Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi —
Të gjithë, këto ditë, si kurrë më parë jemi përballur me distancën: punë në distancë, biseda në distancë, mësim në distancë, distancë sociale, distancë fizike, distancë të blesh bukë etj etj…duket sikur koha e “online” ka “dhunuar” kohën e vërtetë atë me minuta e orë, atë të takimit e shoqërizimit me miq e kolegë.
Çerdhe, kopshte, shkolla, universitete…të mbyllura! Fëmijë e studentë të gjithë në shtëpi, me librat mbi kokën e krevatit apo mbi komodinë dhe me laptopin përpara këmbëve. Duket një pamje klishe, si në ato filmat që kemi parë aq shumë, prodhuar nga kompani të mëdha Hollivudiane.
Ndërsa shumë shpejt u “lëshuan”nga Ministria e Arsimit masat e para të mësimit online, megjithëse të vetëdijshëm për mundësi reale gati të pamundura, edhe mësueset bënë të njëjtën gjë me ne prindërit email, ëhatsapp, viber…duhet të rifillojë mësimi virtual!
Ky është padiskutim momenti I vërtetë I provës së milionave para të shpenzuara për dixhitalizim e mësim online të arsimit Shqiptar! Fatkeqësisht, si taksapagues, jemi ne hallka e fundit te zinxhiri I provës! Është provë jo e lehtë për ne familjarët, as e lirë jo e jo, sepse ca të vërteta duhen thënë, që jo të gjithë e kemi mundësinë e 24 orëve internet të qëndrueshëm e për më tej na duhet një laptop apo celular smart.
Çfarë do bëhet me arsimin në Shqipëri në këtë dritë të re të zhvillimeve?
Procesi arsimor online po ecën në një korsi të përshpejtuar për shkak të pandemisë së COVID-19, por pasojat e kësaj shpejtësie nuk i dimë ende, ama shumë pyetje ngrihen për më tutje si dhe për mundësitë për ti adresuar ato. Ashtu si edhe për ekonominë, eksperimenti gjigant i arsimit online do të përshpejtojë ndryshimet që ishin tashmë në lojë. Unë vetë jam duke e provuar eksperimentin e mësimit online si prind dhe si pegadoge universiteti, dhe e them me zë: është sfidues!.
Koha e qëndrimit në shtëpi për shkak të distancës shoqërore e fizike më ka mundësuar që të mendoj dhe të ngre disa pyetje rreth arsimit dhe të ardhmes së tij ndërsa merremi me COVID-19-n.
A është arsimi një çështje për diskutim ashtu si edhe ekonomia? Pse nuk po flitet për të? A na e dha mësimin ky virus që tashmë ne na nevojitet të rishohim me kujdes strategjinë e arsimit në Shqipëri, ligjin, aktet nënligjore? A është edukimi dhe mësimi e njëjta gjë? Si duhen trajtuar ato? A ka qenë zhvilluar deri më tash mësimi në një mjedis fizik tepër të ngurtë? A duhet të mendojmë më shumë për një kurrikul dinamike, interactive, krijuese me më shumë art, sport, ku shëndeti fizik dhe mendor I nxënësit të jetë në qendër? A ishin mësuesit tanë gati? A kishim menduar apo duhet të fillojmë të mendojmë seriozisht për trainimin e tyre të vazhdueshëm, dhe jo vetëm të trainojmë drejtorët (ndonëse edhe këtu ka shumë vend për diskutim). A duhet ndonjëherë tu themi faleminderit për përkushtimin dhe fleksibilitetin këtyre mësuesve që jetojnë, punojnë e u duhet të përshtaten sipas orekseve politike të rradhës? Dhe mbase pyetja më e madhe nga të gjitha: Cilat janë implikimet në arsim në lidhje me ngarkesat aktuale të borxhit?
Të gjitha këto pyetje më dalin përpara, ndërsa përballemi me këtë kurs të ri jetese, përplasjeje në mësimin dixhital, …por nuk do të pretendoj që e vetme e di zgjidhen e tyre. Gjithsesi do të argumentoja që rimarrja në konsideratë e këtyre pyetjeve për të siguruar përgjigje që vlejnë për dekadat e jo për ciklin politik partiak, ka të ngjarë të sillet rreth mësimit të vazhdueshëm.
Si të gjitha zhvillimet e teknologjisë dhe përpjekjet e transformimit, sfidat më të mëdha zakonisht përfshijnë ndryshimin kulturor. Mësimi online kërkon disiplinë. Edukimi gjithashtu kërkon disiplinë. Ky realitet do të favorizojë atë lloj nxënësi apo studenti që do të dijë të krijojë një rutinë të “ online” në oraret e tjetërsuara sociologjikisht të kohës së vërtetë.
Nëse popullata do të mësohet me të mësuarit dixhital, do të bëjë që më shumë gjasa të përpilohen politikat dhe burimet për ta mbështetur atë. Platformat shkollore online do të kthehen në prioritet gjithmonë e më shumë, pavarësisht sesa interesante na janë dukur më pare. Mësimi do të dixhitalizohet, librat shkollorë (letër) do të kenë çmim të lartë. Ky ndryshim i procesit do të thotë që shkollat do të investojnë shumë në dixhitalizim, dhe kjo kërkon një gjeneratë të re mësuesish, inxhinierë, socilogë, psikologë…krejt ndryshe sa ishte menduar më pare…dhe shumë, po shumë para!.