Marina Gjoka, MSc.Marrëdhënie ndërkombëtare, SCiDEV

Valët migratore kanë shoqëruar njerëzimin që në nisje të tij dhe do ta shoqërojnë atë për një kohë të gjatë dhe këtu nuk bën përjashtim as vendi ynë. Që në antikitet lëvizjet e mëdha kanë shoqëruar qytetërime të tëra duke sjellë ndryshime sociale e kulturore. Përqafimi i të ndryshmes madje ka krijuar vende multikulturale ku kombësia nuk ka asnjë rëndësi për aq kohë sa qytetarët janë shtetas të zellshëm. Në lidhje me vendin tonë largimi masiv duket se ka sjellë ndryshime demografike të dukshme sidomos  në dekadën e fundit ku sipas INSTAT prej Shqipërisë janë larguar rreth 600 mijë banorë dhe kjo vërehet cdo ditë të numri gjithnjë e më i ulët i studentëve,nxënësve që regjistrohen në institucionet arsimore.

Ky fenomen shoqërohet me dy këndvështrime. Sigurisht duhet të pranojmë se largimi sjell ndryshime demografike dhe ndryshime shoqërore të shumta. Shpesh madje ky fenomen në vendin tonë quhet si “largimi i trurit” dhe shihet si një problem shumë shqetësues pasi mendohet se në një farë mënyre vendi po braktiset dhe pas disa kohëve nuk do të kemi specialistë të profesioneve të ndryshme që na ndihmojnë në përditshmërinë tonë si  elektriçistë,hidraulikë,kuzhinierë, por edhe profesione si mjekë,infermierë e juristë. Ky shqetësim mbetet i drejtë, por nga ana tjetër të jetuarit në një epokë globaliste i jep mundësinë secilit të kërkojë një jetesë që i duket më dinjitoze.

Kryesisht të rinjtë shqiptarë po orientohen drejt vendeve europiane ku tregu i punës ju ofron më shumë të ardhura. Në të njëjtën kohë Shqipëria ka marrëveshje për jetesë dhe punësim edhe me vende të tjera si Turqia dhe Emiratet Arabe, por shihet se orientimi mbetet kah perëndimi një frymë që shihet që nga antikiteti pas sundimit të gjatë të Perandorisë Romake.  Pavarësisht dëshirës për të qëndruar në vendin e tyre realiteti shpesh mbetet zhgënjyes pasi punësimi për të rinjtë pa eksperiencë pas studimeve mbetet problematik dhe niveli i pagave jo fort i kënaqshëm madje shpeshherë as i mjaftueshëm për nivelin e jetesës.

Në këtë kuadër zgjidhja mbetet tregu i jashtëm i cili ofron një pagë më të lartë. Përveç këtyre arsyeve të rinjtë zgjedhin të largohen edhe për një mënyrë jetese ndryshe,një ambient të ri dhe nuk duhen fajësuar për këtë. Ka disa faktorë për këtë situatë që mbeten sistemi arsimor,mungesa e këshillimit të karrierës dhe një orientimi të duhur. Nëse këto elementë do të funksiononin siç duhej panorama do të ishte krejt ndryshe pasi ka një mbingopje të tregut për profesione të caktuara dhe nuk ka aspak treg për degë studimi specifike. Të rinjtë largohen nga nepotizmi që ka kapluar pjesën e punësimit dhe ndonëse pati një Pakt Për Universitetin ritmet edhe pse pozitive janë tejet të ngadalta.

Në këtë periudhë secili ka zgjedhjen e tij dhe është qytetar i botës dhe zgjedh mënyrën e tij për të jetuar pasi nuk ishte zgjedhja e askujt të qënit i lindur në një shtet ku ai ndodhet dhe ne nuk mund të gjykojmë largimin e askujt në këtë pikëpamje. Ajo që do të ishte efikase do të ishte bashkëpunimi i gjithë komponentëve në mënyrë që të rinjtë të mos ikin për shkak të mundësive të cunguara,pagave të ulëta dhe korrupsionit. Besoj se të gjitha këto do të na shfaqnin një situatë më premtuese që të rinjtë të mos largohen dhe të vazhdojnë veprimtaritë e tyre në vendin që u rritën dhe u shkolluan duke trashëguar aftësitë e tyre brez pas brezi.