Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi

“Demokracia nuk është synim, ajo është rrugë; ajo nuk është arritje, por një proces… Kur e kuptojmë këtë, dhe fillojmë të jetojmë demokracinë, vetëm atëherë do të kemi demokraci.“ (Mary Parker Follet (1918), The New State, f. 58)

Përpjekjet e mirëfillta për shtet demokratik, duhet të jenë evidente dhe të praktikohen që nga mosha e hershme. Mundësitë e të rinjve që të angazhohen në qeverisje dhe të marrin pjesë në vendimmarrje dhe proceset politike varen kryesisht nga kontekstet politike, socio-ekonomike dhe kulturore.

Në vendet me demokraci të re ekziston rreziku i madh që të rinjtë ta konsiderojnë demokracinë si të natyrshme, dhe në këtë mënyrë të humbin interesimin për pjesëmarrje. Në Shqipëri, ku historia e demokracisë është e shkurtër, dhe themelet e saj të lëkundshme, të rinjtë përballen me varfërinë, barrierat në arsim, forma të shumta të diskriminimit, punësimi i kufizuar, perspektivat dhe mundësitë e cunguara. Dhe për t’iu përgjigjur nevojave të të rinjve dhe për të garantuar që të drejtat e tyre themelore njihen dhe zbatohen, pjesëmarrja aktive dhe kuptimplotë e të rinjve në shoqëri, në praktikat dhe proceset demokratike ka një rëndësi vendimtare.

Të rinjtë janë një forcë krijuese, një burim i risive, dhe ato kanë kontribuar pa dyshim, gjatë historisë, për ndryshime të rëndësishme në Shqipëri, ndaj realizimi i të drejtës së të rinjve për të marrë pjesë dhe për të qenë të përfshirë në proceset dhe praktikat demokratike është gjithashtu jetik për të siguruar arritjen e synimeve të zhvillimit të vendit dhe për të rifreskuar axhendën e zhvillimit të së nesërmes.

Sot, jo shumë të rinj e të reja shqiptare janë të angazhuar në jetën publike dhe politike si formalisht, nëpërmjet forumeve rinore politike, por dhe joformalisht nëpërmjet organizatave rinore apo grupimeve për advokaci rinore dhe ndërgjegjësim, ndërsa të dyja janë aq të dobishme për një demokraci të gjallë dhe elastike në Shqipëri dhe duhet të mbështeten.

SCiDEV nëpërmjet zbatimit të Programi kombëtar të debatit rinor financuar nga Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë (OSFA) (Edicioni I dhe II) ka trajnuar mbi 220 të rinj, pjesëtarë të grupeve të debatit të universiteteve shqiptare për të zhvilluar një kulturë më të fortë të dialogut dhe debatit mes të rinjve, për të artikuluar, komunikuar dhe argumentuar në mënyrë bindëse çështjet që i prekin ato si individë aktivë dhe qytetarë të angazhuar për tematika si integrimi europian apo Arsimimi.

Sivjet, programi Kombëtar I debatit rinor, Edicioni III, ka në themel të tij debatin për modelin e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë. Brezi i tanishëm i të rinjve ka potencialin për të krijuar një ndryshim paradigme në zhvillimin e qëndrueshëm. Megjithëse sot të rinjtë përballen me pengesa për zhvillimin dhe përfshirjen e tyre, ata duhet të jenë të gatshëm të ndihmojnë në proceset demokratike në Shqipëri. Hapat duhet të jenë sigurtë dhe qasja gjithëpërfshirëse në mënyrë që të rinjtë të  kenë mundësinë të kontribuojnë në avancimin e shoqërisë. Pjesëmarrja domethënëse e të rinjve në uljen e pabarazisë mund të jetë shumë transformuese, kontributi e të rinjve në identifikimin dhe zbatimin e zgjidhje të qëndrueshme për një model zhvillimi ekonomik- social fokusuar në qeverisjen dhe proceset e OKB-së, Agenda 2030 “ Për rritjen e qëndrueshme”duhet të jetë sa me publik, teksa mund ti bëjnë jehonë përpjekjeve të tyre gjithpërfshirëse në të gjitha grupet dhe brezat e tjerë shoqërorë për një model të zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë 2030!

Të rinjtë duhet të shfrytëzojnë mundësitë aty ku i hasin, për t’ë përhapur risitë, angazhimet, qëndrimet, për ti bëra ato publike e pse jo politike, pjesë të agendës qeverisëse. Ato janë potencial për ndryshimin në Shqipëri. Kështu demokracia rritet – eksponencialisht. Një zhvillim bëhet shkas për një tjetër, i cili sipas rregullit krijon një tjetër.