Dr. Elda Zotaj (Bushati) —

 

Çdo  ditë e më shumë mes qarqeve shkencore, akademike e më gjerë po përforcohet ideja se bota pas pandemisë COVID 19 nuk do jetë më e njëtja, dhe se kjo ngjarje ka për të ndikuar në mënyrën sesi ne kemi organizuar shoqëritë tona, sesi i jemi imponuar planetit dhe mbi të gjitha mënyrës sesi ne jemi pozicionuar në rolin e krijuesit. E gjitha kjo, triumfi i shoqërisë njerëzore bëhet krejt e brishtë nën efektin e një virusi vdekjeprurës.  Ajo çfarë u përshfaq nga një ngjarje e tillë ishte tronditja jonë si shoqëri njerëzore që me gjithë arritjet e larta në çdo fushë, sfidën më të madhe e kemi nga kërcënimet që i vijnë species tonë që nga armët bërthamore, rendi ekonomik dhe së fundmi përballja me virusin COVID 19. 

Padiskutim, që situata në të cilën ndodhemi sot është e paprecedentë. Ajo është e tillë jo për faktin që nuk ka patur kriza, katastrofa natyrore, luftëra, epidemi etj, por për mënyrën sesi ne po e përballojmë atë. Kufizimet e marra në emër të sigurisë dhe jetës nuk janë pjesë e ndonjë skenari të ndonjë filmi në Hollivud, jo aspak, janë pjesë e ditëve që secili nga ne po kalon realisht. Sa hap dhe mbyll sytë u zëvendësua komoditeti i lirisë së lëvizjes, i jetës së mirë me kufizime dhe rregulla të rrepta, padiskutim të domosdoshme, por të paimagjinuara dhe tashmë realitet. Dhe ja, sot, të gjithë jemi më shumë se kurrë në kohën kur duhet të qëndrojmë më shumë me vetveten, kemi mundësinë dhe detyrimin që të analizojmë atë që na rrethon. Të mendojmë në heshtje se çfarë është ajo që duam për veten dhe fëmijët tanë.  Kjo pandemi do kalojë por jo pasojat e saj, ato do të mbeten gjatë… pasojat do jenë sa ekonomike, politike, sociale, shpirtërore po aq dhe vlerore. Shoqëria jonë, ka nevojë për një reflektim të thellë mbi sistemin e vlerave, ka nevojë të reflektojë dhe ndryshojë qasje ndaj rendjes së verbër drejt një konsumimi pa fre, drejt lakmisë pa kufij, drejt pasurimit ekstrem, në emër të gjithshkaje madje dhe vetë jetës. Siç do shprehej Lubonja: “Njeriu ka nevojë të ngadalësojë”, të reflektojë, ka detyrën madhore atë të përmirësimit të vazhdueshëm të vetes dhe të krijonë dhe respektojë ekuilibrat që natyra i vendos me aq mjeshtëri për miliona e miliarda vjet.

Bota do ndryshojë dhe kjo nuk ka më kthim. Pamjet me satelit që kanë bërë xhiron e botës tregojnë se cilësia e ajrit po pëmirësohet në Kinë e më gjerë si pasojë e masave të izolimin nga Covid 19, janë një sinjal i fort për secilin nga ne. Ky virus, dëshmoi faktin që “zhvillimi i qëndrueshëm” nuk është i pamundur. Shumë nisma në nivel global janë marrë për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të zbutur hendekun e madh të pabarazinë në nivel botëror. Ambicje e madhe është për të gjitha shtetet angazhimi dhe realizimi i “Axhendës 2030” dhe objektivave të saj. Është fakt që bota në të cilën jetojmë është e ndërlidhur si asnjë herë tjetër, të tilla janë dhe pasojat e saj. Ato vijnë si një zinxhir që një e nga një i lidh të gjithë. Njerëzit përmes kësaj tragjedie po kthejnë sytë dhe do kuptojnë që sistemi i vlerave të një shoqërie nuk ështe konsumizmi në emër të gjithckaje, jo nuk është kjo, është egzistenca në harmoni me atë që është e tëra. Të pasur dhe të varfër, intelektualë dhe të paditur të gjithë sëbashku janë të kufizuar në ekstrem në liritë e tyre personale, të gjithë janë pjesë e masës kufizuese dhe distancimit social, të gjithë ne jemi papërjashtim… Sikundër shprehet Luigi Mastrodonato: “Në këto kohë të pandemisë, shumë të drejta janë pezulluar, dhe privatësia po vihet në dyshim. Në fakt, demokracia është pezulluar…”.

Pavarsish kontekstit të krijuar si pasojë e koronavirusit, shoqërisë shqiptare më shumë se kurrë i nevojitet të analizojë dhe debatojë mbi hapat që do të ndjekë për të ardhmen e saj. Ruajtja e natyrës dhe e resurseve natyrore, përmirësimi i jetës së njerzve dhe i gjithë shoqërisë etj. Jo më larg se dje, një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka ardhur nga institucionet e BE-së. Çelja e negociatave është një mundësi e madhe për të ndryshuar dhe përmirësuar, shtetin, shoqërinë dhe të ardhmen tonë. Statusi i ri i vendit tonë përballë Bashkimit Europian kërkon më shumë angazhim, punë dhe padiskutim debat më të gjerë përpos arritjes së standarteve të kërkuara për institucionet të jetë real dhe konkret ndryshimi cilësor i jetës në vend.