i paketës së aksioneve të shoqërive tregtare që veprojnë në sektorët strategjikë realizohet sipas Strategjisë së Privatizimit[1]. Transferimi i të drejtës së pronësisë realizohet nëpërmjet shitjes së aksioneve të shoqërive ose të objekteve të veçanta të nxjerra nga shoqëritë apo ndërmarrjet shtetërore. Në rastet e privatizimit me transferim të pjesshëm a tërësor të pronës, zbatohet formula e privatizimit. Përcaktimi i formës dhe i strukturës së formulës të privatizimit të shoqërive me kapital shtetëror në sektorët me rëndësi të veçantë bëhet me ligj. Për çdo shoqëri të sektorëve strategjike janë përgatitur ligjet specifike[2]. Formula e privatizimit parashikon përqindjen e kapitalit të shoqërisë që i ofrohet investitorit strategjik apo investitorëve të tjerë, si dhe mënyrën e përfshirjes si aksionerë të subjekteve të shpronësuara për truallin dhe ndërtesat, sipas vlerës së truallit të përfshirë në kapitalin e shoqërisë dhe punonjësve të shoqërisë, me anë të shkëmbimit të aksioneve me bonot e privatizimit të zotëruara prej tyre. Përveç sa mësipërm është parashikuar që, nëse përqindja e aksioneve të kapitalit të shoqërisë nuk është e mjaftueshme për të kompensuar subjektet e shpronësuara të truallit dhe të ndërtesave, ngarkohet Këshilli i Ministrave për të përcaktuar mënyrën e kompensimit te tyre. Sipas Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave për  rastet kur objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, subjektet e shpronësuara, kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare. Në rastet kur konfirmohet se objekti, që privatizohet, nuk ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, si dhe për rastet kur AKKP-ja[3] nuk është në gjendje të konfirmojë pronësinë e truallit për objektin që privatizohet, ai i nënshtrohet ankandit. Në çdo rast tjetër subjekti i shpronësuar gëzon të drejtën e parablerjes, me vlerën fillestare të objektit. Në këtë kuadër ka qenë problematik procesi i privatizimit të pronës publike përkundrejt respektimit të së drejtës së pronësisë për subjektet e shpronësuara. Në disa raste evidentimi i vendimeve të organeve kompetente për njohjen/kthimin ose kompensimin e pronës nuk ka qenë i saktë dhe ka shkaktuar mbivendosje apo paqartësi teknike të titujve të pronësisë. Kështu ne shohim që dhe rregullimet e ndryshme ligjore kanë pasur problematikat e tyre të vazhdueshme.

Në fakt çdo proces i ka të dyja anët e një medaljeje, por ajo që ne na intereson është impakti i saj tek ekonomia jonë dhe ajo çfarë shohim sot nuk është ajo çfarë u planifikua dikur. Pse ndodhi kështu? Procesi i privatizimit përbën një ndër elementët e reformës të ekonomisë dhe ndikimin e saj e kemi të pranishme në gjithë shoqërinë. Privatizimi kërkon ndryshime të gjëra në legjislacion, krijimin e instancave që do mundësonin një zbatim të qëndrueshëm, të mirë studiuar të saj. Një ndër pasojat me peshë të madhe ishte dhe papunësia e lartë, u larguan nga puna shumë puntorë të vjetër në moshë, u kërkuan rikualifikime të menjëhershme. Në një shoqëri ku pabarazia po rritet çdo ditë dhe “fuqia politike” është elementi i cili po minon shoqërinë, ndërmarrjet publike janë të rëndësishme, sepse të gjithë pjestarët e shoqërisë kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre në lidhje me to, pavarësisht sesa mund të dëgjohen. Privatizimi na heq të drejtën për t’i bërë më të përgjegjëshme ndërmarrjet ndaj shoqërisë,sepse tashmë janë në duart e pak individëve dhe shumë ndërmarrje të tjera që dikur funksiononin pavarësisht teknologjisë dhe kualifikimit, pamë se  ato u shkatëruan me kohën kjo na e bën të qartë faktin që kuadri jonë ligjor nuk rezultoi efektiv në praktikë, pasojat e së cilës  po i ndjejmë ndër dekada.

[1] Ligji nr.57/2012 “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesëve tëtokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore”.

[2] Ligjin nr. 8306, datë 14.03.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”.

[3] Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit te Pronave.