Dr. Teuta Xhindi —
Fjala në kuadër të takimit virtual të rrjetit të bashkëpunimit rajonal për roundin e 10-të të ESS (European Social Survey), organizuar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë webinar, në kuadër të bashkëpunimit rajonal për raundin e 10-të të Anketës Sociale Europiane dhe për të ndarë eksperiencen time modeste si pjesë e një projekti në kuadër të raundit të 9-të, të zhvillimit të kësaj ankete.
Në opinionin tim, Anketa Sociale Europiane, është një mjet shumë i vlefshëm në dorën e akademikëve, studentëve, studiuesve, analistëve, pushtetarëve, për studime dhe analiza të ndryshme sepse na siguron në finale një bazë të dhënash që mund ti përdorin të gjitha kategoritë e përmendura më lart.
Nga disa statistika rreth përdorimit të të dhënave të siguruara nga kjo anketë, rezulton se 64% e përdoruesve janë studentë, 27% akademike dhe 9% kërkues individë.
Duhet theksuar se:
- Të dhënat për Anketën Sociale Europiane, mblidhen duke respektuar standarte të larta cilësie (sipas një metodologjie të mirëpërcaktuar) dhe këto standarte janë të unifikuara për të gjitha vendet.
- Të dhënat janë pa pagesë.
Duke qenë se metodologjia e mbledhjes së të dhënave është e njëjtë për të gjithë vendet, ekziston mundësia e kryerjes së studimeve krahasuese ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në këtë anketë.
Të dhënat e siguruara nga kjo anketë:
- Mund të përdoren në mësimdhënie, në ato lëndë që merren me përpunim dhe analim të dhënash.
- Mund të përdoren në punime dhe studime të ndryshme.
- Mund të përdoren nga pushtetarët për të identifikuar problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve në mënyrë që të përcaktohet diagnoza dhe të gjendet receta e duhur për zgjidhjen e problemeve.
Unë jam njohur me Anketën Sociale Europiane, në kuadër të një projekti, gjatë punës për realizimin e raundit të 9-të, të kësaj anketë në Shqipëri. Kontributi im personal, konsistonte në prezantimin e anketës tek studentët, në analizimin dhe diskutimin e disa prej gjetjeve të raundit të 6-të, ku Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse, si dhe në krahasimin e rezultateve të marra në realitetin shqiptar me rezultatet e marra në vendet europiane.
Gjatë takimeve të zhvilluara me studentët, u vu re një interesim dhe përfshirje e një numri të konsiderueshëm prej tyre në diskutime. Kjo për arsye se çështjet që trajtohen në anketë, janë të prekshme, çështje të cilat ne i diskutojmë në familje dhe rrethin shoqëror si psh Besimi në Institucione, Emigracioni, Migracioni, Feja, pranimi i homoseksualitetit etj.
Unë po përmend këtu disa çështje, për të cilat pati debate dhe diskutime ndërmjet studentëve.
1.Modeli shoqëror: A mos vallë ekziston prirja që sa më të larta të jenë të ardhurat aq më pak qytetarët ndihmojnë dhe kujdesen për njëri tjetrin?
Duke krahasuar rezultatin e marrë nga anketa në raundin e 6-të në Shqipëri me rezultatin e marrë nga anketa në vendet europiane, rezulton se ai është i njëjtë: nuk ka të dhëna në favor të kësaj teze, bile rezulton se nëse individët ndihen të sigurtë ekonomikisht, ata janë të prirur për të treguar akte solidariteti dhe ndihme për shtresat në nevojë.
- Lidhja mes besimit tek njeri tjetri me besimin tek institucionet (politikanët dhe sistemin gjyqësor)
Duke krahasuar rezultatin e marrë nga anketa në raundin e 6-të në Shqipëri me rezultatin e marrë nga anketa në vendet europiane, rezulton se ai është i njëjtë: Besimi tek njerëzit dhe Besimi tek Institucionet lëvizim në një drejtim.
Kjo do të thotë se ata qytetarë që besojnë më shumë tek institucionet, janë ata që besojnë më shumë edhe tek tjetri.
- Lidhja mes Edukimit dhe Interesit për politikën
Matja është bërë për lidhjen mes numrit të viteve të edukimit me përqindjen (%) e numrit të personave të interesuar në politikë.
Këtu: Krahasuar me rezultatin e marrë nga anketa në vendet europiane, ku individët me edukim më të lartë janë më të interesuar për politikën, në Shqipëri rezulton që më të interesuar për politikën janë ata me shkollë 9 vjeçare dhe të mesme.
- Besimi fetar
Rezultati i marrë nga anketa në vendet europiane: Shumica e europianëve deklarojnë që i përkasin një besimi të caktuar por në përgjithësi janë besimtarë jo – aktivë.
Në Shqipëri, rezulton se nga personat që janë deklaruar shumë besimtarë, shumica prej tyre i ndjekin ritet fetare një herë në javë.
- Pranimi i Homoseksualitetit
Rezultati i marrë nga anketa në vendet europiane: Pavarësisht kombësisë, ka diferenca mes të rinjve dhe të moshuarve lidhur me pranimin e homoseksualitetit. Të rinjtë diskutojnë rreth çështjes së të drejtave dhe lirive të homoseksualëve dhe i pranojnë, në dallim me të moshuarit.
Ndërsa në realitetin shqiptar, meqë në anketë nuk kishte të dhëna për moshën, krahasimi për pranimin e homoseksualitetit u bë sipas gjinisë.
Rezultati: Ka diferenca mes burrave dhe grave përsa i përket pranimit të homoseksualitetit në favor të grave.
Si konkluzion, përfshirja e Shqipërisë në raundin e 10-të të Anketës Sociale Europiane duhet parë me shumë seriozitet, duke përmirësuar edhe ndonjë problem të shfaqur në raundet e mëparshme, sepse të dhënat e siguruara do të shërbejnë si bazë për studime, diskutime, politika dhe veprime.